Tuesday, May 21, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeMaqedoniQeveria e miratoi Planin për fillimin e vitit shkollor, mësim me prani...

Qeveria e miratoi Planin për fillimin e vitit shkollor, mësim me prani fizike kudo që ka kushte

Viti shkollor mund të fillojë me model të kombinuar dhe gjithkund ku kushtet janë të plotësuara nga protokollet shëndetësore, mësimi do të realizohet me prani fizike në shkolla, pavarësisht klasës dhe moshës së fëmijëve, parasheh Plani për fillimin e vitit shkollor 2020/2021 nga 1 tetori që e miratoi sot Qeveria në seancën e saj të parë.

Plani i Ministrisë së Arsimit bazohet në nevojën që të merren përfitime maksimale për nxënësit, të punësuarit në shkolla dhe bashkësinë më të gjerë dhe njëherësh të mos vjen deri te përhapja e KOVID-19, tha në konferencën e sotme për shtyp, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska.

Në këtë plan, sqaroi Carovska, ofrojmë model të kombinuar të mësimit.

“Komunave dhe shkollave u ofrojmë mundësi të organizojnë mësim onlajn në shkollat ku nuk plotësohen kushtet e parapara me protokoll për prani fizike në shkolla. Për realizim të suksesshëm të mësimit në largësi punohet në mënyrë të përshpejtuar të vendosjes së platformës së vetme kombëtare onlajn të cilën do ta prezantojmë shumë shpejtë në opinion. Megjithatë plani ofron opsion edhe për fillimin e mësimit dhe për praninë fizike të nxënësve pavarësisht moshës ose klasës dhe nëse bëhet fjalë për shkollë fillore ose të mesme ku kushtet e hapësirës e lejojnë këtë dhe është në pajtim me protokollet”, tha Carovska.

Ajo u bëri thirrje komunave t’i njoftojnë prindërit dhe mësimdhënësit t’i shqyrtojnë protokollet dhe mësimin e ofruar të kombinuar.

Gjatë llojit të tillë të mësimit në klasa do të marrin pjesë më së shumti 20 nxënës, me orë nga 30 minuta në shkollat fillore dhe nga 35 minuta në shkollat e mesme, pushim pesë minuta mes orëve.

Carovska dje pati takime të ndara me përfaqësuesit e Unionit të nxënësve të shkollave të mesme të cilët kërkojnë mësim të kombinuar, si dhe me Iniciativë të prindërve të cilët kërkojnë hapjen e shkollave.

Paraprakisht Unioni i nxënësve të shkollave të mesme mbajti protestë në Shkup për vitin shkollor më 1 tetor të fillojë menjëherë me model të kombinuar të mësimit, e jo onlajn, në komunat të cilat nuk kanë shumë të infektuar me koronavirus.

Nëse mësimdhënësi është pozitiv në koronavirus merret algoritmi i njëjtë si te çdokush që është pozitiv në shkollë. Ia lëmë epidemiologëve që ta vlerësojnë situatën, që të bëjnë sondazh dhe të propozojnë masa që duhet të ndërmerren urgjent në shkollë, në klasë, me fëmijët dhe me mësimdhënësit, tha Carovska.

Ajo sqaroi se nëse mësimdhënësi ka mundësi, do të mbajë mësim onlajn nga shtëpia, nëse është në izolim.

“Nëse bëhet fjalë për mësimdhënës i cili do të shfaq simptoma dhe do të duhet të ketë mjekim etj, atëherë do të duhet të ketë zëvendës të mësimdhënësit. Natyrisht, ligji këtë na e mundëson, përfshirje të zëvendës mësuesve për shkak të punëve urgjente”, ka thënë tutje Carovska.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe duke u përgjigjur në pyetjen e njëjtë të gazetarëve, tha se nëse mësimdhënësi është pozitiv në koronavirus, qasja epidemiologjike është e njëjtë si për nxënësin.

“Gjithçka është lënë në vlerësim të epidemiologut dhe assesi nuk do të lejohet të ketë grupim më të madh në klasë të fëmijë, mbi 20 fëmijë dhe në kuadër të kësaj do të veprohet më tutje me klasën”, tha Filipçe.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska deklaroi sot se ende nuk e di se sa nga nxënësit do të ndjekin mësimet me prani fizike dhe sa onlajn.

“Kjo përqindje do të dihet pas 15 shtatorit, sepse për momentin vijon thirrja për të gjithë themeluesit ose të gjitha komunat dhe këshillat e shkollave, të cilat duhet t’i drejtohen Komisionit në Qeveri, i cili duhet t’u përgjigjet pozitivisht ose negativisht. Në atë moment, do të kemi një mesatare se sa prej tyre fillojnë me prani fizike dhe sa nxënës do të ndjekin mësimin në distancë”, tha ministrja Carovska.

Ajo theksoi se ky është një proces dinamik dhe kjo nuk do të thotë se ata që do të fillojnë me praninë fizike, nëse ndryshon pamja epidemiologjike në komunë, ashtu edhe do të vazhdojnë, gjithçka do të varet nga pasqyra epidemiologjike.

“Nëse përhapja e infeksionit ndodh në një shkollë të caktuar, do t’i jepet udhëzim për të vazhduar mësimin onlajn. Jemi duke përgatitur të gjithë sistemin arsimor për mësimdhënie onlajn”, theksoi Carovska.

