Kurti dhe Konjuca te familja e heroit Bunjaku: Gjaku i tij s’do të humbë asnjëherë
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me kryetarin e kuvendit, Glauk Konjufca, shkuan në të pame te familja e heroit të Kosovës, rreshterit Afrim Bunjaku.
Kurti i shprehu ngushëllime familjes Bunjaku, teksa tha se vepra e heroit Afrim Bunjaku dhe përkushtimi ndaj atdheut, do të jenë gjithnjë në mendjet dhe zemra e popullit të Kosovës.
“Afrim Bunjaku, nga rreshter i Policisë u bë hero i Kosovës. Emri i tij s’do të harrohet kurrë. Gjaku i tij s’do të humbë asnjëherë. Rënia e tij heroike ngrit lart Republikën e pavarur dhe përgjegjësinë shtetërore për ligj e rend e siguri anembanë për të gjithë dhe secilin. Lavdi!”, shkroi Kurti në librin e kujtimeve.
Ndërsa, Konjufca tha se rënia e Afrim Bunjakut është amanet e flijimi i tij është testament se si duhet të jepet jeta kur rrezikohet atdheu.
“Emri i tij prej heroi është përjetësuar në historinë e dëshmorëve. Lavdi!”, shkroi Konjufca në librin e kujtimeve.