Gjetja më e madhe në rajon, madje edhe në nivel botëror, nuk është thjesht një lajm i rëndësishëm për Koroshishtën, por një moment historik që mund të ndryshojë fatin e Strugës dhe më gjerë. Megjithatë, shqetësimi kryesor qëndron te mënyra se si do të mbrojmë dhe ruajmë këtë trashëgimi të jashtëzakonshme, kur gjithandej diskutohet vlera monetare e gjetjes. Shumëkush thotë: “Sikur ta kisha zbuluar unë!” – duke harruar rëndësinë kulturore dhe historike të saj.
Është e vërtetë që kjo gjetje do të sjellë përfitime, pasi Koroshishta do të “mbillet dhe korret” këtë vit si asnjëherë më parë. Por duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos harrojmë kufizimet ligjore, të cilat lejojnë vetëm 30 cm për përdorim privat. Kujdes mos harrojmë se shkeljet përtej kësaj mund të sjellin masa ndëshkuese të ashpra, duke përfshirë gjoba dhe heqje lirie.
Kritika më e madhe, pa asnjë dyshim, rëndon mbi pozitën dhe opozitën në Strugë. Si është e mundur që në një moment kaq të madh për rajonin, politikanët të mos shkelin në 10 minuta rrugë, ndërsa pjesa tjetër mbetet në gjumë letargjik? Në vend që të ndërmarrin hapa konkretë për të mbrojtur dhe promovuar këtë gjetje të jashtëzakonshme, ata vazhdojnë me retorikën boshe dhe mungesën totale të veprimit. Ky është një turp për të dyja palët dhe një tradhti ndaj qytetarëve që i kanë besuar me votën e tyre.
A do të vazhdojë Koroshishta të jetë thjesht një emër në listat e premtimeve boshe të zgjedhjeve lokale? Apo do të shohim më në fund një politikë vizionare, që vepron për të mbrojtur dhe zhvilluar këtë pasuri të madhe? Kjo mbetet një pyetje për të cilën qytetarët duhet të marrin një përgjigje të qartë dhe të prerë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Heshtja dhe mungesa e veprimit nuk do të falen!