Zv/ministri Hoxha merr pjesë në takimin e 19-të të Ministrave të Bujqësisë të Evropës Juglindore në Prishtinë*
Zëvendësministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha, ka marrë pjesë në takimin e 19-të të Ministrave të Bujqësisë të Evropës Juglindore, i cili u mbajt në Prishtinë.
Gjatë ceremonisë zyrtare, presidenca e Grupit të Punës së Evropës Juglindore për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural (SWG) iu dorëzua Kosovës nga Maqedonia e Veriut.
Zëvendësministri i Bujqësisë i Maqedonisë së Veriut, Albrim Hoxha u shpreh i bindur Grupi i Përhershëm i Punës do të vazhdojë të forcojë bashkëpunimin duke afruar më shumë vendet tona drejt Bashkimit Evropian.
“Më lejoni të përgëzoj përzemërsisht ministrin Faton Peci, mikun tim zëvendësministrin, Imri Demelezi dhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës për marrjen e Presidencës së SWG-së. Jemi të bindur se nën udhëheqjen e tyre, Grupi i Përhershëm i Punës do të vazhdojë të forcojë bashkëpunimin rajonal, të nxisë dialogun dhe të afrojë më shumë vendet tona drejt Bashkimit Evropian.”
Ministri i Bujqësisë së Kosovës, Faton Peci, në fjalën e tij tha se Kosova ka arritur rezultate të rëndësishme në përkrahjen e fermerëve dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian. Ai bëri të ditur se përmes granteve dhe subvencioneve, fermerët kosovarë janë mbështetur me mbi 300 milionë euro gjatë periudhës 2021–2024.
“Kosova ka bërë përparime në disa aspekte karshi kërkesave të BE-së në sektorin e bujqësisë, sigurisë së ushqimit dhe veterinarisë,” theksoi Peci.
Takimi mblodhi përfaqësues të lartë të vendeve të rajonit, duke u fokusuar në bashkëpunimin rajonal dhe forcimin e sektorit të bujqësisë si një nga prioritetet për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.