Saturday, June 27, 2026
Nabizi Gega KFC
789184-C9-03-B5-41-CF-9-D59-B2523658-B380
1ab55e5d-f5c3-470d-bec1-df1777c5234e
HomeQyteti"Poezia i përket të gjithëve".Albana Cufaj Zhuta: Letër e hapur për ruajtjen...

“Poezia i përket të gjithëve”.Albana Cufaj Zhuta: Letër e hapur për ruajtjen e karakterit universal të ‘Mbrëmjeve Strugane të Poezisë'”

Nga Albana Cufaj-Zhuta

LETËR E HAPUR
Drejtuar: Ministrit të Kulturës dhe Turizmit në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Zoran Ljutkov
-Drejtuesve të Manifestimit Ndërkombëtar “Mbrëmjet Strugane të Poezisë”
– Këshillit të Qytetit të Strugës
– Opinionit publik
Strugë, qershor 2026
I/E nderuar,
Me respekt të thellë për traditën e lavdishme të Manifestimit Ndërkombëtar “Mbrëmjet Strugane të Poezisë” dhe me ndjenjën e përgjegjësisë qytetare që na detyron të flasim kur vlerat tona të përbashkëta cenohen, pas deklaratave skajshmërisht të papërgjegjshme të drejtuesit të Manifestimit Ndërkombëtar “Mbrëmjet Strugane të Poezisë” dhe të Ministrit të Kulturës dhe Turizmit të RMV-së, z. Zoran Ljutkov, të bëra në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ne – qytetarët e Strugës dhe dashamirët e këtij festivali – drejtojmë këtë letër të hapur.
Sot, ndërsa ky manifestim shënon 65-vjetorin e tij, ne jemi krenarë. Krenarë për një traditë që e ka vendosur Strugën në hartën kulturore të botës. Krenarë për poetët që kanë ardhur nga kontinente të ndryshme dhe kanë gjetur këtu, në brigjet e Drinit të Zi, atë gjuhë universale që i bashkon njerëzit përtej kufijve, gjuhëve dhe kulturave , gjuhën e Poezisë artit dhe kulturës multidimensionale.
“Mbrëmjet Strugane të Poezisë” nuk janë thjesht një festival. Ato janë identitet. Janë dëshmi e gjallë se Struga – qytet multietnik dhe multikulturor – ka diçka të veçantë për t’i dhënë botës: aftësinë për të festuar bashkë, për të krijuar bashkë dhe për të qenë bashkë dhe për të mbledhur bashkë nga e gjithë bota artiste me mendje të hapur dhe shpirt të lirë. Ashtu si urat e Drinit të Zi lidhin dy brigjet e qytetit tonë, ky festival ka lidhur për 65 vjet njerëz, popuj dhe kultura. Kjo është esenca e tij. Kjo është arsyeja pse e duam.
Një deklaratë që shqetëson
Pikërisht për këtë arsye, deklarata e bërë nga drejtori i këtij manifestimi dhe më pas edhe nga Ministri i Kulturës dhe Turizmit, z. Zoran Ljutkov, e shprehur në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, na ka lënë të habitur dhe thellësisht të shqetësuar.
Deklarata se: – “Të gjitha manifestimet që organizohen këtu, përkatësisht të gjitha institucionet kombëtare, kanë për qëllim promovimin e kulturës maqedonase.”
– nëse është bërë me vetëdije dhe qëlli, nuk është thjesht një gabim retorik, është një qëndrim që bie ndesh me natyrën e këtij festivali, me realitetin e Strugës dhe me shpirtin e poezisë si art universal. Ne e kuptojmë dhe e respektojmë rëndësinë e kulturës maqedonase. Ajo është pjesë e pandashme e mozaikut të pasur kulturor të vendit tone, por reduktimi i një eventi ndërkombëtar – i krijuar pikërisht mbi bazën e dialogut ndërkulturor – në mjet të promovimit të një kulture të vetme është një qëndrim që:
– përjashton mijëra qytetarë struganë dhe qytetarë të tjerë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët nuk identifikohen vetëm me kulturën maqedonase, por e duan po aq këtë festival dhe e konsiderojnë atë si të tyrin;
– e zhvesh manifestimin nga fryma e tij themelore universale, duke e kthyer nga një urë bashkimi në një mur ndarjeje;
– dëmton imazhin ndërkombëtar të festivalit, sepse poetët e botës vijnë në Strugë për hapësirën e saj njerëzore dhe gjithëpërfshirëse, e jo për një narrativë të ngushtë kombëtare;
– bie ndesh me Kushtetutën dhe me vlerat themelore të Republikës së Maqedonisë së Veriut si shtet multietnik dhe multikulturor.
Ne nuk kërkojmë konfrontim. Kërkojmë dialog. Kërkojmë respekt të ndërsjellë – atë respekt që ky festival e ka predikuar dhe jetuar për 65 vjet.
Konkretisht, kërkojmë:
1. Ministri i Kulturës dhe Turizmit, si edhe drejtuesit e manifestimit, të sqarojnë publikisht qëllimin e deklaratave të tyre dhe, nëse është e nevojshme, t’i korrigjojnë ato në frymën gjithëpërfshirëse që i takon këtij eventi.
2. Organizatorët të sigurojnë që programi i 65-vjetorit të pasqyrojë në mënyrë të barabartë multikulturalizmin e Strugës dhe të Maqedonisë së Veriut – në gjuhë, në përfaqësim dhe në frymë.
3. Institucionet kompetente – Këshilli i Qytetit, Ministria e Kulturës dhe Turizmit dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut – të marrin në konsideratë këtë shqetësim qytetar dhe të garantojnë që ky festival të mbetet ai që ka qenë gjithmonë: pasuri e të gjithëve.
Poezia, në fund të fundit, nuk flet për ndarje. Ajo flet për njeriun, pa dallim. Dhe 65 vjet “Mbrëmjet Strugane të Poezisë” janë 65 vjet dëshmi e kësaj të vërtete që nuk mund ta fshijë apo pronësojë asnjë ministër apo organizator. Le ta festojmë këtë jubile ashtu siç e meriton: si festë e të gjithëve, si mesazh dashurie dhe respekti ndërkulturor, si kujtesë se, kur njerëzit flasin gjuhën e poezisë, gjejnë gjithmonë rrugën drejt njëri-tjetrit, drejt shpirtit të lire.
Me respekt dhe me shpresë: Qytetarët e Strugës dhe dashamirësit e Manifestimit Ndërkombëtar “Mbrëmjet Strugane të Poezisë” Strugë, qershor 2026

AS-Event
REKLAMONI KETU! REKLAMONI KETU!
AS-Event
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!