Fajtor për shpërnguljen e të rinjëve janë politikanët të cilët është dashur tu ofrojnë mundësinë e parë për të prosperuar në vend dhe nuk e kanë arritur këtë. Nëse nuk do të isha president edhe unë do të kisha braktisur vendin tim. Kështu është shprehur presidenti Stevo Pendarovski, gjatë diskutimit të tij në Forumin e liderëve të rinj që u mbajt në Novi Sad. Ai tha se urgjentisht duhet të ndryshojë mentaliteti politik I pritjes se çfarë do të bëjnë të tjerët për ne dhe çfarë do të thotë Brukseli. Integrimet euroatlantike janë alternative e vetme, por derisa fati i këtij procesi është ende i paqartë, Pendarovski thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet vetë të punojnë për të ardhme më të mirë dhe vetë të bashkohen dhe bashkëpunojnë në përmbushjen e qëllimeve që i kërkon edhe Bashkimi Evropian. “Deri më tani ata nuk e kanë pasur mundësinë e parë që të arrijnë sukses këtu dhe ne nuk mund ti fajsojmë ata. Ata kanë vetëm një jetë, të gjithë ne kemi vetëm një jetë. Askush nuk është naiv që ta kalojë jetën derisa bisedimet me BE-në zgjasin me vite, ndërkohë që paga mesatare në vendin tim, a besoj edhe në vendet tuaja është përafërsisht, 400 euro. Sikur të mos isha president edhe unë do të shpërngulesha nga vendi im”, deklaroi Pendarovski./TV21