Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka hapur procedurë hetimore ndaj një 31-vjeçari, i cili dyshohet për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikacion”.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari mbrëmjen e djeshme po drejtonte një veturë Audi A4 në bulevardin “Nikola Karev”, kur në kryqëzimin me rrugën “Prohor Pçinski” nuk ka respektuar sinjalizimin rrugor dhe ka kaluar mbi vijën e dyfishtë të plotë, duke hyrë në korsitë e qarkullimit të kahjes së kundërt për të kthyer majtas.
Hetimet tregojnë se ai po ashtu e drejtonte automjetin nën ndikimin e substancave narkotike, në kundërshtim me Ligjin për Sigurinë në Komunikacion.
Si pasojë e manovrës së paligjshme, automjeti i tij u përplas me një motoçikletë BMW, ndërsa në pjesën e pasme të veturës u përplas edhe një motoçikletë Honda, të cilat po lëviznin paralelisht nga drejtimi i kundërt.
Nga përplasja e fuqishme, drejtuesi i motoçikletës BMW pësoi lëndime të rënda trupore dhe ndërroi jetë. Viktima është 19-vjeçari Muzafer Fetahi.
Duke vlerësuar se ekziston rreziku i arratisjes, ndikimit mbi dëshmitarët ose përsëritjes së veprës, prokurori publik i ka propozuar Gjykatës Themelore Penale në Shkup caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.













