Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka potencuar edhe njëherë se taksa ndaj produkteve të Serbisë nuk do të hiqet, nëse Serbia nuk e njeh Kosovën.
“Kur në Beograd thonë ‘nikada’, i bie ‘kurrë, kurrë s’iu njohim’, ne nuk mundemi ne me përdorë fjalë tjetër. Nëse ai thotë kurrë nuk të njoh, çka të themi ne në Kosovë? Edhe ne mund t’i themi epo kurrë nuk e heqim taksën. Pse po e them këtë? Kini parasysh, është treg i rëndësishëm Kosova. Kur e kemi vendosë taksën kanë bërë hajgare me ne. Njohja është vlera e heqjes së taksës”, ka thënë Haradinaj.
Ai foli edhe për mandatin e tij qeverisës, ku ndër të tjerash tha se kjo qeverisje ia ka shpëtuar fytyrën Kosovës.
“U takova me kolegët e mi të koalicionit qeverisës, me Kadri Veselin e Fatmir Limajn dhe kolegë të tjerë dhe i pyeta: më falni, a keni fytyrë kur dalim në rrugë Kadri? A je pa fytyrë sot, si të sheh populli? Edhe Fatmir, kur del në rrugë, qysh të sheh populli? Pra, qeverisja në Kosovë edhe pse ka qenë shumë e sfiduar, në një farë mënyre jo vetëm që e ka shpëtuat fytyrën e qeverisjes, jo timen, por të qeverisjes në vend, po e ka shpëtuar në të njëjtën mënyrë fytyrën e Kosovës”, ka thënë Haradinaj, raporton KP.
Haradinaj ka thënë se me këtë qeverisje Kosova është disa hapa përpara kundërshtarëve të saj. Sipas tij, Kosova është bërë vend me të cilin po konsultohen edhe ndërkombëtarët.
“Kosova po ndërmerr veprime me të cilat po i prin proceseve të veta, e përmes së cilave po e forcon pozicionin politik. Si dëshmi se jemi disa hapa përpara, iu marr vetë vizitën e Komisionerit Hanh, ditën kur në Beograd ishte Vladimir Putin, ai (Hanh) po të njëjtën ditë erdhi në Prishtinë, në mbrëmje, kishim një takim bashkë dhe u kthye për në Bruksel. Pse po e flas këtë? Se kemi arritur që në rajonin tonë nga një vend që ishte bukur i nëpërkëmbur e i lënë, kemi arritur të kthehemi në një adresë që duhet të shkohet e t’ia marrësh mendimin”, ka thënë Haradinaj.
Këto deklarata Haradinaj i bëri në një tubim me degën e AAK-së në Ferizaj, teksa mirëpriti në partinë e tij rreth 150 anëtarë të rinj.
Kurse kryetari i degës së AAK-së në Ferizaj, njëherësh zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Xhavit Zariqi nuk i ka kursyer lëvdatat për liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn. Zariqi tha se anëtarësimet e reja në AAK erdhën si rezultat i punës së kryeministrit Haradinaj.
“Puna juaj e palodhshme ka bërë që edhe dega jonë në Ferizaj të rritet çdo ditë, të këto anëtarësime të reja, dhe tani sonte i kemi prezentë mbi 150 veta që dëshirojnë, dhe vullneti i tyre është që të rreshtohen në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe pas liderit të saj Ramush Haradinaj”, tha ai.
Përndryshe, gjatë tubimit të AAK-së në Ferizaj aderuan dhjetëra anëtarë të rinj. Ceremonisë së aderimeve të reja i prinë Haradinaj dhe Zariqi, të cilët shpërndanë librezat e anëtarësisë për anëtarët e rinj.