Ardit Hoxha ngre zërin: Veleshta po mbetet pa përfaqësim
Kryetari i nëndegës së VLEN-it në Veleshtë, Ardit Hoxha, ka reaguar publikisht lidhur me, sipas tij, mungesën e përfaqësimit institucional të Veleshtës.
Hoxha thekson se Veleshta ka dëshmuar ndër vite se di të japë besim, vota dhe përgjegjësi, ndërsa banorët e saj kanë qenë gjithmonë pjesë e rëndësishme e proceseve zgjedhore, me pritshmërinë që ky kontribut të reflektohet edhe në përfaqësim institucional.
Sipas tij, aktualisht Veleshta mbetet pa përfaqësim të denjë si në pushtetin lokal, ashtu edhe në atë qendror. Ai vlerëson se një vendbanim me peshë të madhe elektorale nuk ka drejtues institucionesh, drejtorë apo përfaqësues në pozita vendimmarrëse që të mbrojnë interesat e qytetarëve.
“Banorët e Veleshtës nuk kërkojnë privilegje, por drejtësi dhe përfaqësim të merituar. Është koha që kontributi i tyre të vlerësohet jo vetëm me fjalë, por edhe me përgjegjësi dhe përfaqësim real”, shprehet Hoxha në reagimin e tij.













