Vazhdojmë të hasim në rrugë, nëna apo baballarë, që keqtrajtojnë fëmijët e tyre. Ajo, që bie në sy në këto pamje, është fakti, që prindërve nuk u shkon në mendje, që janë në publik dhe po i fyejnë fëmijët e tyre përpara gjithë botës. Të paktën fëmijët kështu e përjetojnë.
U bërtasin, i godasin, deri u shkulin edhe veshin, pa e ditur dhe pa u menduar se çfarë ndjen fëmija, çfarë pasojash kanë këto veprime dhe kjo sjellje e të rriturit te i parrituri.
Janë të pushtuar nga inati i tyre dhe nuk ekziston gjë tjetër, as detyra, as përgjegjësia dhe as ajo “dashuria” për fëmijën, që e përdorin si mburojë.
I duan fëmijët të edukuar, kur vetë sillen si të munden. I thonë fëmijës të sillet mirë, kur vetë nuk dinë të sillen. Asnjëherë nuk u ka shkuar në mend, që janë ata janë modeli juaj.
Nëse të rriturit sillen pa u menduar, fëmija do të jetë konfuz dhe nuk do të dijë se si të sillet në publik, apo kur është në një mjedis familjar.
Dhe kjo për arsyen e thjeshtë, që ai është gjithë kohën nën pushtetin e frikës dhe të pasigurisë, se cila është mënyra më e mirë, apo fjala e duhur?
Një pediatër i madh dikur tha: “Nëse doni, që fëmijët të bëhen të mirë, t’ju respektojnë dhe nderojnë, respektojini ju prindër të parët dhe ata nuk do të bëjnë ndryshe.”/ Lira Gjika, Pediatre