Letër Komemorative
E nderuar familja Bekteshi, të nderuar të pranishëm.
Lajmi i hidhur për humbjen e parakohshme të veprimtarit dhe anëtarit të devotshëm të SHKA “Shpresës” – Veleshtë, z.Fisnik Bekteshi na tronditi dhe na trishtoi të gjithëve duke na mbushur zemrat plot pezëm dhe dhimbje, ne anëtarëve, valltarëve të SHKA “Shpresës”, por edhe të gjithë atyre që e njohën këtë njeri të mirë dhe të palodhur si anëtar dhe ish kryetar pranë kesaj shoqërie kulturore artistike.
Gjithashtu falenderoj të gjithë të pranishmit në emër të SHKA “Shpresës” për prezencën tuaj. Ky është padyshim fjalimi më i trishtë në jetën time, është e vështirë ti gjej fjalët e duhura në të tilla raste.
Humbja e tij na la pa frymë dhe na trishtoi sepse pranë nesh nuk do të jetë më fizikisht njeriu i sinqertë, i çiltër dhe me zemër të madhe.
E kemi shumë të vështirë të pajtohemi me humbjen e ish kryetarit dhe shokut tonë, i cili deri dje ishte përkrah nesh i qeshur, aktiv dhe plot besim për jetën dhe të ardhmen, por jeta ka të papriturat e saj me të cilat di të na befasojë shpesh jo këndshem.
Besojmë se Fisnik Bekteshi me veprën, aktivitetin dhe punën e tij të palodhshme pranë kësaj shoqërie ka lënë gjurmë të mira, të pashlyera tek brezi ynë dhe brezat që
do te vijnë pas.
Fisnik Bekteshi lindi më 13 Tetor 1963 ne Ohër dhe u rrit në Veleshtë, shkollën fillore e mbaroi në Veleshtë dhe të mesmen në Dibër.
Në Maj të vitit 2001, pasi filluan xixat e para të luftës në Maqedoni, ai hapi Radio Stacionin shqip *Radio Rrapin” për të njoftuar popullatën për çfarëdo nevoje që do të kishte. Për tre vite me radhë aktivitetin e zhvilloi në menyrë ilegale, por në vitin 2004 Radio Rrapi u zyrtarizua me dokumenta legale.
Në vitin 2003 Niku (sic e quanim të gjithë ne), u bë edhe anëtar i SHKA “Shpresës”, vit ky i cili ka qenë si hap i parë i humorit, që ka bërë githmonë njerëzit të qeshin dhe të argetohën, në organizime të ndryshme ku ne si Shoqëri Kulturore kemi qenë prezent.
Në tetor të vitit 2015 u emërua kryetar i SHKA “Shpresës” ku filloi me aktivitetet e ndryshme, ku menjëherë vitin e ardhshëm më 16 maj 2016 organizoi 35 vjetorin e egzistencës të SHKA “Shpresës”.
Aktivitetet e Nikut në SHKA “Shpresa” kanë qënë të shumta, dhe gjithmonë të suksesshme.
Puna e tij shumëvjeçare është rrjedhojë e një angazhimi të një dinamike artëdashëse nga njeriu që vuri dhe ruajti vlerat autentike të këtij rajoni si dhe gjithë trevave shqiptare.Ai ishte i palodhur dhe gjithmonë aty për të gjithë.
Nga gjithçka çfare u tha për Nikun ,ai do të mbetet i përjetshëm në jetën tonë.
I përjetshëm qoftë kujtimi për ty Fisnik!
Blini Kica – Kryetar i SHKA “Shpresës” – Veleshtë