400 euro të tjera do të shtohen në llogaritë e zyrtarëve në pagën e janarit, njoftoi Sindikata e Pavarur e Administratës Shtetërore. Rritja vjen si pasojë e rritjes së pagës mesatare në shtet për vitin paraardhës 2023. Këto 400 euro janë vetëm një shtesë e rritjes prej 78%, që nga prilli e kanë marrë tashmë rreth dy mijë persona, përfshirë presidentin, kryeministrin, ministra, deputetë, kryetarë komunash, gjyqtarë e të tjerë. Pra, sipas llogaritjeve të Sindikatës së Pavarur të Administratës Shtetërore, nga 160 mijë denarë, të hyrat mujore të Pendarovskit, Kovaçevskit dhe Xhaferit në fund të këtij muaji do të rriten në 184 mijë denarë, gjegjësisht tre mijë euro, ndërsa pas tyre pasojnë Artan Grubi dhe Fatmir Bytyqi me rreth 175 mijë denarë, raporton Alsat, transmeton Portalb.mk.
Mirëpo, Bytyqi në nëntor ka thënë se kjo rritje e re prej 400 eurosh nuk do të parashikohet në buxhetin e ri dhe Qeveria ka marrë vendim që për funksionarët e saj të mos e rriten pagat e janarit. Ndryshe, pas revoltës në opinion që nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese në mars, qeveria njoftoi se do të kërkonte zgjidhje për rritjen prej 78%, por ata vetëm arritën në përfundimin se nevojiten ndryshime në shtatë ligje. Ndryshime nuk ka paraqitur as opozita, deputetët dhe kryetarët e së cilës kanë paga më të larta. VMRO-DPMNE sot është ankuar për rritje të mundshme të janarit, por nuk ka ofruar zgjidhje.
“Pagat e Kovaçevskit, Pendarovskit, Xhaferit, Spasovskit, Grubit, Osmanit, Mariçiqit, Gërkovskës, Petrovskës dhe ministrave të tjerë në Qeverinë e LSDM-së dhe BDI-së do të rriten për 400 euro shtesë këtë vit 2024”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Kovaçevski paraprakisht tha se tema për uljen e pagave të të zgjedhurve dhe të emëruarve nuk ka përfunduar, por që kjo të ndodhë duhet të pajtohen ministrat dhe deputetët dhe përfaqësuesit e gjyqësorit. LSDM-ja sot nuk ka komentuar për pagat e larta të zyrtarëve. Partia në pushtet e ruajti rritjen e pagës mesatare, e cila tashmë është 39 mijë denarë, ndërsa pagën minimale më të lartë në mars e paralajmëroi përmes metodologjisë së re.
“Në vitin e ri vazhdon rritja e pagave dhe pensioneve, me LSDM çdo punëtor merr më shumë. Nga muaji mars do të ketë rritje të re të pagës minimale në 22.500 denarë. LSDM-ja e rriti pagën minimale katër herë në gjashtë vjet, ndërsa këtë vit 2024 do të ketë rritje të re”, tha Elena Ustamitova – LSDM.
Rritja prej 78% e pagave të zyrtarëve është paraparë edhe në buxhetin e ri për vitin 2024, ndonëse pritej që në periudhën prill-dhjetor të rikthehej përllogaritja e vjetër e pagave të zyrtarëve. Kjo nuk ndodhi dhe së fundi në një intervistë televizive kryeparlamentari Talat Xhaferi, i cili është pretendent për postin e kryeministrit teknik, tha se tema e pagave nuk do të jetë pjesë e prioriteteve të tij dhe do të fokusohet në organizimin e zgjedhjeve. Qeveria Teknike pritet të fillojë punën më 28 janar, ndaj me shumë gjasa kjo çështje do të presë përbërjen e re parlamentare dhe Qeverinë e re.
Rritja e pagave me 78 përqind për mbi një mijë zyrtarë ndodhi me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në mars për shfuqizimin e nenit 4 të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për pagat dhe kompensimet e tjera të personave të zgjedhur dhe të emëruar, i cili shkriu pagat e zyrtarëve të cilat janë fiksuar që nga viti 2014. Që atëherë, bazë është paga mesatare e vitit paraprak e përcaktuar nga Enti Shtetëror i Statistikave.