Monday, July 28, 2025
Nabizi Gega KFC
789184-C9-03-B5-41-CF-9-D59-B2523658-B380
1ab55e5d-f5c3-470d-bec1-df1777c5234e
HomeKulturëLindim Etemi: Këngëtaret pa zë, por me trup lakuriq, turpi që paguhet...

Lindim Etemi: Këngëtaret pa zë, por me trup lakuriq, turpi që paguhet me dhjetra mijëra euro

Lindim Etemi (Struga Ekspres)

KËNGËTARËT PA ZË, POR ME TRUP LAKURIQ – TURPI QË PAGUHET ME MIJËRA EURO

Jemi në një kohë ku nuk pyet më njeri “a di të këndojë?”, por “a duket mirë, a e ka trupin e bukur. Jemi bërë dëshmitarë të një absurdi kolektiv sepse këngëtarë dhe këngëtare që nuk dinë të mbajnë as një notë të drejtë, por dalin në skenë me trup të zhveshur dhe marrin mijëra euro për një natë.

Jo një, jo dy, por dhjetëra mijëra euro për një koncert, ku nuk këndohet, vetëm bëhet playback, përdridhen trupat, sytë nguliten atje ku nuk ka art, por ka lëkurë të ekspozuar. Ky nuk është sukses. Ky është prostitucion kulturor me fjalë të tjera.

Kjo ndodh çdo ditë, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi e tj.

Të ashtuquajturat “diva” të skenës, që s’kanë lidhje me muzikën, por me kirurgjinë estetike. Zero zë. Zero ndjenjë. Tekste banale që s’kanë as rimë, as emocion. Thjesht fjalë që nuk kanë as kuptim, as dinjitet. Por ja që “bëjnë namin”. Pse?

Sepse shiten mirë. Sepse publiku i do. Sepse organizatorët duan sallat plot, edhe nëse publiku ikën më budalla nga ç’ka ardhur.

Trupi është bërë valutë. Zëri është bërë dekor.

Në vend që të kërkojmë artistë që këndojnë nga shpirti, mbushim stadiume për ata që tregojnë trupin. Nuk jemi më shoqëri që e respekton artin – jemi një treg që shet lëkurë dhe blen injorancë.

Dikur, një këngëtare duhej të këndonte live, të studionte vite, të lodhej për një vend në skenë. Sot, mjafton një operacion plastik, një video provokuese dhe një tekst banal me refren “e di çka du ti”… dhe voila: suksesi!

Shoqëri që vlerëson trupin dhe jo zërin, është një shoqëri e “sëmurë”.

Kur këngëtarët pa zë paguhen më shumë se një mësues, një mjek, një shkencëtar – atëherë problemi nuk është tek ata. Problemi është TE NE.

Publiku ka faj. Mediat kanë faj. Organizatorët kanë faj. Politika kulturore është ZERO. Askush nuk investon në talente të vërteta. Sepse talenti nuk sjell “views”, nuk sjell “skandale”, nuk sjell “clickbait”.

Artisti i vërtetë është në heshtje. Në hije. Në varfëri.

Ata që këndojnë me shpirt, që studiuan muzikën, që kanë zë të jashtëzakonshëm – janë lënë në harresë. Nuk janë “trending”, nuk janë “viral”. Ata nuk kanë kohë të bëjnë foto nudo në ashensor. Ata nuk u duhen më askujt.

Kjo është një thirrje: Boll më me zhveshje në vend të zërit. Boll më me tallava plastike. Boll më me art të falsifikuar.

Nuk jemi popull pa talent. Por po bëhemi popull që paguan antivlerën dhe injoron artin. Dhe kjo është më e frikshme se çdo këngë banale që dëgjohet sot.

O populli im i dashur:

Muzika nuk është pazar mishëror.
Skena nuk është klub striptize.
Artisti nuk matet me pëlqime, por me atë që lë në shpirtin e publikut.

Nëse je dakord, shpërndaje këtë fjalë. Se ndoshta dikush do zgjohet. E nëse nuk zgjohen, të paktën të mos themi që heshtëm.
Lindim Etemi (Struga Ekspres)

AS-Event
REKLAMONI KETU! REKLAMONI KETU!
AS-Event
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments