Aeroporti “Shën Apostull Pali” në Ohër ka regjistruar ditën më të suksesshme në historinë e tij, duke pritur 3.036 udhëtarë dhe duke realizuar gjithsej 20 fluturime brenda një dite, shkruan Struga Ekspres.
Sipas drejtuesve të aeroportit, ky rezultat merr edhe më shumë peshë pasi është arritur në një kohë kur një pjesë e terminalit të pasagjerëve po i nënshtrohet punimeve të rikonstruksionit, gjë që ka kufizuar hapësirat operative. Megjithatë, falë angazhimit, profesionalizmit dhe bashkëpunimit të stafit dhe partnerëve, operacionet u zhvilluan pa pengesa, duke garantuar siguri dhe shërbim cilësor për çdo pasagjer.
Nga aeroporti theksojnë se investimet për modernizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm do të vazhdojnë, me synimin për ta forcuar edhe më shumë rolin e Aeroportit të Ohrit dhe për të ngritur standardet e funksionimit.
Në fund, ata falënderuan të gjithë punonjësit, partnerët, kompanitë ajrore dhe udhëtarët për kontributin në arritjen e këtij rekordi, duke e cilësuar atë si një sukses të përbashkët.
(Struga Ekspres)