Sipas të dhënave, në vitin shkollor 2020/2021, në klasën e parë janë regjistruar 20.796 nxënës, ndërsa në vitin e parë të arsimit të mesëm 16.308 nxënës. Vitin e kaluar, 187.000 u regjistruan në arsimin fillor dhe 71.200 në arsimin e mesëm. Ajo theksoi se, megjithëse afatet ligjore për regjistrim në shkolla zgjasin deri në fund të shtatorit, ajo nuk pret një ndryshim të madh në shifrat aktuale.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe theksoi se protokollet u përpunuan në detaje, me qëllim që të mbulojnë të gjitha aspektet, siç janë lëvizja e nxënësve, numri i tyre në klasë, kontaktet gjatë pushimeve, duke respektuar të gjitha masat parandaluese dhe problemet që mund të ndodhin nëse nuk ndiqen masat e mbrojtjes. Ministri theksoi se në vendet e tjera pasqyra epidemiologjike u përkeqësua pasi shkollat ​​u hapën plotësisht.

“Ne qëllimisht rekomanduam që fillimi i vitit shkollor të jetë fillimi i tetorit, në mënyrë që ta monitorojmë dhe të shohim se cila do të jetë pamja epidemike në shtator, kur për shkak të faktorëve të tjerë, ne besojmë se mund të ketë rreziqe të mundshme që mund të përkeqësojnë epideminë. Njerëzit po kthehen nga udhëtimet, po kthehen në punë dhe këto janë rreziqe që mund ta përkeqësojnë situatën”, shtoi Filipçe i cili informoi se Qeveria po diskuton hapjen e kopshteve.

Ai theksoi se në shtator situata do të monitorohet dhe nëse ka një përkeqësim të epidemisë atëherë ata do të marrin vendime që do t’i përgjigjen asaj situate dhe gjithçka do të bëhet për të mos e ngarkuar sistemin shëndetësor.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska madje nënvizoi se te tri klasat e para të cilat në mënyrë dominuese fillojnë me prani fizike, do të mund të shfrytëzohen të gjitha potencialet që mësimi të organizohet në dy ndërrime, gjegjësisht të ndahen nxënësit në grupe. Klasat tjera, sqaroi ajo, do ta fillojnë mësimin me grupe më të vogla se 20 nxënës.

Carovska sqaroi se nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e tretë fillojnë me prani fizike për shkak të zhvillimit të motorikës, mësimit të shkrim-leximit dhe pse për herë të parë përballen me sistemin arsimor, dhe do t’iu mundësohet që të shfrytëzohen të gjitha potencialet, hapësinore dhe kadrovike, të organizohet mësimi në dy ndërrime dhe t’i ndajnë nxënësit në grupe.

“Nga klasa e katërt deri në klasën e nëntë dhe nga viti i parë deri në vitin e katërt fillimisht ata vetë duhet të kenë grupe më të vogla se 20, të kenë kushte hapësinore për të gjithë, dhe të mund ta organizojnë mësimin. Riorganizimi ndryshe tani për momentin mund të bëjë përsëri rrezik të rritur te nxënësit dhe më tutje te e gjithë popullata, sepse megjithatë numri i nxënësve në atë shkollë tregon se është mjaftueshëm i madh dhe i tejkalon kërkesat themelore të protokollit për zbatimin e mësimit me prani fizike”, tha Carovska në konferencën për media në përgjigjen e një pyetje.

Sipas saj është me rëndësi që mësuesit të jenë partnerë në gjithë këtë proces, sepse, sqaron, pikërisht ata janë themeli mësimit cilësor.

“Pikërisht për këtë sot u takova me mësuesit dhe në vazhdimësi do të takohem sepse ata janë themeli i mësimit cilësor. Ata janë mjeti kryesor të cilin e ofrojmë si sistem. Pikërisht për këtë konsideroj se edhe me motivim por edhe me trajnime, me ndjekjen dhe me pjesëmarrjen e Inspektoratit Shtetëror të Arsimit si dhe me prani të këshilltarëve të Byrosë për Zhvillim të Arsimit do të ndiqet cilësia e mësimit dhe mbajtja e orëve të mësimit”, tha ministrja.

Platforma e vetme kombëtare për mësim nga distanca, siç theksoi Carovska, do të ofrojë mundësi që të shihet se cili nga mësuesit është i përfshirë në sa periudhë kohore.

“Gjithashtu edhe me prani fizike të ekipeve nga Ministria e Arsimit, Byroja për Zhvillim, Inspektorati Shtetëror i Arsimit do të ndiqet cilësia e mësimit dhe prania e mësuesve. Në këtë plan të cilin Qeveria e miratoi thuhet se mbahet evidencë e pjesëmarrjes së nxënësve në e-ditar dhe për mësim onlajn dhe për prani fizike, mbahet evidencë edhe për praninë e mësuesve në vendin e tyre të punës”, tha Carovska.

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se për çdo ditë ndiqet situata nga ana e Komisionit të Sëmundjeve Ngjitëse, i cili tregon se a janë përmbushur kushtet që të fillohet me prani fizike. Madje edhe për tri klasat e para ku rekomandohet prani fizike, Filipçe theksoi se nevojitet leje nga prindi.

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments