SHKRIM PËRMBLEDHËS KUSHTUAR 29-VJETORIT TË THEMELIMIT TË GJIMNAZIT “HAJDAR DUSHI”- LADORISHT
RRUGËTIMI I ARSIMIT SHQIP
Strugë, 2 tetor 1991 – 2 tetor 2020
Nga Pavarësia dhe valët e rrëmbyeshme të ndryshimeve në Maqedoni, arsimi në gjuhën shqipe si në të gjithë vendin ashtu edhe në qytetin tonë ka kaluar një rrugëtim goxha të vështirë.
Një komuniteti shumicë në Komunën e Strugës i mbyllen dyert e shkollave. Nga fundi i vitit 1991 shqiptarët e Strugës filluan të vetorganizohen.
Më 2 Tetor 1991, bashkësitë lokale të fshatit Ladorisht dhe fshatrave përreth formalisht themeluan shkollën e mesme “Hajdar Dushi” dhe kjo ditë merret si ditë e themelimit dhe fillimit me punë të shkollës. Ishte një iniciativë e guximshme e një grupi njerëzish, intelektualësh dhe aktivistësh, që me vetëmohim e pa kursyer asgjë u vunë në shërbim të çështjes së shenjtë të arsimit. Popullata si asnjëherë më parë, diti ta vlerësojë duke dhënë mbështetjen e plotë.
Nga strukturat arsimore të Republikës së Kosovës, u mor përkrahja dhe përfundimisht Gjimnazi “Hajdar Dushi” në Ladorisht do të bëhej njësi e ndarë e gjimnazit me të njëjtin emër në qytetin e Gjakovës.
Qëndresa e tillë nxiti vrullin për të mësuar, rezistuar dhe për të kërkuar të drejtat që na takonin, jo vetëm në fushën e arsimit.
Nga tetori i vitit 1991 e deri në fund të vitit shkollor 1995/96 në hapësirat e shkollës fillore “Ashim Agushi” – Ladorisht, de facto edhe hapësira të gjimnazit “Hajdar Dushi”, u përgatitën qindra nxënës dhe u vunë themelet e një edukimi kombëtar.
Një shkollim i tillë nuk u pëlqeu pushtetarëve të atëhershëm. Më 15 qershor të vitit 1992 forca të shumta policore rrethuan fshatin se gjoja në të u formuaka ushtria e Iliridës. U goditën kryesisht shtëpitë e veprimtarëve të fshatit. U bastisën dhe demoluan shtëpitë, u burgosën disa aktivistë dhe profesorë të gjimnazit “Hajdar Dushi”.
Të gjithë profesorët e angazhuar në atë tempull të diturisë e dinin se nuk ishte rrugë e lehtë ajo që kishin zgjedhur. Por pas kësaj goditje, morali jo vetëm që nuk u zbeh por qëndresa ishte akoma më e fortë, numri i nxënësve të regjistruar u rrit, popullata u mobilizua më shumë, ndërkaq mërgimtarët e fshatit dhe fshatrave përreth filluan të tubojnë ndihma financiare për ta mbajtur gjallë nismën arsimore kombëtare.
Drejtoria e Gjimnazit “Hajdar Dushi” – Ladorisht dhe Këshilli i shkollës vazhdonin me kërkesat të njëpasnjëshme për hapje të paraleleve në shkollën e mesme “Niko Nestor” në Strugë. Këto injoroheshin vazhdimisht. Kërkesa e fundit ishte legalizimi i Gjimnazit “Hajdar Dushi” si subjekt i pavarur juridik.
Përgjigjja erdhi më 19 prill 1995, sërish forca të mëdha rrethuan fshatin, ndaluan hyrje-daljet e tij, tmerruan fëmijët e shkollës fillore që akoma nuk kishin dalë nga klasat e tyre. U dëbuan fëmijët, u mbyllën dyert e shkollës për nxënësit e “Hajdar Dushit”, u morën ditarët dhe materialet e shkollës, u mboll dhunë dhe frikë në këtë vendbanim arsimdashës.
Gradualisht shkolla e mesme “Niko Nestor” në Strugë detyrohet të hapë dyert për nxënësit shqiptarë. Kjo ishte forma se si të shuhet Gjimnazi “Hajdar Dushi” në Ladorisht. Procesi edukativo arsimor në Ladorisht u pezullua, nuk kishte më kushte për të vazhduar në ato hapësira, por mësimi nuk u ndal derisa mbaruan shkollimin të gjithë nxënësit e regjistruar. Hapësirat shkollore deri në fund të vitit shkollor 1995/1996 u siguruan në Strugë e më vonë në shtëpitë e disa pronarëve bujarë në Veleshtë.
Që të shpalosësh qëndresën, mençurinë, misionin, vizionin, sukseset dhe të arriturat e Gjimnazit “Hajdar Dushi” duhet shumë kohë, por mund të thuhet se ky projekt kombëtar ishte model për Universitetin e Tetovës, i themeluar në vitin 1994 dhe për shkollat e Kërçovës dhe Kumanovës.
Nga viti 1996 dhe deri në vitin 2006, Shkolla e mesme “Niko Nestor” veproi si një shkollë e vetme e arsimit profesional dhe atij të përgjithshëm në Strugë. Rezultatet nuk munguan por ideja e veprimtarëve të Hajdar Dushit nuk ishte zvetënuar.
Në shtator të vitit 2006 me kërkesë të prindërve, mësimdhënësve, qytetarëve shumicë, vendimit të Këshillit të Komunës së Strugës dhe vendimit të Qeverisë së Maqedonisë u themelua subjekti i ri juridik Shkolla e mesme komunale, Gjimnazi “Dr. Ibrahim Temo” – Strugë.
Duke kujtuar se figurën dhe emrin e Hajdar Dushit e mbanin shumë ente, objekte shoqërore, shkolla, shoqata kulturore, sportive si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri u vendos që Struga dalëngadalë të fillojë t’i zbulojë rilindësit dhe firmëtarët struganë të pavarësisë së Shqipërisë, që ishin lënë në harresë të plotë. U vendos që Gjimnazi i Strugës të mbajë emrin e patriotit dhe intelektualit të madh Ibrahim Temo, vëllait të firmëtarit të pavarësisë, Nuri Sojliut; mik i Dervish Himës, vëllezërve Frashëri dhe shumë rilindësve të tjerë.
Ky emër i madh i këtij rilindësi të njihet jo vetëm në trojet shqiptare por edhe më gjerë si Itali, Turqi, Rumani etj. Disa vite më parë në qytetin ku punoi për gati 20 vjet si okulist, në Mexhidie, iu ngrit një bust në qendër të qytetit.
Kur u bë i gjithë ky rrugëtim, kur qëllimi përfundimtar i themeluesve dhe veprimtarëve të shkollës Hajdar Dushi në Ladorisht, u realizua plotësisht, kur Ibrahim Temo trashëgoi punën e Hajdar Dushit dhe filloi të marrë frymë si shkollë e lirë dhe e pavarur, pushtetarët maqedonas ofruan ndarje të shkollave në baza etnike. Kjo ofertë, tanimë, për shqiptarët ishte kërkesë e vjetruar dhe nuk u pranua.
Sot, Komuna po qeveris dy shkolla të mesme publike dhe 11 shkolla fillore.
Urime 29-vjetorin e projektit të rëndësishëm historik, arsimor “Hajdar Dushi” – Ladorisht. Mirënjohje për të gjithë protagonistët e këtij rrugëtimi të vështirë por ngadhënjyes.
Përgatiti: Prof. Xhemi Hajredini