Javën tjetër do të dihet se a janë apo nuk janë 80 vota deputetësh për të përkrahur ndryshimet kushtetuese si pjesë e Marrëveshjes së Prespës për emrin. Shumica absolute me 80 vota duhet të votojë për hapjen e kushtetutës për të kryer ndryshimet kushtetuese.
Të hënën në ora 11 fillon seanca plenare ku deputetët do të deklarohen lidhur me ndryshimet kushtetuese të propozuara nga Qeveria për ndryshimin e emrit.
Nevoja për t’iu qasur ndryshimeve kushtetuese duhet të votohet nga 80 deputetë apo 2/3 e numrit të përgjithshëm të deputetëve. Kjo do të jetë sprova më e madhe, dhe se në rast se nuk do të votohet atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Maxhoranca aktuale e përbërë nga LSDM, BDI, një krah i BESËS dhe PDSH, së bashku me Aleancën për Shqiptarët dhe BESËN e Kasamit kanë 71 deputetë. Për të arritur numrin prej 80 deputetëve do të duhen edhe 9 deputetë të VMRO-DPMNE-së.
Por nga partia më e madhe opozitare tashmë kanë bërë të ditur se gati asnjë deputet i tyre nuk do të votojë ndryshimet, për shkak të rrezikut se nuk do të përfshihen më në listat për deputetë në zgjedhjet e ardhshme. Siç mëson INA, ky pazar dhe marrëveshje është arritur mes kreut të VMRO-DPMNE-së dhe deputetëve të përbërjes aktuale të kësaj partie, të cilët janë dakorduar që të mos përkrahen ndryshimet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Sipas paralajmërimeve vendi mund të shkojë në zgjedhje shumë shpejt.(INA)