Lindim Etemi: Struga Ekspres nën sulme të organizuara për t’a heshtur dhe për ta zhdukur në Strugë
Unë, Lindim Etemi, si themelues dhe pronar i Struga Ekspres, ndiej obligim publik të reagoj ndaj sulmeve të vazhdueshme dhe të organizuara që po bëhen ndaj medias sonë.
Prej 12 vitesh, Struga Ekspres është pjesë e hapësirës mediatike shqiptare dhe ka qëndruar pranë qytetarëve me informim të shpejtë, profesional dhe të pavarur. Sot, kjo media po përballet me përpjekje të vazhdueshme për t’u dëmtuar dhe për t’u zhdukur nga rrjetet sociale, veçanërisht nga platforma Facebook.
Sulmet po intensifikohen nga të gjitha anët, me synimin për të mbyllur zërin e një mediumi që ka raportuar pa kompromis dhe ka sjellë para publikut temat që prekin qytetarët. Është e qartë se dikujt nuk i pëlqejnë pasqyrimet e drejta, raportimet kritike dhe publikimi i të vërtetave që Struga Ekspres ka sjellë ndër vite.
Përpjekjet për ta heshtur këtë media përbëjnë një goditje të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes dhe pluralizmit mediatik. Për këtë arsye, u bëj thirrje publike Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Sindikatës së Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë të Maqedonisë dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shkup që të reagojnë dhe të ngrejnë zërin kundër këtyre sulmeve që cënojnë funksionimin normal të një mediaje të pavarur.
Pavarësisht presioneve dhe përpjekjeve për ta heshtur, Struga Ekspres do të vazhdojë misionin e saj në shërbim të informimit të qytetarëve.
Sulmet nuk do ta ndalin të vërtetën.
Lindim Etemi
Themelues dhe Pronar i Struga Ekspres













