Prof. Dr. Nebi Dervishi
Homazh për akademik Fehmi Aganin (23 janar 1932- 6 maj 1999)
( Me rastine 90 vjetorit të lindjes dhe 23 vjetorit të ekzekutimit) -Nga forcat çetnike – ushtarako – policore serbe, afër Lipjanit
Në momentet më dramatike për shqiptarët e trevave verilindore e Lindore, u nda tragjikisht nga ne njëzet e tre vjet më parë, më 6 maj 1999, njëri prej personaliteteve më të shquara të shoqërisë, të shkencës, të kulturës, diplomacisë dhe politikës shqiptare të pjesës së dytë të shekullit XX, intelektuali, dijetarin profesori, edukatori, akademiku, politikani humanisti, dhe vizionari dr. Fehmi Agani. Ishte dhe mbeti tërë këto vite kjo një humbje e madhe dhe e pa kompensueshme për familjen, miqtë, shokët, kolegët bashkëpuntorët e tij, për institucionet shkencore, kulturore, shoqërore e shtetërore të Kosovës dhe për mbarë kombin shqiptar. Vdekja tragjike e profesor Fehmiut ndodhi në rrethanat kur në valën e eksodit të dhunshëm u përfshi pjesa dërmuese e popullit shqiptar të Kosovës, si një nga tragjeditë më të mëdha në jetën dhe historinë e kombit tonë të shkaktuar nga fashizmi serb millosheviqianë që ka njohur njerëzimi. Likuidimi i tij fizik (ekzekutimi) në rrugën e këtij deportimi masiv, në rrugën e frikësimit të tmerrit e të gjenocidit serb ndaj shqipëtarëve.
Akademik Femi Agani – ishte koka e Lëvizjes politike shqiptare, nder i kombit dhe politikani që rrezatonte, shpresë, urtësi dhe kurajo të veçantë në lëvizjën tonë kombëtare. Ai ishte tolerant vetëm ndaj autoritetit të argumenteve dhe ishte forcë e veçantë e kohezive brenda lëvizjes sonë për çlirimin e Kosovës. Mund të thuhet pa hezitimin më të vogël se çdo veprim i sotëm dhe në të ardhmen për të bashkuar forcat shqiptare drejt qëllimeve të përcaktuara kombëtare do të përjetohet për shumë kohë si prani e si veprim i shpirtit të Fehmi Aganit. Ishte politikan horizontesh, vizionar, dhe maksimalisht i përgjegjshëm për çdo veprim, por edhe i brengosur për çdo ngecje dhe i mllefosur për çdo intrigim që kishte qëllime shkatërruese dhe i përqëndronin natyrshëm edhe brenga për hallet dhe vuajtjet e pafund të popullit të tij dhe oportunizmi i paluhatshëm për triumf të pashmangshëm. Autoritetin e madh që e kishte në masë nuk e fitoi me dinstancim birokratik, por me punën e tij të pastër, të mençur dhe tepër të përkryer dhe të vlefshme.
Profesor Fehmi Agani ishte artikulues i sintagmës dhe i aspiratave të popullit shqiptar për pavarsinë e Kosovës. Ishte njëri ndër propaganduesit më autoritativ të së drejtës për vetëvendosje. Duke e parë çlirimin e popullit shqiptar të Kosovës nga okupimi serb në kuadër të domosdoshëm universal të humanizmit të jetës së njeriut, profesor Agani Kosovën e lirë se konceptonte dot pa një strukturim të mirëfilltë demokratik të marrdhënieve shoqërore në të. Filozofia e tij politike ishte në të njëjtën kohë edhe anticipuese. Ai e shikonte perspektivën e shoqërisë shqiptare vetëm nga një shoqëri civile me mundësi reale të inkuadrimit të saj relativisht të shpejt e të denjë në vlerat civilizuese evropiane .
Ai ligjeroi si profesor e si akademik dy lëndë paralelisht. Lëndën e filozofisë ose lëndën e krenarisë njerëzore dhe lëndën e Sociologjisë e lëndën e dinjitetit kombëtar, të cilën, unë dhe gjenerata e ime për disa muaj patëm fatin dhe nderin të ndjekim leksionet në vitin akademik 1973 – 1974 në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Me potencialin e tij të lartë intelektual, me idealet e pastra njerëzore e patriotike, me punën vetmohuese për realizimin e tyre dhe me guximin për t’i mbrojtur ato deri në vdekjen mizore të shkaktuar nga forcat fashiste barbare serbe, Fehmi Agani u ngjit në lartësi të krenarisë së kombit. “Hyri nën mbrojtjen e lavdishme të kujtesës së popullit të tij” – do të shprehet në një përvjetor Akademik Besim Bokshi. Ai qe diell që shëndriste e digjej për të tjerët, përkatësisht – për popullin e tij të shumëvuajtjur”, përfundon Akademik Besim Bokshi.
Në një deklaratë të Akademik Esat Stavilecit, që ia kishte dhënë gazetës “Koha Ditore” me rastin e vrasjes së Akademik Fehmi Aganit, në mes tjerash kishte thënë: “Profesor Fehmi Agani ishte njeri në të cilin çuditërisht ishin mbledhur bashkë: Fisnikëria, Entuziazmi, Humaniteti, Mençuria, intuita, Guximi, Angazhimi, Autoriteti, Nuhatja dhe Invencioni.
Ishte lider, por sikur “turpërohej” që i bëjnë nderin e liderit. Nuk eksponohej, sepse i pëlqente “mesi që nuk dukej”. Ishte njeri që “nuk fliste” aty ku “duhej të hesht”, por edhe i cili “nuk heshte” aty ku “duhej të flitej”.
Profesor Fehmi Agani në vitet 50 – 60 të shek XX ishte një ndër ata dhjetra intelektualë që kishin kaluar me sukses të gjitha shkallët e shkollimit dhe të edukimit në sistemin arsimor të kohës, por, nuk kishte arritur të shfaqte potencialin e tij intelektual. Kujtojmë me këtë rastse konjukturat politike që u krijuan në kushtet e vendosjes së diktaturës sllavo – komuniste, do të bënin të mundur që nën diktatin e Beogradit të likuidohej fizikisht ajka e intelegjencës shqiptare dhe të dënohej vepra e tyre, sepse të gjithë këto përfaqësonin potencialet më të fuqishme për të kundërshtuar të gjitha që do të bëheshin në Kosovë e në viset të tjera të trevave lindore në gjysmën e dytë të shek. XX
E vërteta është se shumë pak nga intelektualët e kohës mundën t’i shpëtojnë inkuizicionit sllavo – komunist, në të tilla raste do t’i ndihmojë shkalla e konfirmimit si personalitete, largim nga qendra e banimit, marrdhëniet shoqërore pa përjashtuar këtu edhe përshtatjen ndaj klimës politike të kohës.
Në kohët e reja që u krijuan në vitet e 50 dhe u stabilizua disi jeta politike, filloi të marrë shtytje zhvillimi i arsimit, shkencës, kulturës, natyrisht brenda kornizave të hekurta të ideologjisë e politikës në fuqi. Tashme kishte shumë arsye, që të gjithë të kuptonin se për të mbijetuar duhej punuar shumë, duke pranuar peshën e tutelës politike, ideologjike e administrative, por edhe pa u dukur shumë. Kështu ndodhi edhe me prof. Fehmi Aganin i cili deri në mesin e viteve 60 të shek. XX punoi si profesor në gjimnazet e Gjakovës e Prishtinës.
