Sali në Bruksel takon ambasadoren e Qipros, diskutohen eurointegrimet dhe Plani i Rritjes për Ballkanin
Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka nisur vizitën e tij zyrtare në Bruksel me një takim me ambasadoren e Republikës së Qipros, Kristina Rafti. Siç ka bërë të ditur përmes një njoftimi në Facebook, Sali e ka uruar ambasadoren për marrjen e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian nga ana e Qipros, duke i dëshiruar sukses në drejtimin e agjendës evropiane.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit kanë diskutuar për procesin e eurointegrimit të vendit, agjendën reformuese dhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Po ashtu, në fokus kanë qenë edhe hapat e mëtejmë drejt avancimit të negociatave me Bashkimin Evropian. Sali ka theksuar se bashkëpunimi dhe mbështetja e partnerëve evropianë mbeten thelbësore në rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.
















