Prof. Dr. Nebi Dervishi
“Ekzekutimi i Hasan Prishtinës” – Atentat politik
Më 13 gusht mbushen plot 88 vjet nga atentati politik dhe ekzekutimi i Hasan Bej Prishtinës në Selanik, nga i ashtuquajturi Ibrahim Çelo – që edhe sot ka ngelur enigmë, kush qe urdhëruesi….
Personaliteti poliedrik i përmasave mbarëkombëtare, Hasan bej Prishina, hyri në rrugën e shkollimit, të diturisë e të kulturës në vendlindje (Vushtri, 1873), e vazhdoi në gjimnazin e Selanikut dhe e përfundoi në fakultetin e drejtësisë së Stanbollit. Shkëlqen për zgjuarsi e zell në mësime, zotroi për mrekulli nëntë (9) gjuhë të huaja dhe u thellua në studimin e literaturës historike. Biografinë e Hasan Prishtinës e ka skalitur një komb i tërë, veçanërisht gjysëm-Shqipëria kosovare e martirizuar për gati një shekull nga kryqëzatat sllave. Hasan Prishtina zgjidhet 3 herë deputet i Prishtinës (1908-1912) në Parlamentin Osman; ishte udhëheqës i parë ushtarak i Kryengritjes së Përgjithshmë të armatosur (1912); ministër në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës (1912); anëtar më aktiv i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”; strateg i lëvizjes çlirimtare të Kosovës (1914-1918); kryesues i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Paqes (Paris) 1919; organizator i Kongresit të Lushnjës (1920); deputet i Dibrës në parlamentin e parë shqiptar; kryeministër i një ndër qeverive më demokratike; kundërshtar i reaksionit të brendshëm proserb e progrek dhe drejtues i Lëvizjes Nacional Çlirimtare, e i luftës së çetave të Kosovës kundër sundimit serb (1922-1923); pjesëmarrës i zellshëm i Revolucionit demokratik borgjez (qershor 1924); hartues i protestave në Lidhjen e Kombeve (1924) ndaj barbarive që ushtronte ushtria dhe çetnikët serb në Kosovë. Nga vitet 1925-1933 vepron në mërgim (Itali, Greqi, Austri, Francë, etj.).
Në brendinë e kësaj rrjedhje vigane rritet edhe figura e mbushur me dimensionet e një udhëheqësi e strategu të madhë. Një populli me histori mbi 3000 vjeçare, i duhej ribashkimi shpirtëror, territorial, shtetformësia, pavarsia e patjetërsueshme dhe qytetërimi evropian, të cilat e prekën pa masë, dhe për të cilat luftoi pa u kursyer deri në fund të jetës së tij, Hasan Prishtinën. Ai mori përgjegjësinë dhe nisi rrugën më të mundishme, e më të vështirë, atë të luftës. Si politikan diplomat, e strateg ai veçohet në plejadën e personaliteteve të kombit, që i dhanë nder Shqipërisë, si: Isa Boletini, Haxhi Zeka, Ismail Qemali, Hoxh Kadriu, Luigj Gurakuqi, Fan Noli, etj.) dhe ndahet katërcipërishtë me strategjinë e krerëve antishqiptarë. Ai qëndroi gjer në agoni si parashikues, ideator, organizator dhe udhëheqës i mbi 30 viteve (1902-1933) luftë në Kosovë.
Personaliteti i shquar në historinë shqiptare, stuhia e maleve të Kosovës, siç do ta quante Hasan Prishtinën, një studjues e biograf , është kryestrateg i një Kosove – legjendë heroizmi që nuk mund të bësh paralelizëm me ndonjë figurë tjetër: katër atentate me armë; dy herë i burgosur nga serbët e bullgarët; gjashtë herë i dënuar me vdekje nga Stambolli, Beogradi dhe sejmenët e tyre në Shqipëri, tre dënime me vdekje nga regjimi Monarkist shqiptar. Dhe kjo përndjekje njëzët e ca vjeçare e përqëndruar mbi një potencial prijësor ushtarako-politik, si Hasan Prishtina, finalizohet më 13 gusht 1933, në Selanik.
