Maqedonia e kalbur nga korrupsioni
Opinion, Slider

Maqedonia e kalbur nga korrupsioni

Që pushteti i drejtësisë është nga më të korruptuarit dhe thuajse krejtësisht i paangazhuar në luftën kundër korrupsionit, këtë e di i madh e i vogël në Maqedoni. Fakt i pakundërshtueshëm është vetë shteti i Maqedonis, i kalbur nga korrupsioni. Ndërkombëtarët e dinë këtë dhe e kuptojnë se të tolerosh më tej korrupsionin, si është bërë në këto vitet e fundit, do të thotë të varrosësh shtetin. Prandaj po kërkojnë fakte konkrete për luftën kundër korrupsionit të madh, që do të thotë ndëshkim qeveritarësh të lartë, deputetësh, ministrash, kryeministrash, presidentësh që kanë qenë ose janë në pushtet dhe që deri më sot, kanë qenë të paprekur nga ligji edhe pse kanë vënë pasuri që janë të dyshimta, sepse matet me sy të lirë, që nuk mund të akumulohen me rrogat që marrin në shtet. Por në objektivin e antikorrupsionit nuk mund të mos përfshihen edhe gjyqtarë të pasuruar po padrejtësisht me anë ryshfetesh dhe abuzimesh.
Tashmë, në gjithë botën demokratike, është stabilizuar një normë morale, që të dyshuarit apo të akuzuarit për korrupsion japin dorëheqjen. Më pas është gjykata ajo që vendos për fajësinë ose pafajësinë. Por asnjë person nën hetim nuk mund të jetë për as edhe një çast në krye të punëve publike. Sepse aty ku dyshohet për shkelje ligji duhet në radhë të parë t’i hapet rruga hetimit dhe gjykimit.
Është një neglizhim që jo pak herë e kemi parë të konkretizohet si një proceduralizëm antidemokratik, nëpërmjet të cilit është bërë e mundur që e paligjshmja të shpallet e ligjshme, që i korruptuari t’i shpëtojë ndëshkimit me lloj-lloj procedurash.
Të gjitha këto gjyqe në Maqedoni janë skandale më vete të drejtësisë së kalbur, janë skandale mbi skandale, janë pikërisht fakte të kompromisit të kalbur të drejtësisë me pushtetin politik. E korruptimit reciprok të gjykatësve dhe politikanëve në një gërshetim dhe unitet që të ngjason me ADN-në e korrupsionit.
Drejtësia nuk mund të shkonë përpara dhe korrupsioni nuk mund të luftohet nëse pushteti i drejtësisë nuk çlirohet nga njerzit e korruptuar. Në cilin dokument edhe të ndërkombëtareve do të gjeni ndonjë pohim se drejtësia dhe gjykatat në Maqedoni qenkan të pavarura? Dhe nëse vërtet do të kishte gjykata e drejtësi të pavarur, atëherë si shpjegohet mali i korrupsionit të pandëshkuar në këto vitet e fundit?
Ndaj problemi sot nuk është si të mbrohet drejtësia e pavarur nga qeveria LSDM-BDI, por si të çlirohet drejtësia, prokuroria dhe gjykata nga metastazat e qeverisje së dikurshme VMRO-BDI.
Drejtësia në Maqedoni duhet të bëhet “shpat” mbi kokën e të gjithë qeveritarëve të korruptuar, dje, sot dhe nesër. Kjo është sfida europiane që kemi përpara.
Selim Iljazi

March 23, 2018
Struga Ekspres