Krahu i luftës në BDI kërkon llogari nga subjekti për shkrirjen e Sekretariatit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në ministri. Ish nënkryetari i Kuvendit dhe zyrtar i BDI-së, Rafiz Aliti deklaron se në parti nuk është diskutuar asgjë sa i përket shpërbërjes së sekretariatit. Aliti shton se nuk janë kundër krijimit të ministrisë së re por sipas tij nevojiten konsulta thelbësore brenda-partiake.
“Ne nuk kemi qenë të informuar për iniciativën për shkrirjen e SIMO-së. Ne nuk jemi kundër krijimit të ministrive të reja të cilat do të avanconin segmentet të caktuara të MO-së apo ndonjë ministri që është në interes të gjithë qytetarëve dhe shqiptarëve, kuptohet që ne nuk mund të jemi kundër, por gjithsesi se për të marr një iniciativë për shkrirjen e sekretariatit duhet një konsultim më i gjerë”, tha Rafiz Aliti, ish-deputet i BDI-së.
Aliti konfirmon se bashkë me Hazbi Likën dhe ish luftëtarët e tjerë janë takuar me kreun e BDI-së, Ali Ahmetit, nga i cili kanë kërkuar debat më të gjerë dhe që iu ka premtuar zgjidhje të përbashkët, por që sipas tij prapë vendimet janë marr pa informuar krahun e luftës. Në rast se subjekti nuk dëgjon zërin e tyre, krahu i luftës nuk përjashton mundësinë për t’u shkëputur nga BDI-ja.
“Sekretariati është diçka e veçantë për ne si BDI si parti që dolëm nga 2001. Nuk kemi biseduar për ndonjë iniciativë të tillë. Dua të jem i sinqertë, ne kërkojmë zgjidhje brenda BDI-së. Nëse nuk gjendet zgjidhje, gjithsesi se secili nga ne duhet të mendojë se si do të veprojë politikisht”- theksoi Rafiz Aliti, ish-deputet i BDI-së.
Reagimet e Hazbi Likës dhe krahut të luftës në BDI kundër shkrirjes së Sekretariatit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në Ministri për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive erdhën një ditë para se propozim-ligji të kalonte fazën e parë në Kuvend. Lika dhe krahu luftarak kërkojnë debat të brendshëm partiak, duke pretenduar se ndjehen të tradhtuar nga kreu i partisë Ali Ahmeti, për faktin që ky i fundit nuk ka dëgjuar zërin e tyre. BDI ndërkohë kundërshton akuzat e tyre duke theksuar se shkrirja e sekretariatit është paraparë në programin zgjedhor dhe deklaratën e përbashkët të partive politike shqiptare./Alsat-M