Nabizi
Mobileri Kupa
Reklamo Ketu! Reklamo ketu!
LULZIM NASUFI: 21 VITE NGA MARRVESHJA KORNIZË E OHRIT – 21 VITE POLITIKË TALLAVA-SHQIPTARE…!
Opinion, Slider

LULZIM NASUFI: 21 VITE NGA MARRVESHJA KORNIZË E OHRIT – 21 VITE POLITIKË TALLAVA-SHQIPTARE…!

21 VITE NGA MARRËVESHJA KORNIZË E OHRIT – 21 VITE POLITIKË TALLAVA-SHQIPTARE…!

Në historinë e zhvillimeve shoqërore (fatkeqësisht), pothuajse të gjitha luftërat çlirimtare (me ardhje në pushtet të luftëtarëve) mbarojnë me diktaturë (mund të thoni që jam në opozitë dhe mendoj kështu, por faktet nuk njohin dhe nuk janë opozitë), psh: gjatë historisë më të re kështu ndodhi me Revolucionin Komunist të udhëhequr nga Lenini në BRSS, në Kubë, në Rumani, në Shqipëri e të tjera, por fatmirësisht për shqiptarët në përgjithësi në shek XXI jo edhe në Kosovë.

Sot kemi një modifikim të diktaturës moniste (Presidenciale) duke i’u përshtatur kushteve të pseudodemokracisë, shtete hibride, siç e kemi rastin me Rusinë e sotme, në Bjellorusi, në Siri, në disa shtete aziatike, afrikane e gjetiu, dhe çuditërisht e njëjta gjë po na ndodhë edhe ne shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut ngjashëm, por në miniaturë.

Këtu në RMV, nga UÇK- ja dhe në emër të saj doli një subjekt politik i cili tashmë njëzet e ca vjet në skenën politike në emër të luftës çlirimtare, në emër të kauzës shqiptare që po e mban peng shoqërinë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, sepse brenda po të njëjtit subjekt politik më vonë janë krijuar klane keqbërëse, kriminele dhe biznese joligjore.
Dhe përsëri nuk është se jam në opozitë dhe mendoj kështu, por faktet e mëposhtme nuk mund t’i mohojë dot askush.
– Njëzet e sa vjet ky subjekt nga njëra anë promovon dhe flet për demokracinë, kurse nga ana tjetër ushtron monizëm
– Më shumë se dy dekada promovon vlerat perëndimore (lirinë e të folurit, sistemin shumëpartiak, zgjedhje të lira…), por në kohë të zgjedhjeve ushtron pushtet sikurse diktaturat moniste
– Rrinë me perëndimorët, i flasin popullit për perëndimin, por pushtetin e mbajnë dhe e mbrojnë njëjtë si në lindje e deri në vdekje, ata dhe vetem ata
– Flasin për integrimet Euro–Atlantike, për në Uashington dhe Bruksel, e nga ana tjetër zhvillojnë korrupsion me mendësi për në Moskë
– Promovojnë sukses në politikbërje, por shprazen trojet shqiptare
– Flasin për vlerat e funksionimit të shtetit të së drejtës, por me besimin e qytetarëve në sistemin gjyqësor 8%, në prokurori 3%…
– Nëpër fushata flasin për funksionimin e institucioneve – servis i qytetarëve, por pasi ulen në karrige shndërrohen në sundues të qytetarëve, etj.
Ju kujtohet sigurisht se talleshin dhe përqeshnin të ndjerin Amdi Bajram, por ia vodhën strategjinë, “gjithmonë me pushtetin”, “gjithmonë me fituesin“.
Ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, kemi ngelur peng të parimit “ fituesi me fituesin ”. Në Maqedoninë e Veriut pushteti ndryshohet te pala (etniteti) maqedonase, ndryshojnë elitat politike të LSDM si Branko Crvenkovski, Vllado Buçkovski, Radmilla Shekerinska, Zoran Zaev, Dimitar Kovaçevski, te OBRM–PDUKM Ljubço Georgievski, Nikolla Gruevski, Hristijan Mickovski, etj., kurse ne shqiptarët s’paskemi nevojë për ndërrim të pushtetit, sepse për këta që na udhëheqin që njëzet e me shumë vite, nuk vlejnë rregullat dhe vlerat perëndimore për nevojën e ndërrimit të pushteteve (me këtë edhe zhvillimit të shoqerisë), sepse këta janë të lindur të udhëheqin me dekada, janë lindur për ministra, kryetarë komunash dhe drejtorë të përjetshëm.
Ndër vite, në gjithë botën, por edhe vendin tonë u ndërruan ambasadorë e përfaqësues të ndryshëm europian, por të gjithë ata kur vinë këtu flasin dhe takohen akoma me të njëjtit njerëz, me të njëjtat fytyra, tash e 20 e disa vite.
Seriozisht, çështja edhe mund të ketë të bëjë me opozitën, ose ndoshta sot edhe nuk ka të bëjë vetëm me opozitën shqiptare, sepse definitivisht ne shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, jemi shembulli më klasik në këtë regjion, sepse ne “ramë të flejmë në demokraci dhe u zgjuam në dikataturë”!
Për këtë arsye është koha t’ju kërkojmë ndihmë edhe atyre miqve tanë, ambasadave perëndimore, përfaqësuesve diplomatik dhe institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, sepse ne shqiptarët këtu në RMV jemi të kapur nga vetë shqiptarët në pushtet, institucionet tona janë të kapura nga funksionarë dhe drejtues të korruptuar të paaftë, imoral, me diploma të blera dhe fallco.
Ore njerëz, po si ka mundësi 20 e disa vite, gjithë kohën të kemi ministra të njëjtë, drejtor të njëjtë, funksionarë të njëjtë në pushtet, kryetarë komunash të njëjtë dhe asnjë padi penale për korrupsion, vjedhje, kriminalitet, keqpërdorim pushteti, imoralitet, zero kriminalitet vetëm te pushtetarët tanë, 20 e disa vite jemi bërë shembull për librin “Guiness” në historinë bashkëkohore.
Por, kujt i konvenon ky monizëm gati komunist te shoqëria jonë shqiptare në Maqedoninë e Veriut? Pse për ne shqiptarët në RMV mos të ketë ndërrim pushteti, ndjekje penale për të korruptuarit, luftë kundër krimit të organizuar, apo kjo…?! – me sa duket, ndoshta, bëhet edhe qëllimisht nga qarqe të caktuara, por të ndihmuara edhe nga ato shqiptare, që populli dhe rinia t’i humbasë shpresat e jetesës dhe qëndresës dhe si zgjidhje të vetme të shohë ikjen në Gjermani apo shtete të tjera dhe t’i shprazë këto troje.

Prandaj njerëz, ndërgjegjësohuni sa më shpejtë, sa nuk është bërë vonë!
Lulzim Nasufi-Kryetari i ASH-së

August 19, 2022
Butik Mili

Struga Ekspres