Akademik Fehmi Agani lindi më 23 janar 1932 në Gjakovë, ku mbaroi shkollimin fillor, ndërsa të mesmen e kreu në Prishtinë. Studimet për filozofi i mbaroi në Universitetin e Beogradit. Studimet pasuniversitare në shkencat politike i mbaroi poashtu në Universitetin e Beogradit, duke marrë gradën shkencore Magjistër i Shekncave Politike me temën “Pjesmarrja e punëtorëve në procesin e vendimarrjes në Gjermani”, më 1965. Gradën doktor i shekncave sociologjike e mori në fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës më 1973, duke mbrojtur me sukses tezën: “Partitë dhe grupet politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Në vitin 1951, iu kundërvua politikës të turqizimit të shqipëtarëve dhe për herë të parë u konfrontua më P.K.J.
Në fund të viteve ’50 dhe në fillim të viteve ’60 punoi profesor i shkollave të mesme në Gjakovë dhe në Prishtinë, ndërsa më vonë gazetar dhe redaktor i politikës së jashtme në Gazetën “Rilindja”. Në fillim të viteve ’70, nisi punën ligjerues i lëndës së Sociologjisë në Fakultetin Filozofik, ku luajti një rol të dorës së parë për zgjerimin e mësimdhënies në gjuhën shqipe dhe për zhvillimet e më vona të përgjithshme shoqërore.
Në vitin 1967 u zgjodh drejtor e themelues i Institutit Albanologjik në Prishtinë. Më vonë u zgjodh prodekan dhe dekanë i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Ishte themelues i Degës së Sociologjisë dhe të Filozofisë, të Institutit të Sociologjisë, Kryeredaktor i revistave Studia Humanistica dhe “Thema”, etj.,
Akademik Fehmi Agani në vititn 1968 ishte në ballë të demonstratave. Asnjëherë nuk iu friksua regjimit. Ishte gjitherë në ball të frontit për ndriçimin e fakteve historike, të drejtës sonë kombëtare, paralele me ligjërimin dhe punimet e tij shkencore. Prof. Agani edhe para lëkundjeve me vendosmërinë dhe guximin më të lartë njerëzor, kishte humor të këndshëm e të matur që lidhej me momentin, pa komplimente të rënduara.
Pas vitit 1981, për shkak të mospajtimeve me vlerësimin dhe me qëndrimet e politikës ndaj demostratave dhe ndaj çështjes shqiptare në Jugosllavinë e Titos, ishte në trysni të përhershme politike, ndërsa më 1984 iu morë e drejtatë jepte mësim.
Ishte nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ndër kryesorët në hartimin e dokumenteve të rëndësishme për Kosovën: Deklaratën e Pavarsisë, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Referendumin për pavarsinë, si dhe ndërtimin e institucioneve të Kosovës në bazë të zgjedhjeve presidenciale e parlamentare të Republikës së Kosovës të vitit 1992.
Më 1993, Prof. Agani u zgjodh anëtar me korespodencë, ndërkaq më 1996 anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ai ishte bartës i shumë dekoratave ndër të cilat edhe i Dekoratës “Urdhri i Lartë i Skenderbeut”, me të cilën e dekoroi Presidenti i Shqipërisë, Zoti Sali Berisha, dhe me “Urdhërin e Lidhjes së Prizrenit” me të cilën e ka dekoruar kryetari i Republikës së Kosovës.
Profesor Fehmi Agani ishte dhe mbeti njëri nga figurat më eminente në shkencën dhe kulturën jo vetëm shqiptare, por edhe më gjërë. Figura e tij është një personazh poliedrike, kurse vepra e tij, vepër shumë dimensionale dhe tërheqëse për të gjithë adhuruesit e shkencës.
Lajmi për vrasjen e prof. Fehmi Aganit e tronditi pa masë popullin shqiptar dhe se vrasja e intelektualëve shqiptarë në krye me akademik Fehmi Aganin, tragjedinë gjithëshqiptare e ngriti në pikën më kulminante. Nuk do koment se profesor Agani ishte në shënjestër që nga vitit 1981, e ndoshta edhe më herët, por pritej moment më i përshtatshëm për ekzekutimin e tij.
