Monday, September 14, 2026
Nabizi Gega KFC
789184-C9-03-B5-41-CF-9-D59-B2523658-B380
1ab55e5d-f5c3-470d-bec1-df1777c5234e
HomeMaqedoniTeuta Arifi: 35 vjet më pas, ende duke shikuar prapa! Shkëlqimi...

Teuta Arifi: 35 vjet më pas, ende duke shikuar prapa! Shkëlqimi dhe rënia e festave të vogla

Shkëlqimi dhe rënia e festave të vogla

Këto ditë në sheshin e Tetovës do mbahet një koncert me të cilin edhe paskan për tu përmbyllur festimet me rastin e 35 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë së Veriut. Në rregull – kishim për të thënë. Por ja që ka ca gjëra që sikur nuk janë edhe aqë në rregull. Për shembull fakti që ky koncert duhet të heqë disi shijen e hidhur të mungesës përjashtuese të kulturës, artit dhe gjuhës shqipe nga manifestimet zyrtare e shtetërore. Duhet të jetë një koncert ngushëllues për fëmijët që i kanë lënë prindërit në shtëpi dhe vetë kanë dalë për një darkë intime apo një kujdes lëmoshe për të përhiturën e shtëpisë të cilën nuk e thërret njeri në ballot plot shkëlqim të pallateve zyrtare.
Falemnderit shumë, por aman mos na nderoni. Si e para, kur vlerësojmë ne si tetovarë se duhet të organizojmë dhe mbajmë manifestime kulturore, i kemi bërë sa masovike e po aqë me nivel artistik duke mos anashkaluar edhe diversitetin kulturor të qytetit. Si e dyta, Elita 5 është njëri ndër rok-grupet e para shqiptare në Rajon që i bën nder secilës skenë rajonale e europiane. Athua nuk kishte vend për ta në skenën qendrore në Shkup si një memorje e kulturës moderne shqiptare përgjatë gjithë këtyre viteve të pavarësisë së këtij shteti? Dhe si e treta, pse bre mendojnë se u dogjëm nga dëshira për me festue dhe do kërcejmë nga vendi sapo ta shtypin sustën ngushëlluese që thotë hajdeni edhe ju se keni mbetë pa këndue kangë për pavarësinë, normalisht pasi ka mbarue dasma. Sado që e gjitha kjo të duket si simbolike dhe anësore, megjithatë në thelbin e vet ka mesazh që tregon komplekse të rënda e të patejkaluara të natyrës etno-politike.
Këtu e tridhjetë e pesë vite më parë, punët nuk ishin edhe aqë të kollajshme. Si rezultat i përfundimit të botës dypolare dhe rënies konceptuale, politike dhe ekonomike të blokut Lindor po shpërbëhej federata jugosllave sipas kufinjëve të brenshëm administrativë. Kështu që Maqedonia do bëhej shtet i pavarur jo se do e bënin maqedonasit e do ankoheshin shqiptarët, por sepse i tillë ishte konstruksioni i ri euro-atlantik për Ballkanin. Ndërkohë që sa i përket rregullimit të raporteve të brendshme komuniteti ndërkombëtar vlerësoi se do mundej të intervenonte nëpërmjet instrumenteve që ky komunitet i kishte në dispozicion. Kështu që këtu e tridhjetepesë vite më parë u mbajt referendumi për pavarësi të Maqedonisë në të cilin votuan maqedonasit po ama e bojkotuan shqiptarët. Dhe arësyeja ishte që pyetja e referendumit përveç pjesës që kërkonte pavarësinë, përmbante pjesën e dytë që shteti i ri e i pavarur të kishte të drejtën e bashkangjitjes në një formë të federatës jugosllave, dhe kjo përbënte vijën e thellë konceptuale dalluese mes mendimit politik shqiptar dhe atij maqedonas në këtë vend. Politikat maqedonase për decenie të tëra të subordinuara konceptit politik beogradas, nuk kishin guximin as ta pyesnin popullin e tyre nëse ia merrte mendja të bënin një shtet më vehte dhe për këtë mjaftojnë deklaratat e presidentes aktuale, asokohe përfaqësuese e një partie politike e cila thoshte se Jugosllavia është boshti i cili nuk rrënohet kurrë dhe me të cilin ky vend do mbetet i lidhur pandashmërisht. Nga ana tjetër, politika shqiptare sado e paeksperiencë dhe e përballur me traumën e një fragmentimi të ri shqiptar në Rajon, nuk shihte të ardhmen në një federatë jugosllave të cunguar, por përkundrazi vendosi si qëllim politik sigurimin e të ardhmes euro-atlantike për vendin. Dhe ky dallim konceptual nuk është se ka ndryshuar në thelb, por vetëm janë ndryshuar nijansat e tij.
Problemi tjetër poashtu tejet i thellë dhe konceptual ishte vendimi i elitave politike maqedonase që të shfrytëzonin rrethanat ndërkombëtare që kishin për interes një Maqedoni stabile, të ndërtonin një shtet-komb të maqedonasve sipas modelit të shekullit XIX-të. Kjo nënkuptonte mohim të plotë të të drejtave etno-politike, gjuhësore dhe kulturore të shqiptarëve në këtë vend. Meqë fatmirësisht shekulli XIX-të kish kohë që kish mbaruar, rezistenca dhe organizimi politik shqiptar evoluuan nga beteja politike në një luftë të armatosur që prodhoi Marrëveshjen e Ohrit dhe rregullimin aktual kushtetues me një akomodim të ri të të drejtave etno-politike si dhe me anëtarësim të plotë të vendit në NATO.
Po cili është problemi tani pas më shumë se tre deceniesh pavarësi? Tani kur vitet na janë rradhitur si tulla e na rëndojnë mbi shpatulla? Tani kur fëmijëve të pavarësisë po u lindin fëmijët e tyre dhe fëmijët e Marrëveshjes së Ohrit po i bëjnë dasmat e tyre? Apo nuk po e gjejmë dot muzikën e përbashkët? Problemi është tek mendësia politike e një pjese të elitës maqedonase e cila konsideron se idetë koloniale të supremacisë etnike, politike, gjuhësore dhe ekonomike janë bazë e këtij shteti edhepse koha e dëshmoi të kundërtën. Sepse të imponosh koncepte politike, linguistike dhe ekonomike koloniale, fillimisht duhet të kesh takat politik, ekonomik e linguistik për ta realizuar, dhe atëherë kur nuk e posedon atë fuqi, sistemi shndërrohet në një karikaturë koloniale e cila heq e vendos tabelat rrugëve apo i numëron strofat e këngëve në gjuhën shqipe duke harruar se muzika dhe arti qëmoti kanë kaluar kufijtë që kanë tentuar ti vendosin mes tyre. Këto ide regresive kanë mbetur të ngujuara aty ku ishin këtu e tridhjetë e pesë vite më parë dhe nuk duan të shohin se artistët shqiptarë në këtë vend nuk e kanë ndër mend me u matë me statujat false të Shkupit sepse moti kohë do top-lista botërore janë pak ma interesante se mendjemadhësitë lokale.
Prandaj është mirë me e harru këtë koncept kolonial-karikaturë dhe me u drejtue kah përparimi i barabartë dhe dinjitoz për të gjithë. Apo siç do thoshte filosofi im i dashur Kjerkegor: vërtet jetën mund ta kuptojmë duke shikuar pas, por ama mund ta jetojmë vetëm duke shikuar përpara.

Teuta Arifi

AS-Event
REKLAMONI KETU! REKLAMONI KETU!
AS-Event
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!