Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur sërish për iniciativën “Open Ballkan”, për të cilën qeveria gjermane tha se duhet të jetë gjithpërfshirëse.
Rama është pajtuar me këtë duke thënë se dera është e hapur, përcjell Klankosova.tv.
“Open Balkan thotë qeveria gjermane duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe po, patjetër, kështu duhet të jetë e ndaj dera është e hapur, por as nuk përfshijmë dot kënd me zor, as nuk rrimë dot të presim sa t’u mbushet mendja atyre që s’duan të kuptojnë se kjo është rruga e të ardhmes”, shkruajti Rama në Twitter.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare ndryshe nga çfarë thuhet në Prishtinë e Tiranë, Berlini mbështet nismën për bashkëpunim rajonal.
“ÇUDI”! Qeveria gjermane e mbështeska Open Balkan ndryshe nga çfarë u thuhet njerëzve në Prishtinë e Tiranë prej atyre që s’pyesin për Amerikën dhe jo vetëm kaq, po kërkon nënshkrimin urgjent të marrëveshjeve për Tregun e Përbashkët Rajonal para Samitit BE-Ballkan në 6 tetor”, përfundoi Rama.
Ky reagim i Ramës erdhi pasi në media është raportuar se qeveria gjermane e ka mbështetur iniciativën “Open Ballkan”.