/div>
Loris
Dhoma-Energy Reklamo ketu!
Nesër është Nata e Madhe e BERATIT! ZOTI qoftë me ju!
Slider, Uncategorized

Nesër është Nata e Madhe e BERATIT! ZOTI qoftë me ju!

Hfz. Mehas Alija

“Disa njerëz thonë: Zoti ynë na jep të mira në këtë botë! Por për këta s’ka asnjë të mirë në ahiret. E, disa nga njerëzit thonë: Zoti ynë, na jep të mira në këtë jetë dhe në jetën tjetër! Dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit! Për veprat që këta kanë punuar ka shpërblim. Se, All-llahu, i bënë llogaritë shpejt.” (El-Bekare, 200-202).
“O Allah! Na beko me muajin Rexheb dhe me muajin Sha’ban dhe na mundëso ta arrijm muajin e Ramazanit.” (Lutje profetike).

Nata e bekuar e Lejltu-l-berat, sipas takvimeve të Bashkësive Islame për vitin 2020, përkon të martën në mbrëmje, më 07 prill. Nata e Beratit, por edhe vetë muaji Sha’ban, përjetohet si një njoftim dhe përgëzim hyjnor për afrimin dhe ardhjen e muajit të bekuar të Ramazanit.

Po ashtu, thuhet se në këtë natë melaiqet e Zotit shënojnë fatin e njerëzimit dhe përcaktimet hyjnore për secilin njeri vetmas, për krejt atë që do të ndodh gjatë vitit. Ndërkohë, në traditën tonë islame kjo natë njihet edhe si nata e faljes, fatit dhe dëshirave.

Nëpër hadithet e Muhamemdit a.s. nata e Beratit përmendet si nata ku All-llahu xh.sh. vendos për fatin e njerëzve, jetët dhe furzimin (nafakën) e tyre, ndërsa në disa hadithe thuhet se në këtë natë All-llahu xh.sh. i falë makatet e njerëzve dhe atë një numër të madh të tyre.

Kjo natë e bekuar ka disa emra: si “Nisfush-Sha’ban”, nata e gjysmës së muajit Sha’ban, nata e faljes, e çlirimit, nata e ngritjes dhe paraqitjes së veprave, nata e përcaktimeve dhe vendimeve, nata e pastrimit, etj.

Tradita jonë muslimane dëshmon se deri më tani, kjo natë është kaluar me ibadete të ndryshme, duke lexuar Kur’an, duke falë namaz nafile, shoqëruar me dhikre dhe përmendje të Zotit, si dhe duke i drejtuar Atij lutje dhe përgjërime.

Vlera e natës së Beratit

Për vlerën dhe bekimet që mbulon kjo natë janë regjistruar transmetime të shumta nga Pejgamberi a.s. Ne do t’ju referohemi disa prej hadithive të Muhammedit a.s.: “Kalojeni natën e gjysmës së muajit Sha’ban me namaz, kurse ditën, me agjërim! Atë natë, pas perëndimit të diellit, All-llahu i Lartë zbret në qiellin e tokës dhe na bën zë kështu: A s’ka ndonjë që kërkon falje, ta fal; a s’ka ndonjë që kërkon pjesë, t’i jap; a s’ka ndonjë që kërkon shërim, ta shëroj?, dhe vazhdon kështu deri në mëngjes.” (Ibn Maxhe, Ikame fi’s-salat, 191).

Gjithashtu, në një hadith tjetër paraqitet kjo natë si një natë e faljes dhe mëshirimit.

“Kjo natë është nata e 15-të e muajit Sha’ban. Në këtë natë All-llahu i shpëton njerëzit nga Xhehennemi sa numri i qimeve të deleve të fisit Beni Kelb, por nuk i shikon fytyrat e atyre të cilët i bëjnë shirk Atij, të atyre që bëjnë urrejtje dhe armiqësi ndaj muslimanëve, të atyre që i shkëpusin lidhjet me të afërmit, të atyre që mburren dhe janë mendjemëdhenj, të atyre që nuk i respektojnë prindërit, dhe, të atyre që vazhdimisht pijnë alkool.” (Buhariu, Tirmidhiu).

“All-llahu xh.sh. u drejtohet krijesave të Tij natën e mesit të Sha’banit dhe i fal të gjitha ato, përveç dy personave: debatuesit dhe vrasësit.” (Ibn Hibbani).

“Në këtë muaj punët dhe veprat tona ngrihen te Zoti i botëve. Unë dua që punët e mia të paraqiten te Zoti duke qenë me agjërim në gojë.” (Nesaiu).

Dijetari i shquar dhe mufessiri i famshëm, Raziu, shënon një tjetër transmetim, në të cilin thuhet: Pejgamberi a.s. në natën e 13-të të muajit Sha’ban kërkoi shefat dhe iu dha një e treta; në natën e 14-të kërkoi përsëri shefaat dhe iu dha një e treta; në natën e 15-të (Nata e Beratit) kërkoi përsëri dhe iu dha i plotë shefaati për umetin e tij. Ata që janë të privuar nga ky ndërmjetësim, janë ata të cilët ikin nga Allahu siç ikën deveja duke u trembur.” (Tefsir er-Razi)

Krahas shumë vlerësimeve pozitive që kanë dhënë mendimtarë dhe dijetarë të shquar për vlerën dhe autenticitetin e natës së Beratit, duke filluar nga gjenerata e sahabëve e këndej, dëshiroj që ta ndajë me ju qëndrimin e dijetarit të njohur, Ibn Tejmijje, i cili herë-herë, ka pikëpamje refuzuese sa i përket manifestimeve që organizohen me rastin e netëve dhe ditëve të çmuara në traditën islame. Ai për vlerën e Natës së Beratit, ka thënë: “Nata e Beratit është e veçantë dhe ka vlera shpirtërore. Këtë na e dëshmojnë hadithet që janë transmetuar në lidhje me të. Ka prej selefëve që faleshin enkas këtë natë. Ky është një fakt që nuk duhet mohuar.” (Mexhmu el-Fetava).

