Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Artan Grubi në emisionin “Vetëm e vërteta” në TV “Kanal 5” ka thënë se Qeveria e Maqedonisë është stabile edhe pa praninë e liderit të Aleancës së Shqiptarëve, Ziadin Sela në të, njofton Portalb.mk.
“Qeveria është stabile edhe pa pjesëmarrjen e Selës në të. BDI tash është më e rëndësishme se sa në kohën e VMRO-DPMNE-së, kur me 63 deputetë nuk ju duheshim. Tash pa 10 votat tona askush nuk mund të bëjë Qeveri”, tha Grubi.
Sipas Grubit, rezultatet e zgjedhjeve lokale në Maqedoni treguan se shqiptarët dhe maqedonasit janë më të bashkuar se asnjëherë më parë.
“Nuk mund të gjeni shqiptar i cili thirret në federalizim ose ndarje të Maqedonisë. Unë jam i lindur në Shkup, babai im është i lindur në Shkup, ky është shteti im dhe e dua si të tërë, të integruar dhe pa paragjykime, që bashkërisht të hyjmë në Bashkimin Evropian”, tha Grubi.
Grubi kërkoi gjykim të serishëm me ekspertizë ndërkombëtare për rastin “Monstra” dhe “Lagjen e trimave” për të hedhur poshtë çfarëdo qoftë përfshirje të BDI-së në të dyja ngjarjet.