Nesër pritet që 45 kufomat e aksidentit fatal në Bullgari, të sillen nga Sofja dhe t’u dorëzohen familjarëve. Këtë e ka konfirmuar edhe ambasadori bullgar në Shkup, Angell Angellov. Ai është shprehur se transportin e tyre e kanë rregulluar me dy aeroplanë transportues ushtarak dhe do të nisen mëngjesin e ditës së nesërme.
Angell Angellov, ambasadori i Bullgarisë
“Pala bullgare do të sigurojë dy aeroplanë transportues ushtarakë, me të cilat nesër në mëngjes do të transportohen eshtrat e viktimave në fatkeqësinë e komunikacionit”.
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se të premten paradite trupat e viktimave të tragjedisë në Bullgari, do të arrijnë në Aeroportin Ndërkombëtarë në Shkup.
Zëvendësprokurori kryesor dhe drejtori i Shërbimit Nacional Hetues në Bullgari, Borisllav Sarafov deklaroi për BTA se tashmë janë identifikuar të gjitha 45 viktimat e autobusit që ndërruan jetë si pasojë e djegies së autobusit në autostradën Struma. Identifikimi i tyre është bërë me profile të ADN-së, që u morën nga familjarët në Mjekësinë Ligjore në Shkup.
Po bëhen pothuajse 10 ditë nga tragjedia që tronditi vendin, pas djegjes së një autobusi të kompanisë “Besa Trans”, i cili me 52 udhetarë, shtetas të vendit tonë po kthehej nga një ekskurzion nga Stambolli. E martja e kobshme, la të vdekur 45 persona, ndërsa 7 të lënduar.
Ende nuk dihet shkaqet e zjarri, ndërsa pas aksidentit doli në pah se ky autobus nuk ka pasur licencë, për udhëtim ndërkombëtar, ndërsa Ministria e Transportit dhe Lidhjeve i mori licencën kompanisë për udhëtime të mëtejshme.
Pronari i kompanisë, autobusi i së cilit u aksidentua Bekim Haxhiu, ende nuk e ka parë të arsyeshme të deklarohet për mediat vendase. Ai në intervistën për televizionin BNT ka thënë se para turës për në Stamboll, e ka kontrolluar autobusin në servis dhe gjithçka ka qenë në rregull. Autobusi i shkrumbuar ishte nga viti 2007, ndërsa kjo kompani e kishte blerë para 3 viteve. Edhe për shoferët tha se kanë qenë shoferë profesioniste të cilët disa herë e kanë kaluar relacionin Shkup-Stamboll.
Emine Ismaili /SHENJA/