Lindim Etemi- Struga Ekspres
Edhe dhjetëra ministra të shëndetësisë shqiptarë të vijnë, nuk do ta ndërtojnë Spitalin e Përgjithshëm të Strugës.
Sepse nuk ka sipas tyre Struga shumë vota, nuk fitojnë shumë deputetë.
Ata shohin xhepat e tyre t’i mbushin plot.
Për vite me radhë kanë ardhur, kanë premtuar, kanë folur me fjalë të mëdha dhe janë larguar pa lënë asgjë pas. Sa herë afrohen zgjedhjet, Struga kujtohet. Sa herë përfundojnë zgjedhjet, Struga harrohet.
Qytetarët e këtij qyteti nuk kërkojnë luks, por dinjitet. Nuk kërkojnë favore politike, por të drejta që u takojnë. Mirëpo për ata që e shohin çdo gjë përmes interesit partiak, nevojat e njerëzve vlejnë më pak se kalkulimet elektorale.
Më e dhimbshmja është se vazhdojnë të flasin në emër të qytetarëve, ndërsa nuk i dëgjojnë kurrë ata. Vazhdimisht kërkojnë besim, por japin zhgënjim. Kërkojnë vota, por nuk japin llogari.
Struga nuk ka nevojë për ministra që vijnë për fotografi dhe deklarata. Ka nevojë për njerëz që mbajnë fjalën. Sepse qytetarët janë lodhur nga premtimet që përsëriten dhe nga politikanët që ndryshojnë vetëm kolltukun, por jo mënyrën e të menduarit.
Dhe derisa politika të vazhdojë ta shohë Strugën vetëm si statistikë zgjedhore, asgjë nuk do të ndryshojë. Do të ndryshojnë emrat e ministrave, do të ndryshojnë qeveritë, por do të mbetet i njëjti mentalitet, së pari interesat e tyre, pastaj gjithçka tjetër.
Lindim Etemi













