Wednesday, April 23, 2025
Nabizi KUPA Gega
789184-C9-03-B5-41-CF-9-D59-B2523658-B380
1ab55e5d-f5c3-470d-bec1-df1777c5234e
HomeKulturëProf. Nebi Dervishi: Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së dijetarit...

Prof. Nebi Dervishi: Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së dijetarit dr. Shukri Rrahimi

Prof. Nebi Dervishi
Përkujtes
Portret i një dijetari
(prof Dr. Shukri Rrahimi , 1 maj 1925 – 9 mars 2021
Me rastin e 100-vjetorit të lindjes)

Raca e dijetarëve, ku hyn padyshimi më të vogël edhe personaliteti i prof. Shukri Rrahimit, është një racë durimtarësh dhe e plotfuqishme. Sipas një parabolle të filozofit romak Seneka, përgjithësisht “dijetarët e jetojnë jetën e tyre larg bujës dhe publicitetit të dyshimtë, largë pushtuesve politike dhe përfitimeve tipologjike të administratës shtetërore”.
Dijetarët janë gati si të padukshëm, pikërisht se janë më të dukshëm nga të gjithë. Dijetarët nuk përmenden sepse ata jo vetëm janë kujtesë, por janë vetë substancë e kujtesës. Dijetarët nuk përfillen, por në thelb ata janë autoritetet e vërtetë të kombit.
Prof. Dr. Shukri Rrahimi lindi më 1 maj 1925, në fshatin Nesallcë, të Bujanovcit, në Kosovën Lindore. Mësimet e para i ndoqi në vendlindje, shkollën e mesme e kreu në Shkup e Pejë, kurse shkollën e Lartë në qytetin e Nishit, në drejtimin histori – gjeografi. Gjatë studimeve njëkohësisht në fillim punoi mësues, në një shkollë fillore, e më pasë do të shërbejë inspector I arsimit në komunën e Bujanovcës.
Në vitin 1957 u shpërngulë në Shkup, ku krahas punës së rregullt të pedagogut në Shkollën e Normale “Liria”, më vonë “Zef Lush Marku”, vazhdoi studimet me korespodencë në Fakultetin Filozofik, pranë Universitetit “Shën Kirili e Metodi”, në Shkup, në departamentin e Historisë, ku u diplomua në vitin 1962.
Në vitin 1965 profesor Shukri Rrahimi u zgjodh ligjërues i lëndës së historisë në Akademinë Pedagogjike në Shkup, ku punoj një kohë të gjatë, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në ngritjen e brezave të rinj të arsimitarëve nga trevat e Maqedonisë, Kosovës dhe Luginës së Preshevës.
Krahas punës së pedagogut, profesor Shukriu, prej kohësh shfaqi interesim për studimin dhe thellimin e njohurive mbi të kaluarën e popullit tonë. Kështu, që nga fillimet e viteve ’60 të shekullit XX ia filloi punës shkencore – kërkimore në Arkivin e Maqedonisë, e më pas në institucionet arkivale të Serbisë, Vjenës, Sarajevës, si dhe në Tiranë, duke pasur gjithnjë si objektiv kryesor hulumtimin dhe studimin e epokës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Si rjedhojë e punës së gjatë hulumtuese kërkimore – shkencore në arkivat e lartëpërmendura dhe konsultimit të literaturës relevante, prof. Shukri Rrahimi, që nga vitit 1962 filloi t’i dilnin në gjuhën shqipe në Maqedoni dhe në Kosovë, si: në “Jehona”, “Përparimi”, “Gjurmime albanologjike”, “Vjetari i Arkivit”, “Flaka e Vëllazërimit”, etj. Poashtu, ai publikoi punime edhe në revistat që dilnin në gjuhën maqeodnase: “Glasnik”, i INI-t, “Istorija”, etj. në Shkup, si dhe në gjuhën serbokroate: “Jiç“, “Nastova Poviesti”, etj.
Krahas punimeve të publikuara në faqet e revistave të përmendura, si rrjedhojë e punës kërkimore – shkencore disavjeçare, më 1969, botoi monografinë e parë me titull “Vilajeti i Kosovës”, S’ka dyshim se kjo vepër është përpjekja e parë ndër ne për ta trajtuar gjithanshëm Vilajetin e Kosovës, prej themelimit e deri në kalimin e tij nga pushtuesit osman nën pushtetin serbo – malazezë, pas Luftës së Parë Ballkanike. Kujtojmë këtu se autori me këtë monografi, duke u mbështetur kryesisht në burimet e proviniencës serbe ia doli, për herë të parë, të hedhë dritë në shumë çështje të trajtuara. Vlen të theksohet se kjo vepër u mirëprit nga studjuesit tanë, nga intelektualët dhe, përgjithësisht nga masa e gjërë e lexuesve në të gjitha viset e banuara me shqiptarë në ish- Jugosllavi e në diasporë.