Pas përmbysjes së qeverisë së Nolit, më 1924, edhe Hasani sikur shumë patriot të kësaj kohe, aktivitetin e vet e zhvilloi jashtë atdheut, sidomos në Austri. Sikur të gjithë emigrantët shqiptarë, ashtu edhe Hasan Prishtina, përveç se ishin të ndjekur ai edhe përcillej nga organet policore të Austrisë. Nga dokumentet austriake mbi emigrantët shqiptarë në Vjenë (1927-1933), të botuara në Vjetorin XXIII, nga autori Faik Mehmeti , nxorrëm disa shënime që flasin për këtë atdhetarë dhe figurë të ndritur të kombit shqiptar, sidomos për disa tentime të më hershme për të vrarë, që inicioheshin nga pushteti i Ahmet Zogut.
Në një njohtim zyrtar të Drjetorisë së policisë në Vienë të datës 3 shkurt 1928, drejtuar zyrës federale, thuhet se një ditë më parë, kjo drejtori ia ka tërhequr vërejtjen Konsullatës Shqiptare në Vienë se një shtetas shqiptar i quajtur Kruja ka kërkuar të bisedojë me konsullin shqiptar Catin Saraçi. Bëhet me dije se Kruaja në një kafenë “Stad-park” disa emigrantëve shqiptarë u ka treguar se në Vienë ka ardhur me detyrë të bëjë atentat ndaj Hasan bej Prishtinës.
Hetimet e zhvilluara tregojnë se ky shtetas shqiptarë i quajtur Kruaja, ishte Ibrahim Lika, xhandar i dikurshëm, i cili më vonë u mor edhe me profesionin e kafexhiut. Ibrahim Lika derisa po kthehej në hotelin “RIVA”, arrestohet dhe i dorëzohet policisë. Në hetuesi ky pranon se për vrasjen e Hasan Prishtinës i është ofruar një shpërblim i madh, për çka ishte pritur edhe te Ahmet Zogu, mbret i Shqipërisë. Si shpërblim merrë nga dora e Gani Bej Kryeziut 30 napoleona ari dhe një revolver.
Me këtë rast ky njohtohet se në botën e jashtme për të likuiduar disa emigrant shqiptarë janë dërguar edhe nja 5-6 individë të tjerë.
Mirëpo, Ibrahim Lika (Kruaja) pohon se detyrën që e kishte marrë, nuk kishte ndërmend ta zbatonte. Si dëshmi e këtij pohimi është e dhëna se si revolen e kishte hudhur në det. Siç bëhet e ditur, Ibrahim Lika më 6 mars 1928, dëbohet nga Austria, për të udhëtuar në Jugosllavi, i përcjellë nga një civil i policisë.
Zyra federale e punëve të jashtme në Vienë njohtonte edhe për një plan të ri atentati kundër Hasan Prishtinës. Në një shkresë tejet sekrete thuhet: “Kamë nderin t’ju lajmëroj se sot një nënpunës i kuesturës së këtushme mbretërore ishte në bisedë dhe në besë më ka treguar se një nënshtetas shqiptar i quajtur Islam Tabaku, i cili jeton në Bari, ka për qëllim që brenda 8-14 ditë të udhëtojë për në Vienë dhe atje të vras Hasan bej Prishtinën .
Duke pasur parasysh se jeta e tij kërcënohej gjithnjë e më shumë nga njerëz të paguar për ta vrarë, Hasan Prishtina ndërron vendbanimet. Në një dokument të 3 majit 1931 shihet se Hasani atëbotë ishte duke banuar në Mynih, në rrugën “Herzog Rudolfstrasse”, nr. 24. Bashkëshortja e tij, e cila jetonte në Vienë, kishte paraqitur kërkesë që Hasani të kthehet dhe t’i lejohet qëndrimi për pak ditë në Vienë. Më vonë (më 1931) Hasani për një kohë jetoi në Paris, por here pas here kthehej në Vienë.
