Rritja e numrit të aksidenteve në trafik ka shtuar masat e Policisë së Kosovës.
Për të përmirësuar nivelin e sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve, policia po thyen rekord me tiketa të shqiptuara, raporton Indeksonline.
Nga janari deri në muajin tetorin, policia e trafikut rrugor ka shqiptuar 344 mijë e 946 tiketa për kundërvajtje.Nëse mesatarja e gjobës se shqiptuar është 25 euro, atëherë për tetë muaj buxheti i Kosovës është pasuruar me mbi 8 milionë euro.
Nga kjo llogaritje i bie që për çdo muaj nga 1 milionë euro janë shtuar në buxhet vet nga gjobat e shqiptuara në rrugë, shkruan Indeksonline.
Për dallim nga viti i kaluar këtë vit edhe numri i tiketave është më i madh. Nëse krahasojmë periudhën e njëjtë me vitin e kaluar, ku ishin shqiptuar 276 mijë e 453 gjoba këtë vit ka mbi 68 mijë gjoba më shumë.
Nga zyra për media e Policisë së Kosovës, në një përgjigje për Indeksonline thuhet se njësitë policore po monitorojnë dhe menaxhojnë trafikun nëpër të gjitha rrugët e vendit ku po aplikohen masa ndëshkuese ligjore për shkelësit e ligjit.
“Policia e Kosovës me njësitet e saj vazhdon të monitorojë dhe të menaxhojë situatën në trafikun rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit dhe aty ku pjesëmarrësit bien ndesh me rregullat në trafik, masa ndëshkuese ligjore do të aplikohen me qëllim të parandalimit të rasteve të aksidenteve dhe krijimit të një sigurie më të madhe për të gjithë”, thuhet në përgjigjen e PK-së.
Kujtojmë që sivjet kanë vdekur 118 persona në aksidente trafiku.