Nga Selim KALEH
Dëgjoj çdo ditë për korrupsionin, mashtrimin, rryshfetin dhe transfertën e parave në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu çdo ditë dëgjoj për korrupsionin politik, manipulimin, fallsifikimin dhe besnikëritë e dyshimta. Por shumë rrallë dëgjoj për prishjen e moralit, edhe pse ajo është origjina e së keqes. Njerëzit pyesin për burimin e pasurisë, pyesin se nga i kanë marrë postet, por rrallëherë pyesin për rolin që luan prishja e moralit në të gjitha këto që përmendëm.
Zhvatja e pasurisë publike dhe emërimi nëpër poste i njerëzve mendjelehtë, si dhe të gjitha dukuritë e korrupsionit e kanë burimin tek prishja e moralit. Nëse dëshirojmë të trajtojmë problemin e korrupsionit në një vend, duhet së pari të trajtojmë moralin në jetën publike dhe në jetën politike, madje duhet të trajtojmë çështjen se si të rikthejmë edhe një herë vlerat e larta dhe pozitën e tyre të lartë në shoqëri. Shumë iniciativa të ndërrmara janë përjekur ta nisin reformën nga prizmi politik apo legjislativ por kanë dështuar deri më tani, për arsye se ata të cilëve u është ngarkuar kjo detyrë nuk kanë kaluar në filtrin e vlerave morale. Si rrjedhojë, rezultati ishte ai që e dinë të gjithë, pra krijimi i një aleance mes njeriut të prishur dhe atij që u përpoq që të bënte reformë. Gjithashtu disa nisma të tjera janë përpjekur që të gjejnë një zgjidhje për amoralitetin politik përmes legjitimitetit zgjedhor, por përsëri kanë dështuar, sepse baza morale vazhdonte të ishte në të njëjtën gjendje. Si rrjedhojë, llogjika e prishjes morale mbizotëroi mbi të gjitha arsyetimet e tjera për të paktën dy arsye: Së pari, humbja e busullës së “vlerave politike” tek ne, duke ia besuar këtë proces atyre që kanë humbur vlerat e para morale. Së dyti, prishja e vlerave morale më të rëndësishme që lidhen me trashëgiminë tonë historike dhe me trashëgiminë e civilizimit tonë, si dhe me normat e lëvizjes sonë kombëtare që ngrihet mbi besnikërinë për idetë, mbi dashurinë për atdheun, me hedhjen tej të fanatizmave krahinore, mbi sakrificën dhe përkushtimin në punë, mbi vetëmohimin, seriozitetin, efiçiencën, durimin, respektin për ligjin dhe për të drejtat e njeriut dhe lirive etj. në emër të besimit të verbër për disa njerëz, madje në emër të të qenurit besnikë ndaj gabimeve të tyre. Si rrjedhojë ne duhet të përjetojmë një etapë që mund ta titullojmë “moralizimi i politikës” pikësëpari, nëse vërtetë dëshirojmë të kemi shpresë për një përmirësim për një periudhë afatgjatë. Kjo nuk mund të arrihet vetëm se duke u nisur nga dy parime: Së pari, konsiderimi i mungesës së respektimit të vlerave morale islame dhe normave shoqërore si një element që bie ndesh me marrjen e posteve publike, gjë që supozon largimin e personit prej këtyre posteve. Së dyti, demaskimi i të gjitha formave të amoralitetit që manifestojnë njerëzit me pushtet, përndryshe asnjëherë nuk mund të shfarrosim korrupsionin ekonomik dhe politik dhe nuk do të arrijmë të kuptojmë thellë fjalën e të dërguarit të Allahut (a.s.): “Nëse nuk ke turp, bëj çfarë të duash.”
Nëse njeriu e humbet turpin ka zbritur në nivelin e poshtërsisë, pra në mejdanin e mendjelehtësisë dhe budallallëkut. Si pasojë çdo hap e drejton atë drejt një shkelje tjetër derisa të kthehet në një njeri të mbushur me të meta, me plot vepra dhe fjalë të ulëta. Nëse Allahu dëshiron ta shkatërrojë një njeri, ia heq turpin dhe nëse ia heq turpin, ai kthehet në një njeri të urryer. Nëse kthehet në njeri të urryer, Allahu e bën që të mos e mbajë dot amanetit që i besohet, e si rrjedhojë ai kthehet në një tradhëtar. E nëse kthehet në një tradhëtar, Allahu e zhvesh zemrën e tij nga mëshira, e si rrjedhojë ai kthehet në një njeri zemërgurë. Nëse kthehet në njeri zemërgurë, Allahu ia heq nga zemra imanin, e si rrjedhojë ai kthehet në një shejtan të tërbuar. Nëse nuk ke frikë nga turpi dhe askush nuk arrin të të pengojë dot nga veprat e tua të këqija, atëherë Allahu do të ndëshkojë pa asnjë dyshim për to. Pra Profeti (a.s.)sikur thotë “bëni çfarë të doni” dhe do ta shihni shpërblimin e asaj që gatuat me duart tuaja.