Vrasja e tij më 6 maj 1999, pas një rruge prapakthyese me trenin në fshatin Miradi të Epërme, në afërsi të Lipjanit nga forcat çetnike serbe, shkaktoi indinjatë të thellë në opinion. Krimi serb u dënua dhe u gjykua nga të gjithë ata që e njohën dhe e respektuan, qoftë si shkencëtar apo veprimtar politik.
Është vështirë të përshkruhet vepra e tij kaq e madhe në një portret kaq të vogël e modest, kur kihet parasysh një figurë kaq sublime. Të shkruajsh për veprën e prof. Fehmiut në këto rrethana është kënaqësi e madhe, por njëherësh edhe përgjegjësi e madhe. Është kënaqësi e madhe për arsye e vetë personaliteti i prof. Aganit dhe vepra e tij janë të lidhura dhe në shërbim të zgjidhjes së çështjes së Kosovës në ato vite, prandaj vetë emri i tij është i lidhur ngusht me lirinë, demokracinë dhe pavarsinë e Kosovës, ku gjithë jetën ia kushtoi zgjidhjes të këtij problem kaq të madh dhe jetik për trojet tona etnike. Në anën tjetër është edhe përgjegjësi të shkruhet për një vepër kaq të madhe kur kemi parasysh figurën madhore të prof. Aganit, i cili jetoi për të njëjtin ideal, por edhe vdiq për të. Ishte aq i lidhur për trungun e popullit të vet sa që edhe në momentin e fundit të jetës së tij u ndodh në mesin e popullit, në trenin e vdekjes, nga i cili tren e ndau regjimi shovenist dhe barbar i kryeçetnikut Millosheviq. Ishte zbritja e fundit, nga ky tren (6 maj 1999), pasi që të nesërmen kur familja kishte kërkuar të dinte për fatin e profesorit, kishte marrë kërcënime dhe sharje. Agjencia serbo-sllave e krimit propagandistic “Tanjug” dha informatën përmes së cilës krimi mbi prof. Fehmi Aganin drejtohej mbi UÇK- në. Një gënjeshtër në vazhdën e shumë gënjeshtrave serbe nuk trazoi të vërtetën e pastër si loti, sepse kriminelët serbë e kishin kryer edhe këtë akt mizor mbi njeriun që në Kosovë ishte i respektuar nga të gjithë.
Për figurën e profesor Aganit, në një vjetorin e vrasjes2000, do të prononcohet edhe Akademik Nexhat Daci, i cili në mes tjerash do të shprehet: “Pas humbjeve të natyrshme të emrave të mëdhej të saj në këto vitet e fundit, “tronditje eruptive pësoi në momentet më dramatike për shqiptarët me ndarjen tragjike të njeriut prej personaliteteve më të shquara të shoqërisë dhe të politikës shqiptare, të intelektualit, profesorit, akademikut, politikanit dhe humanistit, akademik, Fehmi Aganit.
Ai mësoi brumin më të mirë për teoritë shoqërore-politike, për kombin, vetëvendosjen dhe demokracinë, për ndërtimin e shoqërisë civile, për emancipimin kulturor dhe vlerave univerzale njerëzore. Punimet e tij më të mira me vision dhe koncept të qartë teorik, janë në funkcion të mbrojtjes së kërkesave themelore të shqiptarëve dhe të drejtave të tyre legjitime, duke e vështruar çështjen e Kosovës dhe të mëvetësisë së saj si komponentë të çështjes së përgjithshme shqiptare. Këto cilësi janë ndër aryset e vrasjes së Fehmi Aganit nga ushtria policia serbe e një regjimi fashist, i cili mëtonte të zhdukte çdo gjë shqiptare në Kosovë. Vrasja e Fehmi Aganit është humbje për studentët, për arsimtarët dhe Akademinë e Kosovës, njëkohësisht është humbje për popullin e Kosovës që ka mbetur pa njërin prej të parëve të vet shpirtëror e politik. Dhe, duke e mbajtur kujtimin për shembëlltyrën e akademik Fehmi Aganit dhe nderimin për veprën që na ka lënë, le të shfrytëzojmë porositë e jetës dhe veprës së tij, le të punojmë të vendosur që ta bëjmë njëmendësi idealin për të cilin ai ka punuar dhe jetuar –idealin e lirisë dhe të pavarsisë së Kosovës”.