Suksesi që i solli vepra e parë “Vilajeti i Kosovës”, mbase i dha nxitje autorit për të vazhduar edhe më me ngulm punën e mëtutjeshme kërkimore – shkencore, për të studjuar epokën e Rilindjes Kombëtare. Si rrjedhojë e kësaj pune të palodhshme, në vitin 1971, botoi monografinë e dytë “Rilindja dhe Emancipimi Kombëtar:, e cila vepër paraqet një sintezë të arritjeve të deriatëherëshme. Prof. Dr. Shukri Rrahimi në sajë të veprave dhe punimeve të shumta të botuara iu mundësua të mbronte temën e disertacionit, pa iu nënshtruar procedurës së magjistraturës, siç ishte rregulli me kandidatët e tjerë, ku një kontribut të veçantë do të jep Akademik Ali Hadri. Kështu, në vititn 1972, mbrojti me sukses tezën e tij të disertacionit para komisionit të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, me titull “Lufta e Shqiptarëve për autonomi (1897 – 1912)”. Kjo kryevepër e Prof. Dr. Shukri Rrahimi, e mbështetur në burimet arkivore dhe literaturën relevante, s’ka dyshim se paraqet një kontribut me vlerë për historiografinë shqiptare të periudhës së Rilindjes Kombëtare. Me këtë vepër autori ia ka dalë të trajtojë dhe të ndriçojë aspekte të luftës së popullit shqiptar për sendërtimin e autonomisë, që nga periudha e Lidhjes së Prizrenit e deri në Luftën e Parë Ballkanike dhe rënien e Vilajetit të Kosovës dhe viseve të tjera të trevave lindore nën okupimin serbo – malazezë. Përmes provave të mbështetura në burime, ia del me sukses të nxjerrë në pah luftën e popullit shqiptar nën udhëheqien e princave të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që të luftonte në dy fronte: kundër sundimit osman për realizimin e autoktonisë së Shqipërisë, në një anë , dhe, fqinjtë, të cilat të përkrahura nga Fuqit e Mëdha, në radhë të parë nga Rusia e Franca bënin çmos për t’u zgjeruar në dëm të tërësisë etnike të Shqipërisë. Ai njëkohësisht ia del të hedhë posht tezën e paqëndrueshme të historiografisë serbe se Lëvizja Kombëtare Shqiptare ishte vegël e Portës së Lartë, apo tezën se shqiptarët nuk ishin të aftë për të qeverisur, prandaj i arsyetonin synimet shoveniste të shteteve të tyre për coptimin e trojeve etnike të Shqipërisë dhe shlyerjen e saj nga harta gjeografike e Gadishullit Ilirik.
Nga viti 1971, Prof. dr. Shukri Raimi do të jetë profesorë i rregullt në katedrën e hitorië në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Kosovës, ku edhe unë, hartuesi i këtij portreti dedikuar dijetarit nga Kosova Lindore, e kisha fatin që ta kemë ligjerues – pedagogë të disa lëndëve.
Është i madh numri i nxënësve të tij në Normalen “Liria: – Shkup të studentëve në Akademinë e Lartë Pedagogjike në Shkup dhe të atyre në Universitetin e Kosovës në Prishtinë, që nuk do ta harrojnë kurrë profesorin e historisë për Epokën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Leksionet që i trajtonte profesor Shukriu shëndrroheshin në dije të përherëshme. Në kohën kur arsimtarët shumë rrallë zbritnin nga katedra, ai pa prituar i shkruante pikat kryesore të ligeratës në tabelë, bënte vizatime të hartave historike, sillte literaturë ndihmëse, të cilat në fund të ligjeratave ua rekomandonte nxënësve dhe studentëve. Për këtë arsye, nuk do të jetë i vogël numri i nxënësve e studentëve që pikërisht prej sjelljes dhe shembullit të tij do të frymëzohen dhe do t’i përkushtohen punës shekncore.