Drjetoria federale e policisë në Vienë informon Federatën (Ministrinë) e Punëve të Jashtme, më 17 gusht 1933, se katër ditë më parë, pra më 13 gusht, në Selanik është vrarë ish-kryeministri shqiptar Hasan bej Prishtina. Atentatori është Hysen Tolia, i cili është privuar nga liria edhe gjendet në burg. Për vrasjen e Hasan Prishtinës shkruan edhe gazeta e këtushme vieneze. Sipas këtij dokumenti, të bazuar në deklaratën e Hysen Toles, ky ka shtënë me revole në Hasan Prishtinën, për shkaqe të hakmarrjes, meqë i vëllai i tij, së bashku me disa shqiptarë, qënkan ekzekutuar me urdhërin e Hasan Prishtinës. Duke u bazuar në shkrimet (lajmet) e disa gazetave, Hasan bej Prishtinën e ka vrarë Hysen Tolia Ibrahimi, sepse ky (Hasan Prishtina) paska përgatirut atentat kundër Ahmet Zogut, dhe se pas atentatit kundër mbretit Zog në Vienë ai me kërkesën e Drejtorisë Federale të Policisë lëshon Austrinë, për të shkuar pastaj në Francë dhe Turqi.
Në këtë dokument jepet edhe njëherë një pasqyrë më e qartë për atentatorin. Me këtë rast thuhet se atentatori quhet Hysen Ibrahim Çelo, tregëtar, i lindur më 15 qershor 1896, në Resnjë të Shqipërisë. I autorizuar nga Shqipëria, më 11 korrik 1933 nga Budapesti arrin në Vienë. Çelo ka deklaruar se vrasjen e Hasan bej Prishtinës e bëri për shkak se i kishte borxh një shumë të madhe parash .
Një gjë e tillë duket se nuk qëndron edhe nuk është e saktë, sepse Hasan Prishtina nuk ka mundur t’i ketë borxhë askujt, sepse ai tërë pasurinë që e kishte e shkriu për të mirën kombëtare shqiptare .
Vrasja e atdhetarit Hasan Prishtinës në Selanik të Greqisë nga një emigrant pothuajse i panjohur, Ibrahim Çelo, jo vetëm, që tronditi gjithë opinionin mbarëshqiptar, por edhe hodhi hije të forta dyshimi mbi autorsinë e vërtetë apo urdhëruesin e kësaj vrasjej, vetë Naltëmadhërinë e tij, Ahmet Zogu. Ky dyshim vinte jo sepse autori Ibrahim Çelo deklaroi një gjë të tillë, në organet e policisë greke, por sepse mënyra dhe ekzekutimi i vrasjes ishte pothuajse i njëjtë si vrasja e Gurakuqit më 2 mars 1925 në Bari të Italisë. Atentatori, ashtu si edhe në rastin e Gurakuqit, ishte një i njohur i viktimës dhe të dy martirët e lirisë shqiptare kanë qenë viktima të pabesisë së vrasësve .
Gazeta greke “Të reja nga Maqedonia”, më 14 gusht 1933, përshkruan momentet e vrasjes së atdhetarit Hasan Prishtina si vijon: “Vrasja u krye në orën 2 mbas dite më datë 13 gusht 1933. Në rrugë Cimisqi u pa një zotri i moshuar i mbajtur mirë dhe me tipare simpatike, të ecte përkrah e të fjaloste me një person të veshur mirë, i gjallë, sa e tradhtonte dhe toni i zërit. Arritën në kryqëzimin e rrugës Cimisqi – Vogaxhiku dhe po drejtoheshin për tek Bakallkane “V” dhe në largësi dy hapa nga kinkaleria e invalidit J. Janopullo. Njeriu me pamje të zymtë nxorri rrufeshëm revolen e markës “SMITH” dhe shtiu kundër bashkëbiseduesit, i cili ishte Hasan bej Prishtina, që ra në trotuar. Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të parrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në krahëror dhe të tretën në kokë, si e shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurtë për përfundimin e aktit të vrasjes. Siç kuptohet nga përshkrimi i gazetës, ajo duket që ishte një vrasje e porositur, pasi vrasësi në mënyrë makabre nuk ndalet as kur viktima ishte i shtrirë përdhe, por e qëllon në kokë për t’u siguruar se ka kryer “misionin” gjer në fund. Mirëpo ajo që e përforcon më shumë bindjet se Hasan Prishtina ka rënë viktimë e ambicjeve të Mbretit Zog për të përforcuar pozitat e tij sunduese janë rrethanat ndërkombëtare dhe koha kur u realizua vrasja .
