MPB vendos kod veshjeje për qytetarët gjatë vizitës në sportelet e administratës
Ministria e Punëve të Brendshme ka miratuar një Kod për veshjen e qytetarëve gjatë vizitës në hapësirat zyrtare të Departamentit për Punë Civile dhe sektorëve për armë.
Sipas dokumentit, qytetarët kanë liri në zgjedhjen e veshjes, përderisa ajo është e përshtatshme, e rregullt dhe në përputhje me karakterin zyrtar të institucioneve. Kodi thekson se pamja e jashtme duhet të tregojë respekt ndaj institucionit, punonjësve dhe qytetarëve të tjerë.
Si veshje e papranueshme konsiderohen:
fundet dhe pantallonat tepër të shkurtra ose shumë të ngushta;
veshjet që zbulojnë në masë të madhe barkun, shpatullat, gjoksin ose pjesën e poshtme të trupit;
veshjet që zakonisht përdoren në plazh, në shtëpi ose në klube nate;
veshjet e papastra, të grisura, transparente ose me dekolte të theksuar;
rrobat sportive të destinuara ekskluzivisht për aktivitete sportive;
veshjet me përmbajtje fyese, mesazhe ose simbole ofenduese;
këpucët e papërshtatshme si shapkat, papuçet, nallanet dhe të ngjashme.
Dokumenti parashikon që, në rast se një qytetar paraqitet me veshje të papërshtatshme ose fyese, punonjësit e departamentit mund të refuzojnë ofrimin e shërbimit deri në respektimin e rregullave të përcaktuara.













