Virusi Korona, Ademi: Varësisht gjendjes, do të sjellim vendime për
arsimin
Gjendja me virusin Korona edhe në Maqedoni tregon se bëhet fjalë për
situatë senzitive, megjithatë larg asaj që të krijojmë panik dhe frikë
tek qytetarët. Si ministri e Arsimit dhe Shkencës nga afër po e ndjekim
situatën dhe në mënyrë institucionale në bashkëpunim me institucionet
tjera, edhe po veprojmë. Kështu në emisionin “Rruga Drejt” në Alsat-M ka
thënë ministri Arsimit, Arbër Ademi, ndërsa ka komentuar situatën me
qytetaren e Shkupit të infektuar tashmë me virusin Korona e që është
izoluar në Klinikën infektive në Shkup.
“Gjatë ditës së djeshme deri vonë kemi punuar dhe dërguam shkresë për
hapat që duhet ti ndërmarrin të gjitha shkollat dhe institucionet tjera
arsimore dhe të na kthejnë informata nëse ka ndonjë nxënës apo studentë
që ka vizituar, apo edhe ndonjë i afërm i tyre, vendet që janë të prekur
me virusin Korona. Kemi kërkuar të ngrenë edhe nivelin e higjienës në të
gjitha shkollat. Me bllok-dotacionet që çdo vit i ndan MASH-i, shkollat
kanë të holla të mjaftueshme të mirëmbajnë higjienën. Është detyrë e
shkollave, por edhe e pushtetit lokal të mbajnë nivelin e pastërtisë dhe
ti përmbahen rekomandimeve”, ka thënë Ademi, ndërsa ka siguruar se
MASH-i është në kontakt të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe MPB
në përcjelljen e gjendjes me virusin Korona.
Në pyetjen nëse është i mundshëm anulimi i mësimit për shkak të virusit,
Ademi tha se varësisht nga rrethanat, do të merren edhe vendimet
konkrete.