Hasan Prishtina, ishte një nga krijuesit e Pavarsisë së Shqipërisë, udhëheqës i kryengritjes së viseve shqiptare ose Kryengritjes së Shtatorit 1913 kundër pushtimit të tyre nga ushtria serbe, restaurues i pavarsisë së Shqipërisë në vitin 1920 dhe kryeministër i një qeverie shqiptare në 1922. Ishte një nga përkrahësit më të flaktë të përfshirjes së Shqipërisë në problemin kosovar dhe realzimin e një politike më aktive të Shqipërisë për të realizuar bashkimin kombëtar .
Pra, Hasan Prishtina ishte një prej burrave më të njohur të Kosovës. Që prej aktiviteti patriotik në pralamentin e Stambollit 1908, kishin rrjedhur shumë ujra. Që prej asaj kohe kishte parë të kalonin para tijë shumë njerëz, politikanë, luftëtarë, fshatarë të thjeshtë, diplomat të huaj…
Vetëm disa muaj para se të vritej, në Selanik, Hasan Prishtina duket se nuk kishte asnjë dyshim, edhe ai do të kishte fatin e njerëzve të shquar të Shqipërisë, pra atë më tragjiken.
Më 1928, Ahmet Zogu “Mbreti i shqipëtarëve” e kishte deklaruar atë si një tradhëtar të kombit, si një njeri pra, që meritonte dënimin me vdekje. Një nga njerëzit që ndikoi aq shumë në bërjen e Shqipërisë, ishte dënuar me vdekje nga pasardhësit e tij politik. Më shumë se një histori personale e kreut kosovar, ky është një refren që do të dëgjohet shumë shpesh në jetën politike të Shqipërisë në fund të shekullit XX dhe fillim të shekullit XXI.
Ja përse jeta dhe fundi i tij mund të jenë më shumë se një histori e thjeshtë spiunazhi. Një shembull se si i trajton ky vend njerëzit të cilët i shërbejnë me devotshmëri e sakrifica sublime deri në vdekje .
Pra, në vitin 1928, Mbreti Zog e dënoi me vdekje Hasan Prishtinën. Në këtë vit, Zogu ndodhej në një periudhë të cilën nuk ka arritur ta kuptonte as vetë fare mirë. Nga njëra anë duhej të kënaçte ambicjet politike të Beogradit, që e ndihmoi “për rikthimin e Legalitetit më 1924”, por nga ana tjetër duhej të ishte i matur, me njerëzit të cilët i ndihmuan të bëhej mbreti i parë i shqiptarëve në kohët moderne, pra me Musolinin dhe me njerëzit e tij. E tërë historia që do të vazhdojë më pas, e mbushur shumë herë me ngjarje enigmatike dhe ende të paspjeguara, ka të bëjë pikërisht me këtë pozicion delikat të Zogut. Në këtë lëmsh të ngatërruar politik, ku shpesh – madje edhe fuqishëm ngatërroheshin interesat angleze disa prej historive më të komplikuara të dekadave të fundit të shqiptarëve, ato të vrasjeve të mëdha. E njëra prej tyre është vrasja e Hasan Prishtinës .
Vrasja e Hasan Prishtinës ka ndodhur më 13 gusht 1933 , në orën 2 mbas dite, në Selanik, ku i vrari kishte shkuar tek i vëllai i tij Ymeri, i cili njihej si pronar i madh tokash dhe tregëtar. Sipas gazetës greke “Lajme nga Maqedonia” , e datës 14 gusht, “në orën 02 50 mbasdite, oficeri i policisë Sotiriu kishte marrë në pyetje vrasësin Ibrahim Çelo, shqiptar nga Resnja. Vrasësi kishte pranuar se aktin e kishte kryer nisur nga motive politike”. Sipas tij i vrari ishte komit dhe bashkëpunonte me komitetet bullgaro-maqedonase, me qëllim vrasjen e mbretit të Shqipërisë Ahmet Zogun. Sipas tij Hasan Prishtina e kishte detyruar për t’u bërë kryetar i bandës e cila do të realizonte vrasjen. Duke i premtuar shpërblim para dhe pas aktit të planifikuar. Ky i fundit e kishte kundërshtuar një gjë të tillë. Më pas Hasan Prishtina e kishte njohtuar të vinte në Selanik, se do t’i ngarkonte një punë e cila do bënte 5 mij drahmi në muaj. Vetëm 14 ditë para vrasjes ata ishin takuar dhe vrasësit i ishte thënë se tashmë kishte ardhur koha të bëhej vrasja patriotike kundër Zogut dhe ministrave të tij. Kjo ishte “puna” për të cilën e kishte thirrur. Pasi Çelo nuk kishte pranuar duke i kërkuar Prishtinës të rimbante premtimin, ky i fundit i ishte përgjigjur: “Nuk të solla këtu të jap para për sytë e bukur, ose shko në Bullgari të marrësh 10 komitë e të vrasësh Zogun, ose ik prej këndej. Pas kësaj Çelo është revoltuar dhe e ka goditur menjëherë Prishtinën, duke e skuqur rrugën ku po bisedonin deri në atë moment, shkruante gazeta “Demokratia” e datës 26.08.1933 .
