Të shtunën në Strugë, shënohen “Ditët e Nënë Terezës 2025”
Në Teatrin Poshka , ditën e shtunë në ora 12 e 30, (dt 30 gusht ’25), QTSHK në bashkëpunim me revistin “DRITA”, promovon tri vepra të reja kushtuar jetës dhe veprës të nobelistes shqiptare Nënë Terezës. Kjo ngjarje kulturore, ku do të marrin pjesë figura të shquara si Don Lush Gjergji, Prof. dr. Skender Asani, profesor Emin Azemi dhe Don Fatmir Koliqi, nuk është vetëm një kujtesë mbi të kaluarën, por edhe një amanet shpirtëror që thërret brezat e sotëm të ecin në gjurmët e dashurisë, humanizmit dhe sakrificës që Struga dhe Shoqata “Nëna Terezë” i dhanë Kosovës dhe mbarë shqiptarëve. Në këtë ngjarje kushtuar ditëve të Nënës Terezë, qyteti i Strugës po nderohet me mirënjohje të veçantë për kontributin e tij të madh dhënë nëpërmjet Shoqatës “Nëna Tereza”. E cila në vitet e rënda të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar u bë strehë shprese dhe solidariteti për popullatën e dëbuar, për arsimin paralel në Kosovë dhe për gjithë popullin që po përballonte një kohë të errët. Struga, me këtë veprim, dëshmoi se dhimbja e një kombi është e pandarë dhe se forca e humanizmit është më e madhe se çdo pengesë historike. Për të ndjekur nga afër këtë manifestim hyrja është e lirë, ndërsa me pjesëmarrjen e tyre do ta nderojnë personalitete të çmuara nga jeta publike.