Nga data 1 janar 2026 ka hyrë në fuqi vendimi i Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE) që parasheh shtrenjtimin e energjisë elektrike për amvisëritë në Maqedoninë e Veriut.
KRRE ka bërë të ditur më herët se rritja e çmimit do të zbatohet në të tre blloqet e konsumit të energjisë elektrike. Sipas vendimit, çmimi në bllokun e parë do të rritet me 2.45 për qind, në bllokun e dytë me 2.87 për qind, ndërsa në bllokun e tretë shtrenjtimi do të arrijë në 3.32 për qind. Ndërkohë, tarifa e ulët e energjisë elektrike do të pësojë rritje prej 2.50 për qind.
Kryetari i KRRE-së, Marko Bislimoski, theksoi se pjesa më e madhe e amvisërive kanë konsum që përfshihet vetëm në bllokun e parë.
Sipas të dhënave të paraqitura prej tij, 63.86 për qind e amvisërive, apo rreth 517.400 familje, shpenzojnë energji vetëm në bllokun e parë dhe përfitojnë nga tarifa e lirë. Ndërkohë, 20.97 për qind, përkatësisht 169.900 amvisëri, kanë konsum në bllokun e parë dhe të dytë, ndërsa vetëm 1.73 për qind e familjeve shfrytëzojnë energji në të tre blloqet.













