Vajza e Jakup Krasniqit, Gresë Krasniqi ka reaguar pak minuta më parë lidhur me vendimin e marrë këtë të mërkurë ndaj babait të saj nga Gjykata Speciale në Hagë. Krasniqi u dënua me 25 vite burgim teksa vajza e tij e ka cilësuar vendimin si padrejtësia më e madhe e këtij shekulli.
Sipas saj ky vendim ndryshon historinë e Republikës së Kosovës dhe i vendos një njollë të zezë UÇK-së duke barazuar viktimën me agresorin.
“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, Sot, në qytetin e drejtësisë, ndodhi padrejtësia më e madhe e këtij shekulli.
Në një gjykatë që ne e konsiderojmë të padrejtë, politike, raciste dhe kriminale, u dha një vendim po aq i padrejtë, politik, racist dhe kriminal. Ky vendim, përfundimisht, ndryshon historinë e Republikës së Kosovës, i vendosë një njollë të zezë UÇK-së dhe barazon viktimën me agresorin.
Katër burra që i kthyen armët kundër armikut, jo për të pushtuar e as për pushtet, por për të mbrojtur pragun e shtëpisë që digjej e shkatërrohej; për të mbrojtur familjarët që dhunoheshin, përdhunoheshin, torturoheshin e vriteshin; që zhdukeshin e dëboheshin nga trojet e tyre.
UÇK-ja luftoi kundër kasapit të Ballkanit, kundër një prej ushtrive më të përgjakshme të rajonit, kundër një makinerie ushtarake që kreu gjenocid në Kosovë. E megjithatë, sot u dënuan çlirimtarët.
Në këtë gjykatë te padrejtë, sot u dënua zëdhënësi i UÇK-së, ndërsa homologu i tij i atëhershëm, Ivica Daçiq, vazhdon të jetë i lirë dhe të jetojë krejt mirë në Beograd. Ky është veç një tjetër tregues i qarte për natyrën paragjykuese dhe politike te po kësaj politike.
Natyrisht, ky vendim na ka lënduar dhe na ka zhgënjyer, Por kurrë nuk do të na thyejë dhe kurrë nuk do të na dorëzojë.
Unë jetoj dhe do të vdes me bindjen time të plotë në pafajësinë dhe çiltërsinë e babait tim, Hashimit, Kadriut dhe Rexhës. Krenaria mbetet. E vërteta mbetet. Ne do ta vazhdojmë luftën për liri dhe drejtësi”, shkruan ajo.













