Izet Mexhiti takim me babain e dëshmorit Mujdin Aliu: “Sakrifica e tij është themeli i të ardhmes sonë”
Në një takim emocional dhe simbolik, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti e mirëpriti babain e dëshmorit të Koshares, Mujdin Aliu – Qerim Aliu. Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe reflektuese, ku Mexhiti theksoi se qetësia, urtësia dhe besa e babë Qerimit janë një kujtesë e fuqishme për peshën e sakrificës që kanë bërë familjet e dëshmorëve për lirinë e vendit.
Mexhiti u shpreh se fjalët e babait të Mujdinit i japin forcë dhe motivim për më shumë përkushtim në detyrën e tij të re, duke shtuar se familja Aliu mbetet një shembull i qëndrueshmërisë dhe krenarisë kombëtare.
“Babai i Mujdin Aliut mban me dinjitet kujtimin e djalit që u ngrit në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u bë pjesë e pavdekësisë së Koshares,” deklaroi Mexhiti, duke theksuar se sakrifica e Mujdinit nuk është thjesht histori, por një themel mbi të cilin ndërtohet e ardhmja.
Në takim, Mexhiti shprehu falënderime për vizitën dhe urimet e babë Qerimit, por mbi të gjitha për kontributin dhe sakrificën që familja Aliu i ka dhënë kombit.
“Vepra e Mujdin Aliut do të mbetet gjithmonë një dritë që na udhëheq,” tha ai, duke rikujtuar se rruga drejt zhvillimit e progresit mbështetet në amanetin e heronjve të vendit.
(Struga Ekspres)













