Nga gjithsej 39 të burgosur, të cilëve u është shqiptuar dënimi maksimal me burg të përjetshëm, 20 prej tyre janë shqiptarë, pa përfshirë në këtë numër edhe 8 të dënuarit në rastin “ Lagjja e trimave”.
Në periudhën kohore 2006-2008 numri i të dënuarve me burg të përjetshëm ishte rreth 12, që do të thotë se gjatë këtyrë 9 viteve ky numër është rritur me 27 të burgosur.
Pasi kontaktuam me Drejtorinë për Zbatimin e Sanksioneve, zyrtarisht prej tyre kërkuam edhe informacion për përkatësinë etnike të të burgosurve me burg të përjetshëm (39), por edhe pse detaje kishin për numrin e përgjithshëm të të burgosurve (2979) , kush për çfarë veprash është dënuar, na thanë se nuk e dinin se cilës përkatësi etnike i takojnë këta 39 të dënuar me burgim të përjetshëm.
Avokati Mefail Asllani thotë se me sistemin që kemi pasur, personat veçmë kanë qenë të dënuar që me ngritjen e padisë nga policia, sepse prokuroria të njëjtën e bënte “ copy-paste”, ndërsa gjykatësi as nuk e mendonte ta refuzojë, por i jepte “ Amin”.
“Ne e kemi boll një numër jo të vogël, janë katër persona që u dënuan me burg të përjetshëm për rastin “ Monstra”, por sa kam njohuri ka edhe raste të tjera në të cilat është shqiptuar dënimi maksimal pa pasur dëshmi të mjaftueshme. Ne kemi pasur sistem të tillë, që peër djegien e veturave e shkatërrimin e pronave të shqiptarëve jep denim me kusht, ndërsa për protestuesit për rastin “ Monstra” jep dënim maksimal prej tre vitesh. Atëherë, si mund të themi se jemi të sigurtë se vendimet e dhëna për këta persona për burgim të perjetshëm janë të shqiptuara në bazë të ligjeve dhe dëshmive?”- thotë avokati Mefail Asllani.
Sipas tij, në Maqedoni nuk kuptohet esenca e vuajtjes së dënimit me burg, pasi shtetit nuk i intereson se si e kalojnë periudhën e dënimit të burgosurit. Nëse një persona del nga burgu dhe pas një kohe të shkurtëtr kthehet prap aty atëherë ka dështuar shteti, sepse ky i fundit nuk kujdeset që të kontribuojë që këta të burgosur të risocializohen.
Sipas statistikës që na dërguan nga kjo drejtori, doli se shumicën, nga numri i përgjithshëm i të dënuarve, e përbëjnë pjestarë të pakicave etnike në Maqedoni, thënë me saktë 1105 të burgosur maqedonas, ndërsa 1692 janë shqiptarë, truq, romë dhe të tjerë, ku edhe në këtë grup shqiptarët mbajnë vendin e parë.
Të dhënat e mësipërme, sipas Drejktorisë për Zbatimin e Sanksioneve, përfshijnë numërimin e bërë deri më datë 31 gusht të vitit 2017./Almakos