Ekspertë të sigurisë e kanë paralajmëruar kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev se atij i kërcënohet rrezik nga ndonjë atentat. Me këtë deklaratë dhënë në një intervistë për radion “Antena M” të Malit të Zi, Zaev e tronditi publikun, por pa mos zbardhur më shumë detaje. Ai vetëm theksoi se duke e pranuar funksionin e kryeministrit, në të njëjtën kohë ka pranuar të sjellë vendime shtetërore për të mirën e qytetarëve.
“Disa analistë të sigurisë rreth meje, më thonë se tani radhën e kam unë. Nëse duhet të ndodhë diçka, le të ndodhë. Unë kam pranuar të jem kryeministër i vendit tim dhe vendi im ka nevojë për lider. Jam i gatshëm të sjellë vendime ashtu siç presin qytetarët, e le të dalë ku të dalë”, tha Zoran Zaev, Kryeministër i RM.
Këtë informacion, Zaev e zbardhi 7 muaj pas hyrjes së dhunshme në Kuvend, kur ai dhe dhjetëra deputetë të tjerë u sulmuan fizikisht. Përveç kësaj, kryeministri në këtë intervistë foli edhe për marrëdhëniet me fqinjët, për rezultatet e zgjedhjeve lokale dhe për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në BE. Ai shpreson se Maqedonia do të jetë anëtarja e 30 e NATO-s, por shtoi se pret reagime të ashpra nga Rusia. Në lidhje me bisedimet me Greqinë për gjetjen e një kompromisi për çështjen e emrit, ai pranon se këto bisedime nuk do të jenë të lehta.
“Mendoj se këto negociata, fare nuk do të jenë të lehta. Për ne, kjo çështje është shumë e ndjeshme dhe dhemb. Unë jam apo nuk jam maqedonas? Nëse nuk jam maqedonas, atëherë çfarë jam?”, tha Zaev.
Ftesa automatike për anëtarësim në Aleancë, sapo të gjendet zgjidhje për kontestim e emrit, sipas Zaevit është motiv më shumë për gjetjen e një gjuhe të përbashkët me Greqinë. Ai e përsëriti qëndrimin e kabinetit qeveritar se për një Maqedoni të prosperuar dhe ekonomikisht të zhvilluar, vendi nuk ka alternativë tjetër përpos Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Përgatiti: Antonio Krstevski.
https://youtu.be/irPfRW5rka4