Ndërsa Hasan Prishtina do të varrosej në mënyrë madhështore, me qivurin e mbuluar me flamurin shqiptar nga patriotë të ardhur nga anë e mbanë botës, vrasësi Ibrahim Çelo do të vritej në sallën e gjyqit. Pra si ç’do vrasje politike, enigmat nuk munguan.
Disa akuzojnë Zogun, dhe pse jo, përse Hasan Prishtina duhet legjitimuar dhe pastruar nga ç’do përgjegjësi. Si organizator i disa atentateve ndaj tij e kishte mbushur kupën…
Megjithatë kjo alibi me kalimin e viteve ka ardhur duke u fashitur dhe ja përse. Që kur ndodhi vrasja, avokati i Çelos, J. Marçellos në vrasjen e Hasan Prishtinës shihte gishtin e Jugosllavisë. Siç dihet, Italia kishte kohë që nxiste dhe financonte iredentistët kosovar dhe bullgaro–maqedonas kundër Mbretërisë Jugosllave. Diplomacija e saj shikonte tek Hasan Prishtina një nga krerët e Komitetit të Kosovës i cili kishte kohë që i shtyrë nga ajo vetë po përpiqej të nënshkruante me Ivan Mihajlovin, kreun e revolucionarëve bullgarë, një planë bashkëpunimi, dhe bashkarishtë të nisnin aksione me karakter guerilo-luftarak për përmbushjen e aspiratave të tyre. Shfaqja e një rreziku potencial përpara Jugosllavëve i shtyu ato të eleminonin Hasan Prishtinën. Një pistë e tillë trajtohet dhe nga gazeta greke “Tofos” e Selanikut, nr 7557, e datës 18.08.1933.
Vrasja e Hasan bej Prishtinës është karakteristike se prodhoi e bëri përshtypje të madhe në Beograd. Të gjitha gazetat e kohës dhe të gjitha partitë politike nuk e lëshuan rastin të theksonin se në personin e të vrarit u zhduk një nga armiqtë më me rëndësi të politikës serbe në Shqipëri bile edhe një prijës i rrezikshëm i shqiptarëve të jugut.
Drama e Selanikut dëshmon se presionet e jashtme për ndryshimin e sotëm në Shqipëri, arritën në një pikë të mprehtë. Italia nga perëndimi dhe Jugosllavija nga lindja e verilindja me gjithë fuqinë e tyre shtrëngojnë jetën e brendshme të Shqipërisë.
Ndjenja e papërmbajtur e kënaqësisë për këtë vrasje, domosdo nuk është e mjaftueshme për të treguar se këtë e ka organizuan serbët. Të paktën pikpamja zyrtare pretendon, sipas atyre që u shkruan, se direkt ose indirekt ka pjesë edhe “Bela Ruka”. Në kulisa flitet shumë. Dhe megjithëse hetimet mund të hedhin dritë mbi gjëra të habitshme, përsëri Beogradi është i qetë. Askush nuk do të mundohet të shkoqis se ç’janë gatuar rreth kësaj vrasjeje. Drama e Selanikut është nga ato drama misterioze që mbyten në koridoret e errëta të ministrive të jashtme ose janë objekt i marrëveshjeve të fshehta dhe të intrigave të pazbuluara. Shumë kanë për të shkruar për Ibrahim Çelon, por askush nuk ka për t’a zbuluar dorën misterioze e cila i dha revolverin. Askush s’ka për ta ditur kurrë nëse oborri i Tiranës e lajkatosi apo Beogradi e fantazoi.