Ligji i përdorimit të gjuhëve vazhdon të mbetet një temë aktuale në Maqedoni, por që nuk dihet se kur dhe në çfarë mënyre do të shpallet në gazetën zyrtare, që të vazhdojë të zbatohet nga institucionet e vendit.
Me këtë ligj, parashikohet që në të gjitha organet e pushtetit shtetëror të Maqedonisë, krahas gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj, gjuhë zyrtare të jetë edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë dhe alfabeti i saj, që në këtë rast është gjuha shqipe.
Ligji në fjalë në muajin maj u votua sërish në Parlament, pasi më herët nuk u dekretua nga presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov, i cili edhe pas votimit përsëri vazhdon të refuzojë dekretimin e tij, me arsyen se është antikushtetues.
Duke folur për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) thotë se sistemi i një demokracie parlamentare parasheh edhe mundësitë alternative për rrugëdalje nga ky bllokim i ligjit.
Siç thekson Xhaferi, Kushtetuta e vendit sanksionon mundësinë që kreu i shtetit për projekt ligje të caktuara që votohen në Parlament të mund të ketë veto pezullimi për çështje të caktuara, por sipas tij, ajo nuk nënkupton që presidenti të ketë veto absolute. Ai rikujton se kushtetuta sqaron se në votimin e sërishëm, pas kthimit të ligjit nga kreu i shtetit, ky i fundit është i obliguar të nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit në fjalë.
Kreu i shtetit dhe kryetari i Parlamentit, së bashku janë dy personat që dekretojnë aktin për shpalljen e ligjeve, por sipas Xhaferit, Parlamenti ka kompetencat ligjvënëse dhe sipas logjikës kushtetuese dhe demokracisë parlamentare, thotë ai, vullnetin e Parlamentit nuk mund ta cenojë asnjë institucion tjetër, pa marrë parasysh kompetencat e mundshme që ka në këtë drejtim.
Ai thekson se ligji mund t’i adresohet gazetës zyrtare edhe pa nënshkrimin e kreut të shtetit, në këtë rast pa nënshkrimin e presidentit Ivanov.
“Për faktin që kreu i shtetit ka vetëm se kompetencë të veto pezullimit për kohë të caktuar nënkupton që kreu i shtetit me vendimet e tij nuk mund të cenojë punën e institucionit Parlament dhe në këtë drejtim mendoj se rrugëdalja është që ligji pa nënshkrimin e kreut të shtetit t’i adresohet gazetës zyrtare, që ajo ta nxjerrë ligjin në jetë dhe pas asaj të mund të vihen në funksion institucionet tjera kushtetuese që kanë kompetenca kundrejt dilemave që ka kreu i shtetit për ligjin”, deklaron Xhaferi për AA.
“Vizitat e ndërsjella Maqedoni-Turqi kontribuojnë në ruajtjen dhe përforcimin e bashkëpunimit bilateral”
Kryeparlamentari Xhaferi tre ditët e ardhshme, duke filluar nga nesër deri të premten, do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Turqi, për herë të parë pasi mori postin kryetar i Parlamentit të Maqedonisë, ku do të realizojë takime me krerët e institucioneve shtetërore turke. Xhaferi thotë fokusi në takimet në Turqi do të vendoset në këmbimin e mendimeve për të zhvilluar dhe zgjeruar bashkëpunimin midis dy vendeve dhe institucioneve përkatëse.
“Jo vetëm vizita ime, mendoj që vizitat e ndërsjellta institucionale mes Maqedonisë dhe Turqisë janë në kontinuinitet të pandërprera dhe mendoj se kjo është vazhda e atij bashkëpunimi të vendosur midis dy vendeve mike dhe mendoj që kontributi është në drejtim të asaj që të mbahet dhe të përforcohet bashkëpunimi bilateral mes dy vendeve”, shprehet Xhaferi.
“Pala maqedonase ka mbështetjen e Parlamentit që bisedimet ne Greqinë t’i kurorëzojë me një marrëveshje të mundshme”
Në lidhje me mosmarrëveshjen për emrin midis Maqedonisë dhe Greqisë, Xhaferi thotë se nga ky aspekt i distancës kohore për arritje të një zgjidhjeje të mundshme nuk mund të vlerësoj se cila formë e zgjidhjes është më e përshtatshme, ajo e ratifikimit të një marrëveshjeje në Parlament apo të shkohet në referendum popullor.
“Është çështje që do të duhet të pritet në çfarë forme do të merr zgjidhja e mundshme, do të jetë në formën e marrëveshjes ndërkombëtare apo do të jetë një vendim politik”, shprehet Xhaferi, i cili bisedimet e intensifikuara mes dy vendeve i vlerëson si shumë pozitive.
Ai thekson se bisedimet janë duke ecur në rrugë të mirë për gjetje të zgjidhjes së mundshme dypalëshe dhe vlerëson se bisedimet e shpeshta japin mundësinë për të tejkaluar çështje të caktuara.
“Për këtë arsye, mendoj se së paku pala qeveritare e jona ka mbështetjen e Parlamentit që të mund ato bisedime t’i intensifikojë dhe t’i kurorëzojë me një marrëveshje të mundshme dhe të pranueshme për të gjithë”, shton Xhaferi.
Kryeparlamentari i Maqedonisë foli edhe për iniciativën e një takimi tre-palësh midis Parlamenteve të Maqedonisë, Greqisë dhe Shqipërisë, nismë për të cilin bëri të ditur se i është përcjellë palës greke dhe ku do të diskutohen tema të cilat nuk janë të ngarkuara me aspekte politike. Sipas Xhaferit, ky takim do t’i kontribuonte gjithë spektrit tjetër politik e ekzekutiv që ka të bëjë me nismën dhe bisedimet e intensifikuara rreth gjetjes së mundshme të zgjidhjes së çështjes së emrit, transmeton Index.mk.
“Për faktin se tema të përbashkëta, në veçanti rreth mbrojtjes së ambientit dhe zhvillimeve ndërkufitare të tre vendeve, mendoja se është ideja e theksuar dhe e qëlluar që takimi të jetë edhe më lehtësues tre-palësh, midis tre parlamenteve, Maqedoni, Greqi dhe Shqipëri, diku në zonën ndërkufitare ose në vend ku do të ishte i caktuar edhe prej vet kreut të Parlamentit grek, në rajon të Prespës, ku do të mund të hapim tema të cilat nuk janë të ngarkuara me aspekte politike”, shpjegon Xhaferi, duke theksuar se gati tre-dekada nga pavarësia e Maqedonisë komunikimi ndërparlamentar midis dy vendeve fqinje ka munguar në çdo nivel.