Në pesëvjetorin e vrasjes së profesor Fehmi Aganit më 2004, kryetari i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në mes tjerash tha:
”Prof Agani mori pjesë aktive në aktet madhore të vendit tonë siç janë: Deklarata e Pavarsisë, Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Referendumi për Pavarsi dhe në ndërtimin e institucioneve të Kosovës në bazë të zgjedhjeve presidenciale e parlamentare të R. së Kosovës, të vitit 1992. Së bashku me prof. Aganin vendosëm themelet e shtetit të pavarur të Kosovës dhe funkcionimin e tij, që sot në botë njihet si shteti i shqiptareve të Kosovës apo si “shtet paralel”, si kontributi i ynë në historinë e lëvizjeve të botës për pavarsi. Ai për një decenie të tërë ishte njeriu më aktiv në lëvizjen tonë për liri, pavarsi e demokraci. Ai ishte gjithmonë në vijen e parë të veprimit në planin publicistik, diplomatik dhe të veprimit në teren…”
Prof. Fehmi Agani ka shkruar një numër të madhë punimesh shkencore nëpër revista dhe gazeta të vendit, në veçanti në revistat “Përparimi: dhe “Thema”, si dhe librat: “Në rrjedha të mendimit Sociologjik” (1990); “Demokracia kombi vetëvendosja”(Pejë, 1994); “Pavarsia, – shpresa edhe gjasat” (Pejë. 1999), etj.
Në vitin 2002, me rastin e 70 vjetorit të lindjes së tij, shtëpia botuese”Dukagjini”, ia botoi veprat në 8 vëllime. Gjithashtu, profesor Agani ka të botuar shumë studime, artikuj, trajtesa e polemika në organe të ndryshme shkencore, në revista dhe gazeta në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera.
Si njeri me kulturë të lartë dhe diapazon të gjërë të njohurive, ishte për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut si bazë e çdo funkcioni të institucioneve shtetërore, ishte kundër shtetit absolute”, kundër burokracisë së korruptuar dhe të degjeneruar në bazë të etnoçetnikedhe militarizmit ekstrem.
Ishte edhe mbeti njeri i shkallës më të lartë morale, kombëtare e shkencore, por edhe i kalibrit ndërkombëtar të shkencës. Vitet shtatëdhjetë sillnin lajmin nga Universiteti i Sarajevës se Prof. Agani është koka e Universitetit, por edhe kombit shqiptar.
Ky vlersim i ekspertëve të një universiteti, atëherë mjaft i njohur dhe shumë sprova të tjera, si dhe puna shkencore, politike, kontributi i shumëfishtë i tij dhe mjaft frytdhënës në lëvrimin dhe ndriçimin e çështjes kombëtare, deri në çastet e fundit të jetës së tij, janë dëshmi të gjalla të gjeniut njerëzore – prof. Agani.
Akademik Agani, së bashku me Akademik Ali Hadrin e të tjerë largohen nga Universiteti i Prishtinës si kuadro të “papërshtatshëm ideopolitikisht. Mirëpo, ai përsëri mirret me veprimtari shkencore. Periudha e dytë e veprimtarisë së prof. Aganit fillon nga fundi i viteve ’80 dhe fillimi i viteve’ 90 të shek. XX, kur filloi shpërbërja e ish federates famoze jugosllave dhe dalja në skenë e sistemit shumëpartiak.
