Në një shkrim të gjatë të së përditshmes gjermane „Die Zeit“, i vitit 2013, të cilin Shtegu.com do ta sjellë në vazhdime ditëve në vijim, përshkruhet gjendja e popullatës para dhe gjatë luftës së 2001-shit në Maqedoni.
Supozoni se nuk keni dëgjuar asnjëherë për Maqedoninë. Natyrisht se është vështirë, pasi për çdo natë në ekranin televiziv keni parë hartën e saj, fotografi të lëvizjes së tanqeve dhe ushtarë duke shtënë me armë pasi kanë parë dritë zjarri dhe me shumë siguri politikanë të rangut të lartë, të cilët zbresin nga avioni, i shtrëngojnë duart, flasin në mikrofonë dhe sërish kthehen në avion; është shumë vështirë të imagjonohet Maqedonia, pasi, gjithçka flet për beteja dhe luftë. Por, harroni për disa minuta gjithçka që keni parë e dëgjuar për Maqedoninë.
Dhe tani një rrëfim në vijim. Ibrahimi është ulur në një kafene pa emër, duke shikuar kodrës përpjetë. Është një ditë para ofensivës së armatës maqedonase, e cila do të sulmojë kodrën me armatim. Ende është qetë, freski pranverore. „A e sheh ate mur lart, përskaj shtëpisë“, pyet Zendeli, një mysafir tjetër i kafenesë. „Aty lart, dje policia i ka vrarë dy gomerë, thjeshtë ashtu“. Asgjë tjetër më nuk foli Zendeli. Pas një gjysmë ore, në kafene hyn Billy, ulet dhe shikimin e drejton njësoj sikurse Zendeli, nga kodra. Billy fillon: „A e sheh atje lart, atje përskaj shtëpisë?! Aty lart, policia dje ka vrarë dy kuaj ngjyrë kafe, thjeshtë ashtu“, dhe nuk foli asgjë më tepër, përpos se psherëtiu thellë. Pak më vonë, në kafene vjen Fatmiri, ulet dhe natyrisht se shikimin e drejton nga kodra, njësoj sikurse Zendeli dhe Billy. „A e sheh atje lart, përskaj shtëpisë. Aty dje policia ka vrarë dy kuaj. Dy kuaj të bardhë“! Fatmiri e tundë ashpër kokën. E më pas e përsërit edhe një herë: „Paramendo, dy kuaj të bardhë“!
Maqedonia është një vend, në të cilin brenda një kohe të shkurtër, nga një gomar shndërrohet kalë ngjyrë kafe dhe nga një kalë ngjyrë kafe, shndërrohet një kalë i bardhë. Një metamorfozë ballkanike, e cila nuk përkufizohet vetëm në kafshë. Të premten para një jave, jetën e humbën babë e bir të një familje nga fshati Poroj, në një udhëkryq në Tetovë. Me automatikët e tyre, policia maqedonase shtiu mbi ta, derisa ata nuk lëvizën fare. Skenat i kishte incizuar kamera televizive. Mund të vërehet qartë se si një polic e rrahë djaloshin e ri, e mandej largohet. Djaloshi mban diçka në dorë, të cilin e hedhë në drejtim të policëve, të cilët janë fshehur pas thasëve me rërë. Maqedonasit këmbëngulin se ka qenë një granatë dore dhe se djaloshi me të drejtë është qëlluar. Vetëmbrojtje, asgjë më tepër. Nga ana tjetër, Zendeli, Ibrahimi dhe Fatmiri thonë se kjo nuk është asgjë tjetër, përveçse një gënjeshtër e kulluar, pasi djaloshi në dorë nuk ka pasur granatë dore, por një celular. „Saktësisht e pashë“, pohon Fatmiri, ishte një celular i llojit Ericsson, modeli 388. E vërteta e gjithë kësaj është se një granatë dore shndërrohet në celular dhe anasjelltas, një celular Ericsson 388 shndërrohet në granatë dore. /vazhdon/. (Shtegu.com)