Një nismë studentore e nisur nga Kroacia po tenton të ndërkombëtarizojë debatin e nxehtë mbi të drejtat gjuhësore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke e dërguar çështjen direkt në dyert e Parlamentit Evropian (PE).
Studenti Zijahudin Elezi, në bashkëpunim me Rinor Bugujevcin, kryetar i Klubit të të Rinjve Shqiptarë në Kroaci, kanë njoftuar se kanë adresuar zyrtarisht shqetësimet e studentëve shqiptarë përmes një letre drejtuar eurodeputetit të njohur kroat, Davor Ivo Stier, përcjell INA.
Kjo nismë vjen si reagim ndaj ngërçit disamujor në Shkup, ku studentët e drejtësisë po kërkojnë me ngulm të drejtën për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke e konsideruar këtë një të drejtë legjitime që buron nga statusi kushtetues i gjuhës dhe nga standardet ndërkombëtare.
Në letrën drejtuar eurodeputetit Stier, aktivistët kanë rreshtuar të gjitha pengesat dhe diskriminimin e pretenduar me të cilin përballen shqiptarët në Maqedoninë e Veriut sa i përket proceseve profesionale shtetërore. Përfaqësuesit e nismës deklaruan se shqiptarët e bashkuar nga çdo cep i botës do të punojnë që ky zë të dëgjohet në çdo institucion ndërkombëtar, duke nënvizuar se politika mund t’i anashkalojë, por nuk do të arrijë t’i heshtë në përpjekjet e tyre për të realizuar të drejtat që u takojnë. Çështja e provimit të shtetit në gjuhën amtare mbetet një nga temat më të ndjeshme në opinionin publik shqiptar, e cila prek drejtpërdrejt zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe dispozitave kushtetuese në RMV.
Përveç letrës së parë drejtuar eurodeputetëve, Klubi i të Rinjve Shqiptarë në Kroaci ka bërë të ditur se ky është vetëm hapi i parë drejt një ofensive më të gjerë diplomatike. Tashmë janë parashikuar takime të drejtpërdrejta në Bruksel, ku krahas udhëheqësve të Klubit, studenti Zijahudin Elezi do të paraqesë qëndrimet dhe kërkesat e studentëve që vijnë nga Maqedonia e Veriut. Përmes këtij sensibilizimi, synohet që institucionet evropiane të ushtrojnë presion mbi Shkupin zyrtar, në mënyrë që të drejtat gjuhësore të trajtohen sipas standardeve evropiane të pakicave dhe konventave për të drejtat e njeriut. (INA)













