Një pjesë e madhe e rasteve sociale për çdo ditë shkojnë deri tek bankomatët dhe kthehen bosh. Qeveria e Maqedonisë, akoma nuk i ka lëshuar mjetet e asistencës sociale, aq shumë të domosdoshme për familjet skamnore.
“Kaloi gjysma e muajit dhe ne mbetëm duke u sorrollatur rreth bankomatëve. Akoma nuk janë lëshuar ndihmat sociale dhe arsyet nuk dihen. Kjo qeveri po vazhdon sikur ajo e mëparshmja me rrena dhe mashtrime. Derisa sa para zgjedhjeve i ke marr nga dy ndihma sociale edhe atë në fillim të muajit, tani ka vonesa të shumta. Nuk është ndonjë para e madhe, s’di pse luajnë me ne të varfërit”, thonë shfrytëzuesit e asistencës sociale.
Më tej ata shtojnë se përpos asistencës sociale, nuk kanë asnjë të ardhur tjetër. Por, nuk janë vetëm rastet sociale që ankohen. Ankesa janë paraqitur edhe nga pensionistët, të cilët para zgjedhjeve e kanë marrë me rritje pensionin, ndërsa pas zgjedhjeve mungon rritja prej 200 denarëve.
Qeveria Zaev sikur i ka harruar premtimet për pensionet sociale dhe rritjen e asistencës sociale në përgjithësi.