Konsullata e Përgjithshme e Kosovës nderon personalitete me mirënjohje në Strugë
Në një ceremoni solemne të organizuar në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës, u shënua përvjetori i ngritjes dhe inaugurimit të Memorialit “Faleminderit Strugë”, një simbol i mirënjohjes për mbështetjen e dhënë Kosovës ndër vite.
Me këtë rast, Konsulli i Përgjithshëm, Agim Krasniqi, ndau mirënjohje për individë dhe familje që, në periudha dhe rrethana të ndryshme, kanë kontribuar për çështjen e Kosovës dhe kanë mbështetur veprimtarinë e Konsullatës, shkruan Struga Ekspres.
Mirënjohjet iu ndanë: Mixhair Musai (pas vdekjes), familjes Musai, Jeta Lumani Ademi, Alide Hani, Musli Fida dhe Xhurije Elmazi.
Në fjalën e tij, Konsulli Krasniqi vlerësoi lart angazhimin dhe përkushtimin e të nderuarve, duke theksuar se kontributi i tyre mbetet pjesë e rëndësishme e kujtesës dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Strugës.
Ceremonia u mbyll me shprehjen e falënderimeve dhe respektit për të gjithë ata që kanë qenë pranë Kosovës në momente të rëndësishme të historisë së saj.








(Struga Ekspres)