Në revistat “Jehona” dhe “Përparimi” shpeshë herë u sugjeronte (rekomandonte) maturantët dhe studentët tu botohen punimet e diplomës, sepse aty në redaksi ishte edhe prof. Shukri Rrahimi. Disa prej autorëve të këtyre punimeve sot janë studjues të shquar të historisë, të letërsisë të pedagogjisë etj. Ai do të luaj rol të madh si profesor e ligjërues së bashku me Akademik Ali Hadrin, prof. Masar Kodrën, prof. Skender Rizën, Prof. Zef Mirditën, prof. Masar Rizvanolli, prof. Qamil Gexhën, Prof. Muhamet Tërnova, prof. Emin Pllanën, prof. Jahja Drançollin, e të tjerë së bashku që kontribuan për formimin e kuadrit shkencor të historisë.
Është me të vërtetë i madh numri i magjistrantëve, i doktorantëve, i hulumtuesve në institutet tona shkencore, që si historian janë ndërtuar edhe nën kujdesin e profesor Shukri Rrahimit. Duke ia dhënë historisë dinjitetin e dijes, ai së bashku me kolegët e tjerë të katedrës së historisë në Prishtinë, janë kujdesur që të krijojnë kuadrot të cilët atë dinjitet do ta përforcojnë me studimet e temave e të çështjeve të ndryshme historike, duke parë prej këndesh të ndryshme studimore….
Prof. Shukri Rrahimi dha një kontribut të jashtëzakonshëm në përpilimin e teksteve mësimore shkollore të Kosovës në lëndën e historisë si dhe ndihmesën e madhe në cilësinë e redaktorit e kryeredaktorit në revistat “Jehona”, në “Kërkime historike” e sidomos në revistën “Gjurmime Albanologjike” organ i Institutit Albanologjik në Prishtinë, ku në vitin 1986, ishte kredaktor i Nr. 15/1985. Në këtë revistë botoi shumë artikuj shkencor, kumtesa e reçensione, si:
1. Gjurmë historike të Rilindjes Kombëtare”, IAP, Prishtinë, 1986 (Libër);
2. “Zhvillimi i historiografisë së Kosovës në dy deceniet e fundit (1965-1985)”, kumtesë), Prishtinë, 1987;
3. “Qëndrimi i pushtetit turk nda çështjes së alfabetit”, në Gjurmime Albanologike, Prishtinë, 1969;
4. “Çështja shqiptare gjatë viteve 1903-1904”, Gjurmime albanologike” seria historike, nr.3 / 1973, IAP, Prishtinë, 1975.
5. “Marrëveshja e Qeverisë Serbe me Esat Pashë – Toptanin gjatë viteve 1914-1915”, nr.6/1976, IAP, Prishtinë, 1977.
6. “Diplomacia serbe mbi aktivitetin e komiteteve shqiptare gjatë vitit 1897”, Gjurmime albanologike – seria e shkencave historike, nr. 8/1978, IAP, Prishtinë, 1979;
7. “Shpallja e protektoratit të Italisë mbi Shqipërinë në vitin 1917 dhe reagimet e qeverisë serbe”, Seria nr. 10/1980, IAP Prishtinë, 1981;
8. “Bashkëpunimi i Ahmet Muhtarit nga Mati me Serbinë dhe mospajtimet e tij me Esat Pashë Toptanin gjatë vitit 1915”, Gjurmime albanologjike, nr. 11/81, IAP, PRishtinë, 1982;
9. Dokumentet angleze mbi ngjarjet te shqiptarët 1844/45”, Gjurmime albanologjike”, nr. 13/1983, IAP, Prishtinë, 1984.
10. “Konsulli austro-hungarez Kral mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në Manastir dhe Dibër në vitet e fundit të shek. XIX”, “Gjurmime albanologjike”, nr. 14/1984, IAP, Prishtinë, 1985;
11. “Aktiviteti patriotik i Dervishit deri më 1913”, “Gjurmime albanologjike”, Nr. 15 / 1985, IAP, Prishtinë, 1986, e tjerë.
Prof. Dr. Shukri Rrahimi në revistën “Studime Albanologjike ka botuar shumë Recensione e sidomos duhet theksuar kontributin në polemikat shkencore me historianë të huaj për t’u vënë në mbrojte të historiografisë shqiptare. Në këtë kuadër, në veçanti vlen të përmendet përgjegjia që ia bëjnë së bashku me Prof. Zeqirija Canën për qëndrimet e Bogomil Hrabrakut e Dushan Batakoviqit në Librin “Albanci”, të botuar në gjuhën sllovene më 1986, nga Instituti i Historisë së Serbisë. Përgjigjia e mbështetur në argument të qëndrueshme shkencore kundrejt tezave të paqëndrueshme të autorëve të përmendur dhe përgjithësisht të historiografisë serbe, prapa të cilëve qëndronte e tërë Akademia e Shkencave të Serbisë në “Francuska 7” në Beograd, për rrethanat e atëherëshme ishte një akt i guximshëm jo i vogël intelektual për t’ia bërë sfidën, në fakt politikës zyrtare serbe. Kjo merrë peshë edhe për faktin se asnjëri nga autorët e apostrofuar të librit “Albanci” nuk e pati guximin t’i përgjigjej shpifjeve dhe trillimeve djallëzore të Bogomil Hrabrakut me shokë, të cilët ishin vënë këmbë e krye në lojën e politikës serbomadhe.
