Skender Rexhepi-Zejd duke folur për selinë në Shkup, e cili tani po kontrollohet nga njerëzit e kryetarit të shkarkuar Bilall Kasami, tha se ata nuk kanë dashur që të përdorin dhunën në asnjë rast dhe tha se do të vije dita kur ky grup do ta lëshoj atë seli.
“Është çështje ditësh kur ata do të duhet vetvetiu pa asnjë dhunë, pa asnjë kërkesë nga jashtë ta lëshojnë atë seli. Do e braktisin selinë dhe seli do ta kthehet aty ku edhe figuron në status. Se me statut ajo zyre është seli e Lëvizjes BESA”, deklaroi Rexhepi në “Studio e Hapur” në SHENJA.
Ai shtoi se kanë angazhuar ekip juridik të cilët po merren me këtë çështje.
I pyetur se nëse do të kandidoj për kryetar të Lëvizjes BESA, ai tha se në mbledhje të kryesisë e ka thënë dhe në opinion se nuk ka aspiratë për të qenë lider i Lëvizjes BESA.
“Nuk kam aspirata për të qenë kryetar i Lëvizjes BESA, kam aspirata për të qenë në shërbim të Lëvizjes BESA. Për tre vite kam dëshmuar se unë kam mundur t’i shërbej Lëvizjes BESA dhe nuk kam përfituar as edhe një çështje politike më të vogël në Lëvizjen BESA”, tha mes tjerash Rexhepi, duke shtuar se këtë që po e thotë do të dëshmohet edhe në Kongres.