Me fjalë të tjera kjo ishte periudha që ndërlidhet me daljen në skenë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së), ku profesor Agani ishte njëri nga themeluesit e saj. Me daljen në skenë të kësaj partie ku më pasë formohen edhe parti të tjera, fillon veprimtaria praktike politike e prof. Fehmiut,ku me tërë qenin e tij u vu në shërbim të zgjedhjes së çështjes kombëtare dhe më në fund ishte pjesmarrës direkt i delegacionit të Rambujesë dhe atij të Parisit.
Sot në këtë njëzet e tre vjetor të vrasjes makabre të prof. Fehmi Aganit nga kriminelët serb, shqiptarët kudo që janë e përkujtojnë me pietet akademik Agani, i cili punoj krah për krah me presidentin historik Ibrahim Rugova, deri në ditën e fundit të jetës së tij ( 6 maj 1999).
Profesor Agani ishte vizionar i madh, kishte konceptë të qartë demokratike dhe vizione kombëtare që kombi i Kosovës i pavarur të gjej vendin e vet në mesin e kombeve të lira perëndimore e ndërkombëtare. Ai kishte vision emancipues për kombin shqiptar nëpërgjithësi që përmes pavarsisë së Kosovës të zgjidh çështjen shqiptare.
Është më rëndësi të theksohet këmbëngulja e prof. Aganit në gjetjen e formave dhe në krijimin e rrethanave për integrimet e shqiptare, duke cekur si sukses simbolik e konkret të tij nxitjen dhe organizimin e Konsultës Gjuhësore të Prishtinës të vitit 1968. Në fillim të viteve të 90-ta akademik Fehmi Agani është në kreun e lëvizjes së madhe politike për pavarsinë e Kosovës kreator i ideve e nxitës i proceseve përtej suazave partiake. Profesor Agani gjatë këtyre viteve është i pranishëm në manifestimet e ndryshme, në kontaktet intensive me gazetarë e diplomat të huaj, i dhënë pas shpjegimit, argumentimit të arsyeve për pavarsinë e Kosovës. Dora e tij hetohet qartë në hartimin e dokumenteve për lëvizjen politike në Kosovë në dekadën e fundit. Njëkohësisht ai këmbëngulte në selitjen e lidhjeve miqësore të shqiptarëve me popujt fqinjë. Refleksi i drejtpërdrejtë i ideve të Aganit për këto çështje më duket kërkesa që në këto procese të ndërlikuar të shoqërisë sonë të mos i krijohen kuazidilema si ato lidhur me epërsinë e realizimit të standardeve para statusit ose e kundërta. Është e qartë, njëra dhe tjetra ndërtuar paralelisht, madje në mënyrë të ndërthurur.
Vepra e akademik Fehmi Aganit përmban në vete gjithnjë ide dhe mendime aktuale e të gjalla dhe ky është një prej dimensioneve që e bëjnë një nga figurat më të rëndësishme kulturore, shkencore dhe shoqërore të Kosovës dhe të botë shqiptare.
Figura e tij shkrinte në një emrus të përbashkët mendimtarin humanist dhe intelektualin e angazhuar, për të krijuar kështu vizione dhe horizonte”- do të shprehej me një rast profesor Rexhep Ismaili dhe do të vazhdoi, “Prej rrezulltateve me peshë në fushën e dijes, akademik Fehmi Agani buronte nga mendja dhe sjellja e tij krejtësisht e veçantë”.
Por, vrasja tinzare nga falangat serboçetnike e Akademik Fehmi Aganit në moshën 67 vjeçarë, më 6 maj 1999, ishte një humbje e madhe për kulturën, arsimin dhe shkencën shqiptare, pasi studjues të tillë dhe personalitete me taban kombëtar Kosovës e Shqipërisë i vijnë jo edhe aq shpesh.