Edhe këtë punim polemizuese Instituti Albanologjik në Prishtinë e botoi në Revistën Gjurmime Albanologjike seria e shkencave historike, nr 15/1985, të autorëve: Shukri Rrahimi – Zekeria Cana, Rreth kritikës për librin “Albanci”, IAP, Prishtinë, 1986, fq. 332-354.
Më shumë se gjashtë dekada si mësues, pedagogë, e profesorë (ligjerues) universitarë, prof. Dr. Shukri Rrahimi, do të angazhohet dhe do t’i përkushtohet me tërë qenien e tij punës kërkimore – shkncore për të studjuar epokën e Rilindjes Kombëtare shqiptare. Po të ndiqet me kujdes veprimtaria krijuese në këtë sferë, mund të vërehet se, ai gjatë tërë kësaj periudhe ia doli të arrijë rezultate gjithnjë të mira dhe t’i thellojë e ndriçojë njohurit në kërkimin e të vërtetës historike. Kontributi dhe vendi i tij në historiografinë shqiptare, është e një rëndësie jo të vogël, për çka flasin hapur veprat monografike si dhe qindra punime të botuara nëpër revista e gazeta të cilat do të lënë gjurmë në historiografinë tonë. Nga ajo që u tha më lartë, mund të thuhet se Ai është ndër pionerët e historiografisë shqiptare në Trevat Lindore e Verilindore, duke dhënë njëherit kontributin e tij të ç‘mueshëm edhe në ndriçimin e aspekteve të ndryshme të Epokës së Rilindes Kombëtare, nga vitet 30 të shekullit XIX, e deri në Shpalljen e Pavarsisë dhe ngritjen e Flamurit në 28 Nëntor 1912, në Vlorë.
Portreti i dijetarit do të jetë e mangët nëse nuk theksojmë se Prof. Dr. Shukri Rrahimi në vitet 90 të shek. XX, për ca vite do të zgjidhet deputet në legjislacionin e parë në Parlamentin e Maqedonisë, nga Partia për Prosperitet Demokratik (PPD)
Të dhënat e mësipërme janë gurët e kilometrazhit të rrugëtimit jetësor të historianit dhe studuesit Shukri Rrahimi. Librat dhe punimet shkencore janë të botuara, pra, të hapura për syrin e lexuesit dhe janë të tjerët ata që i lexojnë sot dhe nesër, si dhe që do të bëjnë vlerësimin e patjetërsueshëm të figurës së profesor Shukriut. Ai do të jetë në vazhdimësi edhe pas vdekjes një lapidar i gjallë i fisnikërisë së shpirtit, i mençurisë dhe i burrërisë së kombit shqiptar. Moment që para ca ditësh e përcollëm për në botën e amëshuar të profesor Shukriut ishte i veçantë dhe një rastë i mirë për t’i shprehur nderimet dhe mirënjohjet tona (ishnxënësit, ish-studentët, miqtë dhe dashamirësit të tjerë) për veprimtarinë e palodhur e të dendur dhe për rrezatimin e saj këndellës në botën intelektuale shqiptare.
Ky moment njëkohësisht është edhe një rast për të njohur vlerat e vërteta e të pavdekshme të njeriut, studjuesit, historianit dhe dijetarit, për të ndjekur shembullin e tij dhe për ta gjetur frymëzimin e Krijmtarisë te ato gurra të arkivave dhe dokumenteve arkivore që inspiruan dhe ushqyen veprën kapitale të historianit, pedagogut e studjuesit profesor Shukri Rrahimit.
Le të jetë kjo e vërtetë ngushëllim për familjen e tij, për nxënësit e studentët e tij dhe për gjithë ato që e kanë dashur dhe respektuar.
Lavdi historianit Shukri Rrahimi, që prej 9 mars 2021, u bë edhe vetë histori: i çmuar dhe i paharruar!
Strugë, 22.prill, 2025

AS-Event
REKLAMONI KETU! REKLAMONI KETU!
AS-Event
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments