Djaloshi 20-vjeçar kosovar L. N. u godit nga një tren në Cyrih-Oerlikon dhe humbi jetën. Ai u varros në Kosovë, ndërsa së motrës nuk iu lejua të ishte e pranishme.
F.N. flet përmes lotëve për vdekjen e vëllait të saj L. N. dhe babait të saj H. N.. Më 21 shtator, vëllai i saj u godit nga treni në Cyrih-Oerlikon – nëna, motra, vëllai, babai dhe disa azilkërkues është dashur ta përjetojnë tmerrin.
“Ishte e tmerrshme të shihja trupin e vëllait tim”, thotë motra e tij F. N. Imazhet nuk do t`i hiqen asnjëherë nga mendja 23-vjeçares. “Për momentin ndjehem shumë keq. Nuk mund të gjej fjalë për atë që ndodhi”, thotë F. N. Vetëm pesë ditë më vonë, babai i saj dhe veterani i luftës H. N. vdiq nga një sulm në tru. “Ai nuk u e përballoi dot vdekjen e vëllait tim”, thotë F.
Sipas motrës, ishte një aksident që vëllai i saj u fut në binarë dhe u godit nga treni. 20-vjeçari, i cili ishte me autizëm të rëndë dhe vuante nga epilepsia, u fut në vendin ku nuk kishte gardh, shkruan «20 Minuten», përcjell Shtegu.com.
Të mërkurën babë e bir u varrosën në fshatin e tyre të lindjes në Dobidol, në Komunën e Rahovecit. Disa të afërm nuk mund të udhëtonin në Kosovë për varrimin, sepse ata janë azilkërkues në Zvicër – siç është edhe motra F. N. “Ishte tepër e vështirë për mua. Unë kam qenë gjithmonë me babanë dhe vëllain tim, por nuk më është lejuar të udhëtoj me ta për herë të fundit”.
F.N. ishte shumë e afërt me ta. “Asnjëherë nuk i lashë vetëm dhe u kujdesa për ta”, thotë gruaja e re. Babai i saj gjithashtu kishte nevojë për ndihmë sepse ishte shumë i sëmurë. “Kujdesi i tij mjekësor ishte arsyeja pse ai dhe vëllai im erdhën në Zvicër”, thotë F. N. Ajo, nëna e saj, motra e saj më e vogël dhe vëllai tjetër, kanë mundur të vijnë në Zvicër në kuadër të bashkimit familjar. Familja jeton në Zvicër për rreth pesë vite, së fundmi në qendrën e Aazilit në Cyrih-Oerlikon
Dy vite më parë, familja e përjetoi një tragjedi të rëndë: “Motra ime e vogël ia mori jetën vetvetes”, thotë F. N. Kjo e ka shkatërruar tërësisht. “Por me ndihmë psikologjike, arrita ta rimarr vetveten”. Ajo është duke vijuar shkollimin dhe është duke u kujdesdur për të ardhmen e saj. Pastaj vdiq babai dhe vëllai i saj. “Kam humbur tre anëtarë të ngushtë të familjes në një periudhë dyvjeçare. Kjo është gjëja më e keqe që mund të më ndodhte”, thotë F. N.
“Babai im më thoshte se mund të arrij gjithçka”, thotë F. N. “Kjo më nxit të luftoj dhe të vazhdoj jetën. Edhe pse e di që ai, vëllai im dhe motra ime nuk do të jenë më kurrë në këtë jetë”.
23 vjeçarja tani dëshiron të vazhdojë shkollimin e saj si infermiere – gjithashtu në përkujtim të anëtarëve të ndjerë të familjes së saj. Ajo filloi shkollimin në gusht dhe shpreson të fillojë praktikën pas një viti. “Është vepër e mirë nëse mund t’i ndihmoj njerëzit e tjerë”, thotë F. N.
Në këtë kohë të vështirë, F. N. do ta mbështesë ish mësuesja e saj e gjuhës gjermane. Ajo ka lansuar një fushatë solidariteti në Facebook, ndërsa dhjetëra persona kanë ofruar ndihmën e tyre. Disa thonë se do të dërgojnë ndonjë kartelë, të tjerët ofrojnë kohën e tyre dhe e ftojnë familjen në një ngjarje për t`I humbur mendimet e rënda.
Disa të tjerë vijnë me idenë për t’i ofruar familjes një shtëpi pushimi, ku ata mund të pushojnë dhe t`u largohen nga mendja skenat e aksidentit. Familja aktualisht jeton në qendrën e azilit – menjëherë pranë binarëve, ku L. N. humbi jetën.