Aleanca për Shqiptarët insiston që resorët ministrorë që u ndanë kur u formua koalicioni qeveritar, të mbesin të pa ndryshuara. Vullnet Ferati është emri që partia e Selës ia ka propozuar kryeministrit Zoran Zaev për ministër të shëndetësisë.
Nuk ka pasur asnjë bisedë dhe shpresoj se nuk do të ketë asnjë bisedë për ndërrim të resorëve ministrorë. Aleanca për Shqiptarët ia ka dhënë emrin për ministrin e Shëndetësisë dhe ai është Vullnet Ferati, i cili do të zëvendëson Arben Taravarin. Tani presim që edhe BDI-ja të japë propozimin e vet për ministrinë pa resor dhe zëvendësministrin e arsimit – deklaroi Elmi Aziri, Zyrtar i Aleancës për Shqiptarët. Nga BDI-ja, të paktën publikisht, nuk shprehin interes për të drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë ndërsa për zëvendësuesin e Arben Taravarit në këtë dikaster thonë se do të vendosin të gjithë partnerët e koalicionit. Socialdemokratët vazhdojnë të kalkulojnë në heshtje. Në pyetjen e Alsat-M, nëse do të ketë ndryshime në formacionin qeveritarë dhe se kush do të udhëheqë me Ministrinë e Shëndetësisë, nga LSDM u përgjigjën: “Ekzistojnë shumë opsione të tjera të hapura. Kur të përfundojnë konsultimet partiake, do t’ju njoftojmë për pozicionet dhe bartësit e ministrive.”