Si përfundim të kësaj paraqitjeje të shkurtër mbi vlerën e kësaj nate, do të thoshim, në bazë të hidithit të sipërcituar, edhe këtë se All-llahu i Lartësuar zbret në qiellin më të afërt e posaçërisht mëshirën dhe faljen e orienton kah ata të cilët pendohen dhe kërkojnë falje. Për dallim nga netët e tjera, kur All-llahu, xh.sh., zbret në qiellin më të afërt, në pjesën e fundit të natës, në natën e pesëmbëdhjetë të muajit Sha’ban, i Lartësuari zbret në qiellin më të afërt menjëherë pasi të perëndon dielli.

Të pafatët në natën e Beratit

Duke shikuar hadithet që flasin për vlerën dhe rëndësinë e natës së Beratit, shohim se janë disa grupe apo kategori njerëzish, të cilën nuk janë me fat që të përfitojnë nga mirësitë dhe bekimet e kësaj nate të dalluar. Këta njerëz përjashtohen nga falja dhe mëshira e All-llahut xh.sh. Ata janë: Idhujtarët, alkoolikët, ata që janë të hidhëruar dhe janë të padëgjueshëm ndaj prindërve, zinaqarët (prostitutët), vrasësit, ata që këpusin lidhjet farefisnore, nxitësit në armiqësi ndaj të tjerëve, si dhe mendjemëdhenjtë (kryelartët).

Çfarë duhet të bëjmë dhe çfarë na mëson Nata e Beratit?

Pasi që kjo natë është një natë ku Krijuesi ynë na shikon, na pret që t’i falemi, dhe kërkon që ta lusim, atëherë është më se e udhës që të tregojmë kujdesi të veçantë dhe të shpresojmë për falje, pastrim dhe hidajet. Të shfaqim ndjenjat tona të devotshmërisë dhe të vetëllogaritjes, e të analizojmë gjendjen dhe pozitën tonë shpirtërore, morale, fetare, psiko-sociale, familjare, shoqërore dhe atë botërore. Ta fajsojmë vetveten aty ku kemi gabuar dhe të qëndrojmë edhe më fortë te boshti i veprave të mira, nëse ato gjenden rreth nesh. Nëse në këtë natë kërkojmë faljen e Zotit, atëherë le të bëhemi nga ata që do t’i falim robërit e Tij, vëllezërit dhe motrat tona.

Konformë hadithit të Muhammedit a.s. i cili thotë se “kur të hyjë nata e 15-të e muajit Sha’ban, atë natë kalone në ibadet, kurse ditën e nesërme agjëroni” (Ibn Hibbani), në natën e Beratit të falim namaz nafile, të lexojmë Kur’an, të këndojmë salavate, të bëjmë istigfar, t’i kujtojmë të vdekurit tanë, si dhe t’i lutemi All-llahut për të mirën e kësaj bote dhe të botës tjetër, kurse ditën e nesërme ta agjërojmë dhe ta plotësojme me ibadete të vyeshme të ditës, me farze dhe vepra vullnetare.

Në fund të kësaj teme, si përgjigje ndaj pyetjes se çfarë na mëson Nata e Beratit, dua të përcjell edhe këtë mesazh: Është koha më e volitshme për të menduar për veten dhe për tërë atë që na rrethon. Në natën e bekuar ta rrisim shpresën tonë dhe ta lusim All-llahun fuqiplotë për përmirësimin e situatës dhe gjendjes sonë, sidomos në këtë kohë të pandemisë dhe të bllokadës së madhe që ka përfshirë botën, vendet e shenjta dhe gjithë shoqëritë.

Pasi që Nata e Beratit është edhe nata e përcaktimeve, atëherë kjo natë na mëson se lindja dhe vdekja janë në dorë të Zotit dhe se nuk janë në lirinë e zgjedhjes së njeriut. Ajo që i takon njeriut është që të zgjedh formën dhe mënyrën se si të jetojë midis lindjes dhe vdekjes. Po ashtu, nuk është e jona që të vendosim edhe për vendin e lindjes dhe të vdekjes, sepse kjo është në dorë të Zotit. Andaj, nuk ka nevojë për panik, frikë dhe histeri.

Brenga, mërzia dhe shqetësimi duhen të jenë shumë të vogla nga tash e tutje, sepse netët janë të mëdha, dora e shtrirë hyjnore është me ne, e mbi të gjitha, e kemi Zotin më të Lartin, Mbikëqyrësin dhe Ndihmëtarin.

Thënia e urtë na inkurajon: “Nëse të ndodh të kesh ndonjë brengë dhe mërzi të madhe, mos thuaj: “O Zot, kam një mërzi të madhe!”, por thuaj: “O mërzia ime, unë kam një Zot të madh!”

Falënderimi i takon vetëm All-llahut, Zotit të të gjithë botëve!

06.04.2020, e martë
St.Gallen, Zvicër

April 6, 2020

error: Content is protected !!
Struga Ekspres