Zëvendësdrejtori i Agjencisë për Emigracion, Izmit Nura në takim me koordinatorin e shkollave shqipe, Dr. Vazhid Sejdiu në Zvicër
Zëvendësdrejtori i Agjencisë për Emigracion i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Izmit Nura me ftesë të koordinatorit të shkollës shqipe në Zvicër, Dr. Vazhid Sejdiu ka realizuar takim pune në hapësirat e Shoqatës “Bashkimi” në Uster të Zvicrës. Gjatë këtij takimi, zëvendësdrejtori Nura i informoi për projektet e realizuar nga Agjencia për Emigracion si dhe projojektet që janë paraparë në vitin e ardhshëm, të cilët kanë të bëjnë për të mirën e mërgimtarëve shqiptarë në mërgatë, me theks të veçantë për ruajten e gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare.
Koordinatori i shkollës shqipe, z. Vazhid Sejdiu e informoi Zëvendësdrejtorin z.Nura për hapjen e pikave të reja shkollore, shtrirjen e këtyre klasave me mësim plotësues në gjuhën shqipe në kantone të ndryshme ku jetojnë mërgimtarët tanë në Zvicër për të marrë pjesë në këto orë mësimore shqipe. Në këtë takim u bisedua edhe për tekstet shkollore si dhe përpjekjet e fundit të dy ministrive nga Shqipëria dhe Kosova për një koordinim sa më efikas në shërbim të këtij mësimi. Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se edhe institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut duhet t`iu bashkohen për të bashkëpunuar me institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës me qëllim që në të ardhmen të ndodhë një koordinim sa më i mirë dhe i përbashkët në shërbim të fëmijëve shqiptarë në Zvicër dhe më gjerë. Sa i përket teksteve shkollore fakt është se tekstet e nivelit të parë kanë parë edhe dritën e botimit, kurse pritet ato të nivelit te dytë dhe të tretë të bëhen realitet në të ardhmen.
Në fund të takimit, z. Nura i dhuroi “Shkollës Shqipe” në Zvicër tekste shkollore të botuara nga Agjencia, librin e gramatikës dhe abetares që u dedikohet për fëmijët e mërgimtarëve që mësojnë gjuhën shqipe në mërgatë.
Zëvendësdrejtori Nura gjithashtu theksoji se : ” Shqiptarët në Zvicër jo vetëm që janë potencial kombëtar e ekonomik, por janë shëndrru në një vlerë intelektuale ku çdo dit e më shumë numri i studentëve dhe të punësuarve shqiptarë në institucionet e shtetit Zviceran është në rritje”.