Edhe ky moment homazhi me rastin e njëzet e tre vjetorin të vrasjes dhe 90 vjetorit të lindjes së akademik Fehmi Aganit, është një rast i mirë të shpalosim vlerat e vërteta e të amshueshme të profesorit, njeriut, shkencëtarit, diplomatit, politikanit, akademikut dhe humanistit, për të ndjekur shembullin e tij, e për të gjetur frymëzimin e krijimtarisë te këto gurra të pastra, duke gjurmuar nëpër arkiva, ku ruhen vlera të çmuara që frymëzuan dhe e ushqyen veprën madhore të akademik Fehmi Aganit. Mbi këtë bazë ai shtronte dhe problemet që i trajtonte, u bënte ball me sukses të plotë kritikës shkencore.
Për këtë arsye Fehmi Agani është padyshim, emër i dijetarit që mbërthente në vete guximin politik, emër i politikanit që mbillte në veprimtarin e tij mendimin shkencore, emër i eseistit sociologjik, filozofik dhe politik që parashihte ardhmërinë.
Vepra e Fehmi Aganit është, pa mëdyshje, vepër e patriotit të dëshmuar që e tërë Kosova ndjehet krenare, vepër e shkencëtarit të pranuar, dhe vepër e metodologut të afirmuar.
I tillë qe tërë jetën, i tillë do të jetë edhe në faqet e historisë kombëtare. Duke respektuar veprën e tij të madhe humane, shkencore, politike, kombëtare, respektojmë dashurinë e tij të madhe për popullin dhe tokën e vet, respektojmë vetveten dhe vlerat dhe këshillat bashkë me amanetin e tij, të madh për ardhmërinë tonë njerëzore e kombëtare. I popullit ishte, me popullin bashkëjetoi deri në çastet e fundit dhe për popullin punoi, si dhe i popullit do të mbetet në përjetësinë e tij historike, bashkë me dashurinë e tij të madhe që pati për popullin dhe tokën e vet që e rritën dhe do ta përjetësojnë me plotë meritë deri në pavdeksinë historike të kombit shqiptar.
Ne, ishstudentët e tij, me respekt dhe mburrje e përulje shqiptojmë emrin e tij, që ëshë shkruar me shkronja të arta në mbajmendjen tonë, deri në amshim, sepse Profesor Agani, me jetën dhe veprën e tij, drejtpërdrejtë hyni në pantenonin e personaliteteve më të shquara të kombit.
Figura e Akademik Fehmi Aganit, në mënyrë të amshueshme do të jetoi në zemrat dhe mendjen e shqiptarëve për të cilët edhe ra viktimë dhe u bë simbol i Pavarsisë së Kosovës. Me pietet dhe respekt të madh do të përkujtojnë gjeneratat e reja, vepra e të cilit si fanar i Diogjenit do të ndriçojë rrugën drejt ardhmërisë. Prof. Fehmi Agani edhe pse qe njëzet e tre vjet nuk është fizikisht në mesin e të gjallëve, vepra e tij do të jetë e pavdekshme e cila asnjëherë nuk do ta humb vlerën e vet dhe do të shërbejë si busollë dhe model se si duhet studjuar, hulumtuar dhe vepruar qoftë në fushën e shkencës në aspektin teorik ose në rrafshin praktik si veprimtar politik.
Pra, Akademik Fehmi Agani do të mbetet shembëlltyrë e idealeve të lirisë njerëzore e kombëtare të shqiptarëve. Nëpërmjet këtij përkujtimi homazh përmbush një detyrim personal për të shprehur nderimin, respektin dhe mirnjohjen më të thellë për veprën dhe sakrificën e jetës së tij, sepse Akademik Agani –është emër i pedagogut të respektuar, emër i profesorit të lavdëruar dhe është emër i politikanit të nderuar.
Zoti e bekoftë Profesor Fehmi Aganit, Zoti e bekoftë familjen Agani. Zoti e bekoftë Kosovën tonë të shtrenjtë!
06. .V. 2022
Strugë