Dega e Aleancës për Shqiptarët (ASH) – në Komunën e Studeniçanit në rrethinë e dytë të zgjedhjeve lokale mbështet me strukturat e saj kryetarin aktual edhe për një mandat, Azem Sadiki.
Këtë e ka bërë të ditur kreu i degës së ASH-së në Karshiakë, Avdil Imeri. “Vendim shumë i lehtë për strukturat e Aleancës për Shqiptaret se kënd duhet te përkrahim më 31 tetor ne Karshiakë. Punët e mira i prekim dhe i shohim çdo ditë andaj apelojmë te çdo anëtar dhe simpatizues i ASH-së si dhe te çdo banor i komunës tonë që fuqishëm te mbështesim kryetarin aktual z. Azem Sadiki që të vazhdojnë punët e mira për banorët e Karshiakës. -Te votojmë drejt dhe pastër, #Voto11”, ka bërë të ditur Imeri.
Në anën tjetër, pak orë më parë sekretari gjeneral i Aleancës për shqiptarët (ASH), Arben Taravari i ftuar në Tv Klan-M duke folur për mbështetjen e partisë së tij për kandidatët nëpër komunat ku nuk garon ASH-ja në rrethinë e dytë, ka theksuar se anëtarësi e ASH-së në Studeniçan është për mbështetje të kryetarit aktual të komunës Azem Sadiki.
“Në Studeniçan në parim, edhe pse nuk e kemi biseduar, logjika ime është që duhet të përkrahet ai kandidat që nuk është i BDI-së. S’kemi qëndrim partie po në parim e shoh se anëtarësia më së shumti duan ta votojnë atë që nuk është BDI. Por përsëri ato le të vendosin vet”, ka theksuar Taravari.